Thomas Sowell
realclearpolitics.com
Profesorë të ndryshëm në Universitetin e Kalifornisë në Berkely janë paralajmëruar zyrtarisht të mos thonë gjëra të tilla si “Amerika është vend i mundësisë.” Pse? Sepse ky konsiderohet të jetë një veprim mikro-agresioni kundër minoriteteve dhe grave. Shprehje të tilla nënkuptojnë që ti nuk i trajton me seriozitet shqetësimet dhe je fajtor për qenien agresiv ndaj atyre (minorancave), edhe pse në një shkallë të vogël.
Mund të mendoni se kjo është thjesht një tjetër ide e çmendur nga Berkely. Por i njëjti koncept shfaqet në një raport të Universitetit të Illinois në Urbana. Nëse je ulur në një dhomë ku të gjithë njerëzit janë të bardhë, ti konsiderohesh të jesh fajtor për “mikro-agresion” kundër njerëzve që nuk janë të bardhë, që mendohet të mos ndihen rehat kur hyjnë në një dhomë të tillë.
Në UCLA, një profesor që [gjatë një korrigjimi] ndryshoi shkronjat e fjalës “indigjen” nga kapitale në të vogla, në disertacionin e një studenti, u akuzua për “mikro-agresion”, me sa duket ngaqë preferoi të përdorte stilin e Universitetit të Çikagos për referencat, dhe nuk preferoi përpjekjen e studentit për të zmadhuar rëndësinë e të qenit indigjen.
Kur një grup studentësh të juridikut në UCLA hynë në klasë me bluza me portretin e njërit nga profesorët e tyre që kishte organizuar një lojë softball-i intramurale, kundër atyre bluzave u protestua si manifestim i “privilegjit të bardhë”.
Pse? Sepse profesori kishte shkruar një libër kritik ndaj veprimit afirmativ.
Protesta kundër “mikro-agresionit” janë përhapur në universitete nga njëra anë e vendit në tjetër – që do të thotë, nga Berkely i Kalifornisë dhe UCLA te Harvard-i dhe Fordham në bregun lindor, përfshi Oberlin dhe Illinois në perëndim.
Administratorët akademikë kanë zgjedhur shpesh rrugën e kujdesit me sa më pak qëndresë, duke i trajtuar pretendimet e viktimizimit nga më të parëndësishmet, budallallëqe madje, me seriozitet të madh, edhe kur bëhet fjalë për diskreditimin e anëtarëve fakultetit që respektohen nga shumica e studentëve të tyre dhe nga kolegët profesionalë në universitet dhe më gjerë.
Koncepti i “mikro-agresionit” është thjesht një nga taktikat e shumta që përdoren për të ndrydhur dallimet në opinion duke i shpallur disa opinione si “gjuhë urrejtjeje”, në vend që t’i diskutojnë këto dallime në tregun e ideve. Të akuzosh njerëzit për agresion që nuk ruan ritmin me hapat e korrektesës politike është të krijosh kushtet për justifikimin e agresionit të vërtetë kundër tyre.
Kjo taktikë shkon përtej universiteteve dhe përtej SHBA. Francezit Jean Paul Sartre i njihet merita – nëse kjo është fjala e duhur – që i quante kushtet sociale të cilat nuk i pëlqenin atij si “dhunë”, si prelud për të justifikuar dhunën e vërtetë si përgjigje ndaj atyre kushteve. Imituesit amerikanë të Sartre-t kanë përdorur të njëjtën taktikë verbale për të justifikuar protestat e getove.
Lojërat e fjalëve janë nga rrugët për ndrydhjen ideve politikisht jo korrekte, në vend që t’i debatojnë ato. Kërkesat që organizata konservatore të ndryshme të detyrohen të publikojnë emrat e donatorëve të tyre është një tjetër mënyrë për të ndrydhur idetë duke trembur personat që ndihmojnë për përhapjen e tyre. Cilado qoftë arsyeja për publikimin e këtyre emrave, kuptohet që kjo bëhet për hakmarrje.
E njëjta taktikë u përdor, dekada më parë, nga mbështetësit e ndarjes racore në Jug, të cilët u përpoqën të detyrojnë organizatat e të drejtave civile për zezakët të publikonin emrat e donatorëve të tyre, në një situatë ku hakmarrja mund të kishte përfshirë dhunë dhe humbje ekonomike.
Në një kuptim, përpjekjet e së majtës politike për të ndrydhur idetë që ata nuk munden t’i debatojnë janë një pranim i falimentimit intelektual. Por kjo është një nga kufizimet gjithnjë e në rritje të së majtës ndaj lirive të njerëzve për të jetuar jetën e tyre siç e shikojnë ata të përshtatshme, në vend të jetojnë siç u pëlqen të majtëve.
Përpjekjet e tanishme të administratës Obama për të imponuar shtëpi për njerëzit me të ardhura të ulëta në zonat e klasës së mesme dhe të lartë janë në një vijë me detyrimin e njerëzve të blejnë llojin e sigurimit shëndetësor që i pëlqen qeverisë – ObamaVare – dhe jo t’i lërë ata të lirë të blejnë atë që u përshtatet shijeve të tyre dhe gjendjes së tyre.
E majta nuk synon domosdoshmërish totalitarizmin. Por bindja e tyre se dinë gjithçka çon vazhdimisht dhe në mënyrë perverse në atë drejtim, edhe me hapa të vegjël, çdonjëri prej të cilëve mund të quhet “mikro-totalitarizëm”.
_____________________
Shkrime të tjera që trajtojnë këtë fenomen:
Në Oxford dhunohet liria e fjalës
Debati për homoseksualitetin po vret lirinë e fjalës
Miti i “shkencës së përcaktuar”
Kafshimi i Suarezit dhe thumbimi i Kosovës