Lamar Smith
Wall Street Journal
“Sot, planeti ynë përballet me sfida të reja, por asnjëra nuk paraqet kërcënim më të madh për brezat e ardhshëm sesa ndryshimet klimatike,” shkroi presidenti Obama në proklamatën për Ditën e Tokës të mërkurën. “Si komb, duhet të veprojmë para se të jetë vonë.”
Sekretari i Shtetit John Kerry, në një artikull në USA Today për Ditën e Tokës, deklaroi se ndryshimet klimatike e kanë futur Amerikën “në një rrugë të rrezikshme – bashkë me pjesën tjetër të botës.”
Të dy, presidenti dhe zoti Kerry përmendën rritjen e shpejtë të temperaturave dhe stuhitë të e fuqishme të shkaktuara nga ndryshimet klimatike si arsye për veprim urgjent.
Duke parë që gjatë një dekade e gjysmë rritja e temperaturave globale ka qenë e pallogaritshme, dhe që skenari i përkeqësimit të stuhive është diskredituar, artikulimi nga administrata e Obamës tingëllon më shumë si taktikë frikësuese sesa deklarata të bazuara në fakte.
Studiuesi i rëndësishëm për klimën në Kombet e Bashkuara, Rajendra Pachauri, e pranoi – sado tërthorazi – natyrën me bazë religjioze të retorikës së ndryshimeve klimatike, kur dha dorëheqjen në muajin shkurt mes një skandali. Në një letër lamtumire, ai tha se “mbrojtja e planetit Tokë, mbijetesa e gjithë specieve dhe ruajtja e ekosistemit është më shumë se një mision: Është feja dhe dharma ime.”
Në vend që të lëmë ideologjinë dhe “fenë” klimatike të udhëheqë politikat e qeverisë, ne duhet të fokusohemi te shkenca cilësore. Vetëm faktet duhet të përcaktojnë se cilin opsion duhet të marrë parasysh qeveria për ndryshimet klimatike. Ja çfarë kërkon metoda shkencore: hetime bazuar në evidencë të matshme. Fatkeqësisht, planet klimatike të qeverisë nuk e marrin parasysh shkencën cilësore, me qëllim se duan të avancojnë një agjendë politike.
Raportet klimatike nga OKB – të cilat administrata e Obamës i përqafon vazhdimisht – janë projektuar të ofrojnë maskë shkencore për një agjendë politike të paramenduar. Kjo nuk është shkencë cilësore. Christiana Figueres, zyrtarja e OKB që udhëheq përpjekjet për të arritur një marrëveshje të re ndërkombëtare për klimën në Paris nga fundi këtij viti, u tha gazetarëve shkurt se qëllimi i vërtetë është “të ndryshojmë modelin ekonomik të zhvillimit që ka sunduar për të paktën 150 vjet.” Me pak fjalë, një nga objektivat kryesorë të këtyre negociatave është rishpërndarja e pasurisë mes kombeve. Është dukshme që presidenti Obama e përkrah këtë vizion.
Administrata e Obamës dorëzoi planin e tij kohët e fundit te Konventa Ligjore për Ndryshimet Klimatike e OKB. Ky plan e detyron SHBA të reduktojë gazin karbonik më shumë 25 për qind deri më 2025, dhe gazrat e prodhuara nga ekonomia me 80 për qind deri më 2050. Planit të presidentit i mungojnë detajet se mund të arrihen këto objektiva pa rënduar ekonominë, dhe nuk i cilëson përfitimet specifike klimatike që lidhen me këtë plan.
Amerika nuk do t’i përmbushë kurrë objektivat arbitrare të presidentit pa e detyruar vendin t’u nënshtrohet rregullimeve ligjore të kushtueshme, racionimit të energjisë dhe uljes së rritjes ekonomike. Këto politika nuk do ta bëjnë Amerikën më të fortë. Dhe këto masa nuk do të kenë ndikim në temperaturat globale. Në mbledhjen e javës së kaluar të Komisionit të Kongresit për Shkencën, Hapësirën dhe Teknologjinë, që unë e drejtoj, studiuesja e klimës Judith Currytestified tha se plani i presidentit i dorëzuar në OKB do të parandalojë rritjen e temperaturës vetëm me 0.03 gradë celsius. Kjo është sa 3 të qindtat e një grade.
Në korrik 2014, ish-ndihmës sekretari për Energjinë, Charles McConnell, deklaroi para komisionit se Plani i Energjisë së Pastër i presidentit – që kërkon që çdo shtet të përmbushë objektivat në reduktimin e emisioneve të karbonit – do ta ulte ngritjen e nivelit të deteve më pak se gjysma e trashësisë së një monedhe. Politika të tilla vetëm sa do të zmadhojnë qeverinë dhe do të varfërojnë amerikanët, pa asnjë përfitim mjedisor.
Raporti Klimatik i Shtëpisë së Bardhë nënkupton që moti ekstrem po përkeqësohet për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu. Presidenti e shfaq rregullisht këtë pretendim të pabazuar – më së fundi në proklamatën e Ditës së Tokës, ku flet “për katastrofa moti më të egra.”
As OKB nuk është dakord me të në këtë pikë: Në Raportin Special për Ngjarjet Ekstreme, të vitit 2012, Paneli Ndërqeveritar i Ndryshimeve Klimatike të OKB thotë se ka “mirëkuptim të gjerë” mes studiuesve kryesorë që prirja afatgjatë e katastrofave natyrore nuk është pasojë e ndryshimit klimatik të shkaktuar nga njeriu. Pse presidenti dhe të tjerë në qeverinë e tij vazhdojnë të këmbëngulin te ky pretendim i pavërtetë?
Alarmistët klimatikë nuk kanë shpjeguar dot mungesën e rritjes së ngrohjes globale në 15 vitet e fundit. Ata thjesht vazhdojnë të ndryshojnë modelet e tyre klimatike që funksionojnë keq për ta shtyrë katastrofën e mundshme më tej në të ardhmen. Pas raportit të OKB më 2008, me pretendime për shkrirjen e akujve në Himalaje, rezultuan të vërteta pretendimet për rritjen e nivelit të deteve dhe rënien e prodhimeve bujqësore. Këshilli Ndërakademik, një organizatë shkencore multinacionale, deklaroi për raportin e vitit 2010 se kishte identifikuar “mangësi të mëdha në çdo hap të procesit të vlerësimit [nga OKB]”.
Procesi i OKB është projektuar të prodhojë rezultate alarmante. Shumë njerëz nuk e dinë që dokumentet e OKB të reklamuara më shumë nuk janë shkruar nga shkencëtarë. Në fakt, puna shkencore është detyruar të tërhiqet mënjanë për të lejuar përfaqësuesit politikë fanatikë të zhvillojnë “Përmbledhje për Politikëbërësit.” “Përmbledhja” është e kompozuar t’u japë gazetave në gjithë botën njërën anë të debatit.
Ndërkohë, atyre që ngrenë pyetje të vlefshme rreth paqartësive reale që rrethojnë njohjen e ndryshimeve klimatike u vihen në dyshim motivet, u goditet reputacioni dhe u kërcënohet jetesa. Kjo ndodh edhe pse kundërshtimi i ideve sunduese me debat të hapur dhe mendim kritik janë themelore për procesin shkencor.
Pandershmëria intelektuale e zyrtarëve të lartë të qeverisë, të cilët nuk janë të gatshëm të pranojnë gabimet kur e kanë gabim, është e çuditshme. Kur vlerësojmë ndryshimet klimatike, ne duhet të përqendrohemi te shkenca cilësore, dhe jo te shkenca politikisht korrekte.