Jack Kelly
Real Clear Politics
E fejuara ime që të vendosnim kurorë para një rabini, një mik i familjes. Ai nuk pranoi – sepse e kisha bërë të qartë që nuk do ta ndërroja fenë; fëmijët tanë do të pagëzoheshin.
E admirova për këtë. Rabini do të kishte bërë thuajse gjithçka për të fejuarën time – përveç kësaj. Ai e merrte me seriozitet besimin dhe zyrën e tij. Nëse do të kishte bërë celebrimin tonë, ai do të ishte tallur me të dyja.
Nuk mendoj se preferenca seksuale e një personi ka lidhje me karakterin e dikujt – ose nuk është puna ime kjo.
Unë i respektoj homoseksualët në marrëdhënie monogame, afatgjata. Ata duhet të kenë mbrojtje ligjore sikur të ishin të martuar. Por jam kundër martesave homoseksuale, sepse Zoti tha martesa lidhet mes një burri dhe një gruaje, dhe unë i besoj fjalës së tij.
Presidenti Barack Obama e krahasoi “luftën” për martesat homoseksuale me luftën për drejtat civile në fjalimin e tij muajin e kaluar në 50-vjetorin e marshimit në Selma (Alabama).
Marshuesit 50 vjet më parë kërkuan të drejtën të votonin, t’u shërbehej në restorante, të lejoheshin në hotele, tha peshkopi E. W. Jackson, i cili është me ngjyrë. Është “pandershmëri intelektuale” t’i krahasosh ata me njerëz të cilët duan t’u njihet sjellja e tyre seksuale si “një lloj e drejte civile”, tha ai.
Bibla e bën të qartë çfarë mendon Zoti për homoseksualitetin. Nuk ka arsye për heteroseksualët të ndihen superiorë, sepse Zoti nuk mendon më pozitivisht për tradhtinë bashkëshortore dhe seksin para martesës. Unë s’kam kryer kurrë tradhtie bashkëshortore, por kam kryer seks para martesës. Ne kemi nevojë më shumë për mëshirën e Zotit, sesa pr drejtësinë e tij.
Homoseksualët kanë vuajtur në të shkuarën. Kjo ishte sjellje jo e krishterë. Ne duhet të urrejmë mëkatin, por të duam mëkatarin, tha Krishti.
Por homoseksualëve nuk u është mohuar kurrë e drejta të votojnë ose barazia në shërbimet publike.
“Homoseksualët nuk janë qëlluar me pishtarë zjarri ose nuk u janë lëshuar qentë,” tha hirësia e tij William Owens nga Koalicioni i Priftërinjve Afrikano-amerikanë. “Ata nuk janë varur në pemë, ose nuk u janë mohuar të drejtat bazike.”
“Zilia e Selmas” është shkaku kryesor pse disa nga shokët e tij përkrahin martesën e homoseksualëve, shkroi Hans Fiene, një prift luterian në Ilinois.
“Brezi im gjakonte për një kauzë që do të na bënte po aq të drejtë sa dhe shenjtorët që marshuan në Selma,” tha ai. “Ne e kemi gjetur atë kauzë. Nuk e kemi çarë kokën në ishte apo jo reale.”
Shumë nga ata që marshuan për drejtat civile në vitet 1960 u rrahën ose u burgosën. Disa u vranë. Por përkrahja për martesat homoseksuale u bë më e fortë nga të pasurit dhe të pushtetshmit.
Të vetmit amerikanë, të drejtat civile të të cilëve janë rrezik, janë besimtarët që ndëshkohen pse nuk pranojnë të marrin pjesë në një ritual që bie ndesh me besimin e tyre.
Ka qenë një lundrim i qetë për avokatët të drejtave të homoseksualëve kryesisht për shkak se besimtarët e krishterë dhe çifutë nuk duan të kufizojnë të drejtat civile të homoseksualëve. Lehtësia e lundrimit po i kalon caqet.
“Ne e kemi parë si kërkesat e buta kanë përparuar nga toleranca te pranimi i detyruar i sjelljes historikisht të përjashtuar si në kundërshtim me moralin dhe besimin thuajse nga gjithë traditat fetare të mëdha në botë,” shkroi Robert George, lektor i ligjeve kushtetuese në Princeton. “E tani nuk kërkohet vetëm pranimi, por pjesëmarrja aktive.”
“Udhëheqësit e kishës duhet të heqin homoseksualitetin nga lista e mëkateve,” i tha filantropisti homoseksual Mitchell Gold gazetarit të New York Times Frank Bruni.
Kjo nuk do të ndodhë. Besimtarët nuk do të dorëzohen kurrë, tha Yuval Levin, sepse “liria fetare nuk është liria të bësh çfarë të duash, por liria të bësh atë që duhet.”
“Nëse të majtët përpiqen të cenojnë lirinë e dhjetëra milionë amerikanëve, duhet të presin një qëndresë të gjatë e të frotë,” shkroi David French nga Qendra Amerikane për Ligj dhe Drejtësi.
Një shumicë e madhe është kundër ndëshkimit të qytetarëve për mospranim të marrin pjesë në martesa homoseksuale. Besimtarët në fund do të fitojnë, parashikon zoti French.
Jam dakord. Unë kam qenë një i krishterë jo besnik. Nuk di nëse do të kisha kurajë të vdisja për fenë time, si kaq shumë vetë në Lindjen e Mesme. Por nuk do të frikësohem nga e majta shekullare.