Të jesh i famshëm nuk është më një ëndërr e paarritshme. Mund të jesh njeri i thjeshtë e i panjohur, por fati është gjithmonë kreativ dhe, ashtu krejt pa pritur e pa mendje, mund ta shohësh foton tënde nëpër të gjitha gazetat e vendit. Ky fat iu ka takuar tre qytetarëve në kryeqytet, të cilët janë bërë objekt lajmi nëpër shumicën e gazetave me fotot e tyre gjatë një procesi të zbrazjes së fshikëzës në kushte rrethanore. Të painformuar se Bashkia ka vendosur disa kolibe rreth e rrotull qendrës për këtë punë, ata kanë zbritur të mbarojnë punë poshtë urës së Bllokut, por aty janë fotografuar nga policia bashkiake, e cila më pas, nëpërmjet një sistemi wireless, ia ka shpërndarë fotot shtypit.
Kryetari i Bashkisë ka deklaruar ditë më parë se kjo do të ndodhë me të gjithë ata që urinojnë poshtë urës. Fytyrat e tyre do të bëhen publike, dhe për këtë Policia e Paparacëve Bashkiakë, një sektor i veçantë i ngritur posaçërisht për këtë punë, do të jetë në gatishmëri 24 orë. Bashkia ka vendosur edhe një tarifë simbolike prej 5 mijë lekësh të reja, kundrejt këtij shërbimi. Mesa duket, ndryshe nga efektivët e Policisë së Shtetit që rekrutohen në bazë të aftësisë për të korrur arat, këta të bashkisë do të përzgjidhen mbi bazë të aftësive në artin e fotografisë. Përveç policëve-kosëtarë që korrin kanabis, tashmë do të kemi edhe policë-fotografë, dhe kjo është një risi e aplikuar nga kryebashkiaku i çudirave që arrin të befasojë çdo ditë qytetarët me shpikje të lloj-llojshme.
Kjo do të thotë se priten përmirësime të ndjeshme në jetën artistike të kryeqytetit. Artet pamore pritet të kenë zhvillime mbresëlënëse nga spektakli që do të vijë nga bashkëpunimi i kësaj policie me qytetarët. Duhet nënvizuar se kjo nuk është diçka krejt e re. Ka një lidhje të hershme midis artit modern dhe elementit kimik që përftohet nga mbetjet e ofganike të lëngëta që shkarkohen nëpërmjet zorrës së hollë. Epoka postmoderne në artet pamore mendohet se nis me ekspozimin e të urinuarit në galeri nga Marcel Duchamp. Vetë kryetari Rama, që vjen nga bota e artit, ka organizuar më parë bienalen e Tiranës, në qendër të së cilës u vu performanca e një artisti të huaj duke urinuar në sallën e galerisë përpara publikut, teksa qendronte i zhveshur nudo dhe pohonte me zë: “jam shatërvan”. Jo vetëm kaq, por Rama është bërë edhe vetë pozues i një procesi urinimi në të thatë, me fotot e tij nudo në plazh nën diçiturën: fajin e ka ujësjellësi.
Shumë qytetarë janë shprehur të pakënaqur ndaj kësaj nisme, duke e konsideruar të lartë çmimin e vendosur për fotot. Sipas tyre Bashkia e bën këtë për të mbushur buxhetin e jo për të ndihmuar qytetarët të bëhen të famshëm. Shumë prej tyre ankohen madje se shërbimi nuk është i mirë, sepse fotot bëhen përgjithësisht pa kujdes, duke mos i lënë mundësi modelit të rregullohet e të marrë pozën e duhur për të dalë sa më mirë. Mirëpo drejtues të Bashkisë thonë se kjo nuk është e vërtetë. Bilbil Çiço, trajnues në kursin e fotoreporterëve në Policinë Bashkiake, pohon se ky projekt ka ardhur për shkak se Bashkia ka menduar t’iu gjendet pranë qytetarëve në nevojat e tyre. Ai thotë se çmimi nuk është aspak i lartë, duke pasur para sysh që bëhet fjalë për pesë copë fotografi, plus publikimin e tyre në shtypin e përditshëm.
Seti fotografik do të përmbajë katër momente kyçe gjatë një akti të tillë sublim në jetën e çdo njeriu. Fotoja e parë do të paraqesë urinuesin në momentin e tij më të rëndësishëm, kur personi është në kulmin e ekstazës orgazmike që të fal urinimi i shtyrë në kohë. Fotoja e dytë përmban një moment mjaft simbolik e domethënës, atë kur urinuesi është duke mbërthyer zinxhirin e pantallonave. Fotoja e tretë do të jetë një foto bust, në mënyrë që urinuesi të paraqesë të plotë portretin e tij, për t’u identifikuar qartësisht. Ndërsa fotoja e katërt do të përmbajë faturën e shërbimit të ofruar nga bashkia, si një gjest transparence që ky institucion ka në marrëdhënie me qytetarët.
Për të apasionuarit pas pornografisë, Bashkia pritet të çelë një seksion të veçantë në faqen e saj zyrtare me shënimin + 18, ku do të ekspozohet fotoja e pestë e gjithësecilit, me instrumentin përkatës në duar, gjatë procesit intim të shkarkimit të lëndëve fluide. Ky është gjithashtu një lajm i mirë për gazetarinë shqiptare, e cila do të ketë mundësi të thyejë rutinën e fotove të mërzitshme, me celulit VIP-ash nëpër plazhe. Bashkia do t’u mundësojë mediave të pasurojnë fotogaleritë e tyre, me materiale nga më tërheqëset për syrin e një publiku të kultivuar në komunikimin përmes imazhit.