Pas tre javësh qendrimi në Norvegji, mora vesh rastësisht se ndërkohë vendi ishte në kohë zgjedhjesh. Këtë e mësova në një qendër tregtare, ku, në hyrje ishte vendosur një stendë, në të cilën simpantizantët e partisë laburiste në pushtet u dhuronin kalimtarëve broshura informative bashkë me një trëndafil të kuq, simboli i kësaj partie.
U çudita sesi nuk kisha mundur ta vërej këtë më parë. Mosnjohja e gjuhës, natyrisht ishte një pengesë, por sidoqoftë, asgjë nuk të tërhiqte vëmendjen për të treguar se ka diçka ndryshe. Asnjë organizim manifestiv, asnjë shfaqje elektorale, asnjë miting, asnjë banderolë, flamuj, fishekzjarre, militantë… Fushata norvegjeze më dukej diçka krejt e ftohtë dhe thuajse pa asnjë ndryshim nga çdo ditë e zakonshme.
Fushatë e heshtur
Në Gjøvik, qytetin ku po qendroja nuk kishte thuajse asnjë shenjë që të tregonte se atë javë do të zhvilloheshin zgjedhjet elektorale. Vetëm në Oslo, mund të ndeshje ndokund ndonjë ekran reklamash që, së bashku me produkte të ndryshme marketingu, shfaqte herë pas here edhe ndonjë ndonjë portret politikani në foto, nëshkruar me mesazhet përkatëse për votuesit. Edhe debatet televizive ishin të rralla dhe, akoma edhe më të rralla spotet publicitare. Këto të fundit madje, siç mësova më vonë, deri para katër vitesh (zgjedhjet e kaluara), kanë qenë të ndaluara fare në televizione. Sipas kodit elektoral të mëparshëm, televizionet mund të transmetonin debate, intervista, por jo spote elektorale.
Kur sjell ndërmend tërë histerinë shqiptare të militantizmit që shpërthen në çdo metër katror të hapësirës publike, boritë e makinave, brohoritjet, mitingjet e sforcuara e trukuara për t’u dukur sa më madhështorë, retorikën agresive dhe krekosjet fodulle të politikanëve… të duket sikur ke zbritur në një planet tjetër. Ngazëllimi elektoral shqiptar mund të jetë një shpjegues i mirë për të kuptuar arsyet pse (siç të paktën kemi dëshirë të besojmë) raca ilire ka prodhuar aq shumë figura historike që kanë drejtuar perandoritë, ndryshe nga vikingët që nuk kanë ditur të përfitojnë sa duhet nga pushtimet e tyre. Këtu gara të duket si një ndeshje futbolli miqësore midis artistëve dhe gazetarëve. Asgjë për t’u shënuar. E në fakt, pikërisht kjo është një mbresë që vërtetë vlen të shënohet.
E tillë ishte edhe dita e zgjedhjeve. Nëse nuk do ta dije këtë fakt nuk do të mund ta kuptoje kurrë. Mungonin krejtësisht rradhat nëpër qendrat e votimit, policët, mediat e militantët të mbledhur rreth tyre, e natyrisht as që bëhet fjalë për bandat e kandidatëve që «ruajnë» procesin nga kthetrat e kundërshtarit, duke përhapur kudo atmosferë tensioni. Egërsia e fytyrave të mvrenjtura të nizamëve rekrutë të kandidatëve për deputetë, që shpërndajnë përreth armiqësi, nuk duket gjëkundi dhe as që perceptohen nga vendasit këtu.
Interesante ish se, dita e votimit ishte e hënë, ditë pune. Së pari këtu nuk është nevoja që zgjedhjet të mbahen në ditë pushimi, sepse ato nuk paralizojnë çdo aktivitet publik siç ndodh në Ballkanin tonë të nxehtë, dhe së dyti, norvegjezët nuk mund të sakrifikojnë fundjavat e tyre, për t’u dhënë votën politikanëve.
