Stephen Moore
Artikulli kryesor i revistës National Geographic gjeneroi vëmendje sepse tallet me amerikanët skeptikë – sigurisht, shumica konservatorë – që nuk i pranojnë faktet shkencore. Vetëm 40{27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} e amerikanëve (sipas Qendrës Kërkimore Pew) “e pranojnë se aktiviteti njerëzor është shkaku kryesor i ngrohjes globale”, dhe revistës kjo i duket “dekurajuese” që kaq shumë “njerëz të arsyeshëm vënë në dyshim shkencën”.
National Geographic i krahason mosbesuesit e shkencës me ata që vënë në dyshim zbritjen e NASA-s në hënë dhe ata që mendojnë se dizinfektimi i ujit është një komplot dhe më i keq. Si munden kaq shumë njerëz të injorojnë “shkencën e rrënjosur”? Eh, ja një arsye: publiku nuk i beson paralajmërimet e qeverisë dhe shkencëtarëve, sepse zakonisht ato janë të gabuara.
Për ironi, mesha e National Geographic mbi shkencën e përcaktuar nuk mund të ishte mbajtur në një kohë më të papërshtatshme. Muajt e fundit, shkencëtarë të dëgjuar kanë kundërshtuar vetveten dhe e kanë pranuar se zbulimet dhe këshillat e tyre kanë qenë të gabuara për ngrënien e dhjamit. Pasi na kanë folur për dekada kundër dhjamit, tani mësojmë se dhjami është i mirë për dietë dhe humbje në peshë. Ajo që mendonim se ishte e vërtetë bazuar në dëshmi, rezultoi të ishte e kundërta e të vërtetës. Ups!
Dyzet vjet më parë shkencëtarët paralajmëruan për ardhjen e një periudhe akulli, tani janë absolutisht të sigurt se Toka po ngrohet – dhe disa nga “ekspertët” kanë qenë pjesë e të dyja pretendimeve. National Geographic e pranon madje këtë fakt të papërshtatshëm, por kjo në një farë mënyre ndihmon në mbrojtjen e çështjes së ngrohjes globale. Në qoftë se një teori shkencore nuk është e kundërshtueshme – ngrohja dhe ftohja janë të dyja ndryshim klimaterik – atëherë si mund të jetë kjo shkencë? Revistës nuk i besohet që kaq shumë skeptikë “mendojnë se aktivistët e ndryshimeve klimatrike e përdorin kërcënimin e ngrohjes globale për të sulmuar tregun e lirë dhe shoqërinë industriale në përgjithësi”.
Prisni. Aktivistët e ndryshimeve klimaterike e përdorin këtë tezë për të goditur tregun e lirë. Verën e kaluar një grup i madh ambientalistësh u mblodhën në Venezuelë për të zgjidhur probleme të rëndësishme mjedisore si ngrohja globale, duke konkluduar: “Shkaqet strukturore të problemeve mjedisore janë të lidhura me sistemin kapitalist hegjemonist të tanishëm”.
Si është paranojë të besosh se industria e ndryshimeve klimaterike dëshiron që të shkatërrojë kapitalizmin kur kjo lëvizje e deklaron qartë se ky është objektivi i saj? Unë s’jam shkencëtar, por jam shumë skeptik për një lëvizje këshilla e parë e së cilës është ta çojë ekonominë e SHBA në humnerë.
Pretendimi tjetër shkencor i National Geographic është se “senatori James Inhoe nga Oklahoma, një nga zërat republikanë më të fuqishëm në çështjet e mjedisit, ka kohë që ka deklaruar se ngrohja globale është një mashtrim. Ideja që qindra shkencëtarë në gjithë botën mund të bashkëpunojnë për një mashtrim të tillë është qesharake”.
Qesharake? Gjithë historia e lëvizjes së gjelbër është plot me mashtrime gjigante e madje me këshilla katastrofike, duke filluar nga dita moderne e lindjes së kësaj lëvizjeje me “Pranverën e heshtur” (1962) të Rachel Carson. Ky ishte himni i të gjelbërtve që luajti një rol të madhe në ndalimin e DDT në gjithë botën – një lëvizje që kontribuoi në humbjen e jetës së miliona afrikanëve nga malaria.
Sa për pretendimin se shkencëtarët nuk do “bashkëpuonin kurrë për një mashtrim”, çfarë mund të thuhet për skandalin e Climategate, për të cilin e majta edhe sot nuk e pranon që ka ndodhur? A nuk duhet të shkaktojë një farë skepticizmi, dhe në media dhe në komunitetin shkencor për vlerën e “shkencës, fakti që disa nga shkencëtarët kryesorë u kapën me presh në dorë duke fabrikuar faktet dhe duke fshehur të dhënat?
