Më shumë se 200 vjet më parë Napoleoni, ushtari korsikan i graduar në perandor francez, me një të rënë lapsi (dhe shpate), legalizoi incestin duke e konsideruar ndalimin e tij si një tabu të vjetër fetare. Në 1968, një vit i paharrueshëm (sidomos për studentët konviktorë), studentët meshkuj francezë ngrihen në protesta ndaj autoriteteve që nuk i lejonin të flinin (dhe kryenin marrëdhënie seksuale natyrisht) në konviktet e femrave. Ashtu si kodi ligjor i Napoleonit edhe lëvizja ”seksuale” studentore e ’68 do të provokonte ortek pas orteku në shoqëritë plot tabu seksuale evropiane.
Një vend i prekur në veçanti nga ’68-a ishte Gjermania (perëndimore), në të cilën një vit më vonë, do të dekriminalizoheshin, me një anullim ligjor në parlament, dy vepra të konsideruara deri atëherë penale: homoseksualliteti dhe zoofilia (seksi me kafshët). Në Gjermaninë lindore tabutë mbetën ligjërisht vepra penale deri në rënien e murit të Berlinit, në linjë me legjislacionin sovjetik. Ndërkohë, në manualin ndëkombëtar të klasifikimit të sëmundjeve (ICD) të dyja këto dukuri do të konsideroheshin çrregullime psikiatrike deri në 1990. Zoofilia ende konsiderohet gjerësisht një çrregullim psikiatrik.
Në vitin 2013, një sondazh popullor i zbuloi qeverisë së Angela Merkel se populli (pak më shumë se 50{27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} e të anketuarve) ishte pro legalizimit të drogave dhe kundër seksit me kafshët. Meqë demokracia nuk njeh tabu kur bëhet fjalë për vullnetin e popullit, qeveria mori miratimin e parlamentit për kriminalizimin e zoofilisë.
Sipas Der Spiegel, pas më shumë se 40 vite liri pa tabu seksuale, një numër i konsiderueshëm shtetasish gjermanë – rreth 100,000 sipas Michael Kiok, kryetar i grupit të presionit pro zoofilisë (ZETA), i cili hodhi në gjyq qeverinë gjermane (dhe humbi) – do të dënohen penalisht për shkak të sjelljeve seksuale me kafshët (nëse kapen).
Ndërkohë, sipas The Independent, shoqatat e mbrojtjes së kafshëve në Danimarkë ngritën alarmin për arsye se vendi i tyre po kthehej në mënyrë të rrufeshme në destinacion të turizmit seksual me kafshët, për shkak se ligji danez ende lejon zoofilinë. Danimarka është vendi i fundit europian (vërtet demokratik) në të cilin votat popullore nuk janë mbledhur dot ende për ta bërë seksin me kafshët një krim. Ndërkohë vrasja dhe rrjepja pubikisht e Gjirafave në sy të fëmijëve në kopshtet zoologjike, thjesht sepse “zënë vend”, nuk duket të ketë nxitur ndonjë nismë ligjore.
Shumica e njerëzve që duan kafshët ndoshta janë tmerruar kur kanë dëgjuar apo lexuar kohët e fundit se, shumica e vendeve evropiane të përparuara e demokratike, e kanë pas legalizuar me kohë seksin me kafshët. Si është e mundur që një vepër e klasifikuar ende si çrregullim psikiatrik të konsiderohet legale? Pse u kujtuan vetëm tani ti japin fund kësaj marrëzie “kafshërore”?
Apo mos ndoshta po nxitohen të gjithë ata që gjykojnë zoofilët? Edhe homoseksualiteti konsiderohej një çrregullim psikiatrik apo vepër penale deri para ca kohësh – tani është dekriminalizuar dhe “normalizuar” në shumicën e shoqërive demokratike evropiane.
Sipas një eksperteje mbi zoofilinë, psikologes dhe seksologes izraelite Hani Miletski (aktualisht me banim në SHBA), kemi të bëjmë me një identitet seksual – këta persona, jo vetëm nuk përjetojnë stres nga ky orientim seksual, por madje disa do dëshironin edhe të martoheshin me kafshët e tyre partnere.
Sido që të shkojë kjo punë, paradokset duket se do të vazhdojnë të shoqërojnë mendimin dhe demokracitë europiane. Nëse një parlament e legalizon seksin me kafshët në 1969 dhe një tjetër, e kriminalizon pas 40 vjetësh, nuk duhet të shqetësohemi. Më tepër rëndësi ka vazhdimësia e axhendave që turbullojnë mendjet e njerëzve sesa shëndeti mendor (por edhe fizik) i ca njerëzve dhe kafshëve evropiane. E këtu duhet thënë se, për ne shqiptarët, mbi të gjitha, ka rëndësi të mos e ndalim hapin në imitimin e verbër të çdo marrëzie që ndodh në vende të ndryshme europiane dhe të vazhdojmë me vendosmëri, të marrim si model gjithmonë pjesën më të budallepsur të Europës, duke refuzuar me këmbëngulje atë që është më e shëndetshme e që na përshtatet më shumë.