Votimi bëhet duke paraqitur një fletë që përmban identitetin e votuesit dhe qendrën ku ai duhet të votojë, e cila i vinte çdo qytetari me postë në shtëpi. Përveç kësaj, për të gjithë ata që nuk kishin mundësi apo nge të votonin ditën e caktuar, mund ta bënin këtë disa ditë më parë, kur mund t’u vinte më përshtat. Për këtë, ishin hapur disa qendra që qendronin prej më shumë se një jave në pritje të votuesve të parakohshëm. Në një të tillë, të ngritur në qendrën tregtare më të madhe të qytetit, dy vajza të reja, me nga një kompjuter mbi tavolinë ku mund të gjenin emrin e çdo votuesi në listë, qendronin të gatshme për t’u shërbyer qytetarëve në çdo moment të ditës. Fleta e votimit, ruhej në kutitë përkatëse për t’iu bashkangjitur më pas kutive të përgjithshme të datës së zgjedhjeve.
Dy miqte e mi, Edi dhe Nora, një çift shqiptarësh nga Kosova që jetojnë prej 23 vitesh në Norvegji dhe tashmë gëzojnë statusin e shtetasit në këtë vend, më treguan se norvegjezët nuk kanë ndonjë ekzaltim për politikën dhe se, përgjithsësisht ndryshimet midis partive janë fare të vogla. Gjërat shkojnë mirë dhe nuk ka arsye për të shpresuar diçka të re. Siç më shpjegoi Edi, përgjithsësisht forcat politike nuk bëjnë premtime të mëdha sepse norvegjezët nuk e kanë qef këtë. Gjithçka që ata duan prej kandiduesve është racionaliteti dhe serioziteti në atë çfarë i paraqesin publikut. Në këtë mënyrë, partitë garuese thjesht paraqesin programet, të cilat mbetet në disa terma ekonomikë që kanë të bëjnë me nivelin e taksave dhe përdorimin e parave të buxhetit, projektet për mbrojtjen e mjedisit (megjithëse nuk pashë askund ndonjë ndotje) apo me zgjidhjen e një sërë problemeve sociale si psh. ato të emigrantëve etj. Kushdo që do të hynte në fushatë duke premtuar vepra të mëdha, ndryshime rrënjësore nuk do të fitonte asgjë.
Vërtetë, nuk ka arsye për të premtuar ndryshime, në një vend ku gjërat ecin mbroth, ku ka një rritje ekonomike që e ka vendosur shtetin në vështirësi për të gjetur mënyra sesi t’i shpenzojë paratë e ku t’i investojë ato. Por nuk është vetëm kaq. Ata janë një popull skeptik, jo thjesht ndaj politikës, por në përgjithësi ndaj ndryshimeve të mëdha dhe kjo i bën që të ecin me ritme të shpejta, por të matura. Fundja përse të ndryshosh kur gjërat ecin mirë?!
Mirëqenie për të gjithë
Në fakt, si një ballkanas i pandreqshëm, më irriton indiferenca e tyre, ndaj një shteti që, ndonëse i ka bërë të jetojnë kaq mirë, i vjedh çdo ditë me politikat fiskale. Shteti norvegjez të mbyt në taksa, të cilat, vetëm në tatimin mbi të ardhurat shkojnë në 36-40 përqind. Po të llogarisësh edhe TVSH-në, e një mori taksash të tjera si ato vendore, ambjentale, rrugore etj. rezulton që ky shtet të jetë biznesi me marzhin më të lartë të fitimit në botë. Bie fjala, për të mbajtur një makinë familjare, qytetarit i duhet ta paguajë disa fish. Çmimi i një autoveture është gati dyfish më i lartë nga i me të cilin e njëjta makinë shitet, p.sh. në Gjermani. Kjo vjen pikërisht për shkak të taksave që qytetarit i duhet të paguajë për ta sjellë atë në Norvegji. Përveç kësaj, atij i duhet të paguajë taksë për mbajtjen e makinës, taksë për ndotjen, taksë për rrjetin rrugor (tarifat e të cilave, si në çdo gjë, jane goxha të rënda), e si të kenë mos mjaftojnë këto, do të paguajë përsëri për çdo përdorim të rrugëve nacionale, të cilat kanë nga një psotobllok në hyrje dhe në dalje. Për të mos folur pastaj për gjobat, mjaft të rralla në një vend ku ligji respektohet masivisht, por aq të majme sa mos të të shkojë mendja kurrë të ngasësh në kundërvajtje. Një mik tjetër nga Kosova kish paguar njëherë një gjobë prej 800 euro, vetëm për tejkalim shpejtësie.