Thuajse çdo paralajmërim ogurzi mjedisor në vitet 70, i mbështetur nga qindra shkencëtarë dhe media, si National Geographic, rezultoi të jetë mashtrim. Asokohe u paralajmëruam nga “ekspertët” se bota ishte e mbipopulluar, po na mbarohej energjia, ushqimi, uji, mineralet, ndotja po shtohej, dhe përfundimi do të ishte uria dhe shkatërrimi global. Çdo apekt i kësaj urtësie shkencore ishte gabim spektakular.
Në vitin 1980, shkencëtarë të njohur në qeverinë e SHBA përgatitën një raport të quajtur “Raporti global 2000 për presidentin”, i cili ishte një klithmë se deri në vitin 2000 në botë do të mbaronte nafta, gazi, ushqimi, toka e punueshme e kështu me radhë. Vetëm një grusht njerëzish të guximshëm si Julian Simon dhe Herman Kahn patën kurajë ta kundërshtonin këtë dije konvencionale. Ata u sulmuan atëherë – siç sulmohen sot skeptikët e ndryshimeve klimaterike – si të lajthitur të rrezikshëm. Megjithatë, këta inkonoklastë kishin të drejtë dhe konsensusi shkencor i të gjelbërve e kishte gabim. Le të fillojmë me faktin që qindra miliona kinezë – kryesisht vajza – mungojnë demografikisht sot për shkak të politikës për një fëmijë, të cilën të gjithë të gjelbrit e përkrahën si një mënyrë për të shpëtuar planetin.
Fyerja përfundimtare për konservatorët nga National Geographic është kjo: “Megjithatë, është e qartë se organizata të financuara pjesërisht prej industrive e karburanteve janë përpjekur të pengojnë publikun të kuptojë konsensusin shkencor duke promovuar disa skeptikë”. Kështu, kushdo që guxon të vërë në dyshim teologjinë e ndryshimit klimaterik akuzohet se ka marrë ryshfet nga industritë ndotëse në mjedis, kurse brigadat kërkimore për ndryshimet klimaterike janë të bardha si bora. Vërtetë?
Në 2010, Climate Depot identifikoi më shumë se 1000 shkencëtarë ndërkombëtarë që vënë në dyshim shkencën e ngrohjes globale. A janë 1000 shkencëtarë “vetëm disa”, dhe a janë të gjithë ata të blerë nga industritë ndotëse në mjedis?
S’ka dyshim që industria i financon disa nga këta skeptikë, por është gjithashtu e vërtetë që qeveria e SHBA dhe fondacione private po financojnë miliarda dollarë – presidenti do që të financojë 8 miliardë këtë vit – në kërkime për ndryshimet klimaterike. Rruga më e mirë për të mos u financuar dhe pa u vënë re është të arrish në konkluzionin se nuk ka ngrohje globale. A do ta financonte dikush kompleksin e gjelbër industrial, nëse nuk do të besohej që temperaturat e tokës janë në rrugën e ngrohjes ose ftohjes katastrofike?
Ajo që është më fyese dhe zhgënjyese në lidhje me National Geographic është se kjo revistë, e cila pretendon të jetë shkencore, arrin në përfundimin se nuk ka vend për debat lidhur me ndryshimet klimaterike – pikë, argument i mbyllur. Ky argumenti i “shkencës së përcaktuar” nuk synon të çojë përpara kërkimet shkencore, por t’u japë fund atyre. Për çfarë ka frikë e majta që kërkon të zhdukë debatin dhe të sulmojë gjithë ata që vënë në dyshim konsensusin? Dikur liberalët besonin se “autoriteti duhej vënë në dyshim”. Tani ata këmbëngulin një aleancë universale për çdo dije konvencionale.
Një leksion nga historia është se e vërteta shkencore është viktima e parë e kryqëzatave ideologjike si ndryshimi klimaterik. Nuk jam në gjendje të them nëse ndodh apo jo, por si gjysma e amerikanëve, unë jam kundër shkencës së përcaktuar, qoftë dhe vetëm për qasjen staliniste që urdhëron çdonjërin të besojë. Këtu shikojmë përsëri mungesën e tolerancës së të majtës, e cila nuk pranon të tolerojë një opinion pakice. Duke i etiketuar skeptikët si të lajthitur, kukulla të industrisë dhe ideologë të republikanëve të djathtë, National Geographic nuk po e çon shkencën përpara – por abuzon me të. Për turp.