Fakte të reja zbardhin se protesta e opozitës më 8 Dhjetor ka qenë një grusht shteti. Shërbime jo dhe aq sekrete, por plotësisht inteligjente bëjnë të ditur për Foxy Lady News se opozita ka pasur një plan të detajuar e të menduar me mjaft hollësi për rrëzimin e qeverisë. Plani ka konsistuar në përdorimin e lëndëve kutërbuese që ndotin ambientin, si urina. Duke urinuar masivisht në derë të shtetit, opozita ka dashur ta përzejë qeverinë nëpërmjet aromës së krijuar, ose të rrënojë themelet e godinave shtetërore nëpërmjet aciditetit të lartë të përqendruar në to. Protestuesit ishin përgatitur duke pirë birra, të ofruara falas para protestës nga selia e SHQUP-it. Tymi i hedhur në dyert e Kryeministrisë ka qenë vetëm për të mbuluar gjurmët, ndërsa dhuna çnjerëzore e ushtruar mbi soletën e betonit të një bunkeri të pafajshëm artistik ka qenë vetëm një mjet për të tërhequr vëmendjen, për t’i mbuluar krahët skuadrës urinare.
Ky plan rezulton risi e opozitës, e cila ka dashur të godasë pushtetin në pikën e vet më të fortë: luftën kundër zhulit dhe shëmtisë. Prej kohësh qeveria ka nisur një revolucion higjeno-estetik, duke krijuar projekte e institucione, sidomos për luftën kundër urinës. Për këtë Bashkia e Tiranës ka ngritur një institucion të ri policor (Policia Urinare), ndërkohë që qeveria ka shpenzuar miliona euro në llogari të Drejtoreshës së Institutit të Higjenës, për të bërë analiza të specializuara të urinës për mbarë qytetarët e vendit. Duket se shteti ka qenë në dijeni të kësaj strategjie, pasi disa ditë më parë Bashkia e Tiranës është pajisur me armë antishurrë e cila ia kthen mbrapsht urinuesit lëndën helmuese të zbrazur nga fshikëza.
Opozita ka synuar të organizojë një kundërevolucion urinar, duke sulmuar me amoniak. Por, plani ka dështuar në saj të vigjilencës së treguar nga një koordinim i mirë i punëve ndërmjet shërbimeve inteligjente nga Instituti i Higjenës dhe policisë urinare të Bashkisë së Tiranës. Operacioni i koduar “verdhëza” ka dekonspiruar gjithçka duke kapur me “pras” në duar plot 84 rebelë, teksa po zbraznin lëndën e tyre helmuese pranë godinave qeveritare. Operacioni është vënë në veprim duke denoncuar dhe gjobitur opozitën mbi veprimtarinë armiqësore të saj. Instituti i higjenës ka gati kampionet nga urina e rebelëve, të cilat do t’i vërë në dispozicion të mediave për të dëshmuar destruktivitetin e kësaj opozite.
Nga ana e tij, kryetari Basha ka pohuar dje se nuk do të tërhiqet nga qëllimet e tij dhe se ky është vetëm fillimi. Ai ka ironizuar gjobat e bashkisë duke u shprehur se “Bashkisë do i çojmë një kastravec 163 milimetra”. Ka zëra që thonë se me këtë Basha ka dashur të tregojë se në betejën e tij opozita ka gati instrumente të tjera urinare shumë herë më të sofistikuar dhe me fuqi shumë herë më të madhe shkatërruese. Përgjigjia e Veliajt, se “Basha, kastravec hyri në bashki dhe ashtu doli”, është një shenjë që Bashkia është e përgatitur për luftën me trangujt, aq më tepër kur kryetari i ri vjen nga një eksperiencë e rëndësishme nga tregu i fruta-perimeve. Ditët në vazhdim pritet të sjellin zhvillime të reja në këtë betejë aromatike, vendimtare për të ardhmen e vendit.