Gjithashtu një breshëri taksash të tjera paguhen për çdo gjë në përdorim. Koncepti i pronës private këtu është disi ndryshe nga ai me të cilin jemi mësuar dhe të duket se prona nuk është e jotja. Bie fjala, shteti këtu nuk të lë të banosh në një shtëpi jashtë normave të termoizolimit të përcaktuara me ligj. Nëse shtëpia vjetërohet dhe bie nën standardin e kërkuar, autoritetet lokale, të cilat kryejnë kontrolle të rregullta njëherë në disa vjet, të detyrojnë ta riparosh atë.
Të gjitha këto, bëjnë që, megjithëse të ardhurat janë si askund tjetër, shpenzimet të jenë gjithashtu marramendëse. Rroga minimale e parashikuar me ligj është jo më pak se 2300 euro, të cilën e merr punëtori më i fundit i piramidës së strukturës së punësimit. Rrogat prej 5000-6000 euro janë krejtësisht normale, por një pjesë e madhe e tyre shkojnë për taksa, ndërkohë që çmimet janë si askund tjetër. Një udhëtim me autobuz nga Oslo në Gjøvik, një rrugë prej rreth 120 km, më kushtoi rreth 40 euro, ndërsa për një kafe, jo dhe aq të mirë e në mjedise jo aq luksoze sa ato që frekuentojmë disa herë në ditë në Tiranë, të kushton të paktën 5 euro.
Megjithatë norvegjezët ia dalin mirë. Mundësi punësimi ka boll dhe mënyra e tyre e jetesës, pa shpenzimet e qefit tonë të përditshëm ballkanik, iu mundëson që të ardhurat t’u dalin e t’u teprojnë. Për këtë arsye nuk duan ndryshim.
Në fakt, ky sistem mund të funksionojë vetëm në vende si Norvegjia. Mënyra e jetesës, natyra indiferente, ftohtësia, mos-shoqërizimi dhe natyrisht, respektimi i ligjit, së bashku me resurset e jashtëzakonshme natyrore, të favorizuara edhe nga një denduri shumë e ulët popullsie ku ka fare pak banorë e shumë tokë, bëjnë që gjithçka të funksionojë si sahat. Në kushte të tjera, Norvegjia do të ishte Ballkan.
Megjithatë natyrisht Norvegjia ka probleme të tjera, tepër të mëdha sigurisht, por të një natyre jopolitike dhe joekonomike. Duke qenë një popull i ftohtë, njerëzit nuk shoqërohen me njëri-tjetrin dhe nuk vizitojnë as të afërmit e tyre. Shtëpitë i kanë të bollshme, dhe ata shpenzojnë pjesën më të madhe të kohës brenda, gjë që i bën njerëz tmerrësisht të vetmuar. Rrugët janë bosh, sikur të jetë gjendje e jashtëzakonshme, gjë që i bën qytetet të duken të shkreta. Qytetet janë të vogla, me nga pak banorë dhe të heshtura, pasojë ndoshta e faktit që ky vend ka marrë zhvillim më vonë se të tjerët (pavarësisht se ua kaluar në ritme), duke kapërcyer kështu periudhën e urbanizimit, që ka krijuar në Europë qytetet e mëdha. Vetëm Oslo ka gjallëri me shëtitoren e saj të këndshme buzë detit e cila, edhe ajo, popullohet më shumë nga të huajt dhe ekstrakomunitarët.
Autoritetet shqetësohen për nivele të larta problemesh psikologjike, numër të lartë vetëvrasjesh, nivel të lartë të individëve narkomanë, përhapje të pedofilisë si dhe probleme me familjen. Martesa në Norvegji është standardizuar tashmë si diçka e përkoshme dhe është normale që shumica e popullsisë të ketë pasur disa të tilla gjatë jetës së vet. Siç e pohojnë vetë, për ta është normale që shumë familje të kenë tre lloj fëmijësh: fëmijët e burrit, të gruas dhe fëmijët e përbashkët. Të gjitha këto janë në mospërputhje me natyrën e një populli përgjithësisht familjar, që i do fëmijët dhe që pjesën më të madhe të kohës e kalon në shtëpi. Moderniteti, duket edhe më i fortë në një vend ku atomizmi shoqëror përputhet me natyrën asociale të shoqërisë, e aq më tepër ku e majta dhe liberalizmi shqetësohen më shumë për subvensionimin e operacioneve mjekësore të ndërrimit të gjinisë sesa për krizën në familje.
Një dukuri interesante që tregon shpesh dhe vanitetin e jetës, në një vend ku nuk ndodh thuajse asgjë, është edhe ajo e faktit që shumë njerëz u rikthehen trilleve të adoleshencës në moshë madhore. Vendasit tregojnë shumë historira me personazhe nga jeta e tyre, tek të cilët romantizmi shpërthen befas furishëm në moshë të pleqërisë. Po kështu, mund të vëresh shpesh rrugëve, grupe motoristësh, veshur krejtësisht me lëkurë, hipur nëpër motorë Harley Davidson, që ndërmarrin tripe udhëtimesh në grup kryq e tërthor Europës. Kur ndalojnë në ndonjë vend dhe heqin kasketat e motorëve, teksa ti pret të shohësh ndonjë gango flokëgjatë me mjekër ala ZZ TOP, të shfaqet befas një plak babaxhan 60-70 vjeç, zhubravitur tërësisht nga rrudhat moshës e shpupurisur nga leshërat e rrallë që u zbardhëllojnë mbi krye. Kjo dukuri është tashmë trend i përhapur i adoleshencës pleqërore këtyre anëve. Jeta e vërtetë në Norvegji nuk fillon 40 vjeç, por 60 e përmbi!
***
Në darkë, zgjedhjet mbaruan më së miri. Gjithçka ishte numëruar dhe procesi kish përfunduar me sukses. Rezultatet tregonin fitoren e së djathtës mbi të majtën në pushtet, duke i hapur rrugë bisedimeve për një koalicion të mundshëm qeveritar. Askund nuk u ndje ndonjë gjest revanshi dhe humbësit nuk dukeshin aspak të shpartalluar. Liderja e opozitës, Kryetarja e Partisë së Djathtë Erna Solberg, pasi falenderoi votuesit për besimin, nuk ngurroi njëkohësisht të falenderojë edhe qeverinë paraardhëse për sukseset e mëdha që kish arritur në menaxhimin e një realiteti kur e gjithë Europa ish në krizë. Fjala e saj aq e prëzemërt të vinte në dyshim nëse po fliste për rivalët apo për partinë e saj. Duke parë lajmet Edi u kujtua që kish harruar të shkonte për të votuar. Kish qenë i zënë me ca punë dhe nuk i kish rënë ndërmend. Kjo mu duk kaq e natyrshme, sa nuk do të isha habitur fare sikur të mësoja që edhe vetë zonja Solberg, kish harruar të votonte.
A pati manipulime? Këtë nuk e di, por e sigurtë është që nuk pati asnjë kontestim.
________________________
Fenix, shtator 2013