Doan Dani
Në një ndër sprovat më të arrira të tij, Face à l’extrême, Tzvetan Todorov-i sjell në vëmendje rëndësinë e memories, paralelisht me mëtimin e njeriut në thurjen e një koherence minimale ndërmjet të brendshmes e të jashtmes në situata ekstreme për mbijetesën (p.sh. përqendrimet në kampet naziste e sovjetike), si nevojë jetike për ruajtjen e identitetit të mohuar. Eksperiencat e shqyrtuara prej tij nxjerrin në pah «virtytet e përditshme» (sepse heroizmi në kontekste të tilla sjell dënim me vdekje), të shprehura me veprimet më të thjeshta, nga pastërtia trupore, fishkëllimi i një melodie, mosrreshtimi drejtë (si formë kundërshtimi), deri tek interesi për tjetrin apo refuzimi i një privilegji, të cilat në vogëlsinë e tyre fshehin vullnetin për të konfirmuar dinjitetin personal, që përkon me detyrimin e respektit për veten.
Nuk ofron përshkrimet e një situate kaq në limitet e mbijetesës libri Gjumi mbi borë i Ridvan Dibrës, por temat e memories dhe të shumësisë së vetes e dominojnë romanin e ambientuar në eksperiencën personale të autorit përgjatë viteve më të izoluara (‘80) të një cope të humbur Shqipërie, aq sa krijohet iluzioni i ngjarjeve të zhvilluara në Antarktidë. Në regjimet totalitare, ku njësia bazë e shoqërisë është grupi e kësisoj identiteti (edhe pse i pamohuar) shkrihet në Ne, «virtytet e përditshme» kanë barrën e mundimshme të ruajtjes së ekuilibrit mes vetes reale dhe vetes normative, ndërmjet asaj që njeriu është dhe asaj që duhet të jetë. Autori nxjerr cullak lojën me dy skemat e vetes së personazhit kryesor, mësuesit të letërsisë, duke i dhënë jetë vetes reale përmes leximit, herë në bibliotekën e shkollës, prej tij të privatizuar, e herë mbi thasët e duhanit të shndërruar në krevat, dhe duke lënë të jetojë një vete normative në përgjumje. Antiteza e fjetjes mbi borë është zgjedhja për t’i mbijetuar një situate reale prej absurdi të acartë me një gjendje konstante përhumbjeje publike të vetëdijshme, që maskon çlirimin e të jetuarit të mendjes në një dimension tjetër, në rastin konkret në botën e vetes reale. Përhumbja e vetëdijshme e shpëton subjektin edhe nga pjesëmarrja e zellshme në hipokrizinë kolektive të shoqërive totalitare (të prodhuar prej vetes normative), megjithëse në ndonjë rast të jashtëzakonshëm, siç është vajtimi publik për vdekjen e diktatorit Hoxha, kërkohet ndihma e anestetikëve (e rakisë në rastin konkret).
Kurse memoria është tema tjetër themelore, mbi të cilën në fakt ndërtohet rrëfimi. Është rrëfim i një shoqërie të skamjes në tre plane. Së pari, plani fiziologjik. Me t’u shkarkuar në fshat, mësuesi i katapultuar nga Shkodra – sepse kishte guxuar të mendonte me zë që në kontributin kombëtar të afronte edhe Fishtën përkrah Naimit – ndeshet në tre fëmijë që i përcjellin ftesat e familjeve të tyre, dhe secili garon me bukën e nevojtoren: (1) «Shoku msus, a mun’ erdhe? […] Nevojtorja asht paksa larg shpisë»; (2) «Nevojtoren e kena krejt afër shpisë»; (3) «Kena tana të mirat! Edhe buk’ grunit. Nevojtoren e kena brenda shpisë». Kriteret e vlerësimit janë për manualet frojdjane, me shoqërinë shqiptare të fshatit me F të madhe të projektuar në stadin zanafillor të zhvillimit. Kjo del në pah më qartë te (vetë)ironia e jashtëqitjeve në qiell të hapur, që, përveçse përcjell një copëz nga mozaiku i emancipimit të sjellë nga komunizmi në Shqipëri, reflekton një zhvillim shoqëror kolektiv në stadin anal, tipik i moshës 2-4 vjeçare, ku fëmija zbulon kënaqësitë dhe prodhon e jep diçka nga vetja për të rriturin, e më pas, në varësi të reagimit prindëror (autoriteti), ai disiplinon ose jo këtë nevojë fiziologjike: zbrazjet «kolektive në natyrë do të ishin thuajse të përditshme dhe një prej argëtimeve e ceremonialëve më të zakonshëm e më të pritshëm», derisa Partia i jep kolektivit një dënim simbolik, por me karakter disiplinues, si për të dëshmuar se vigjilon kudo e madje normëzon edhe jashtëqitjen.
Së dyti, plani emotiv i skamjes. Emocionet zbulohen te personazhi kryesor në episodet e ekspozimit të vetes së tij reale, kurse në ekspozimet e veteve normative të bashkësisë mbizotëron shkretëtira e akullt. Edhe pritja e ankthshme e të bukurës Sara reduktohet e përshkruhet me nevoja fiziologjike, ku mësuesja e re e fizkulturës kthehet në objekt («simite», «kërrnackë», «selvi»), që Freud-i do ta quante valvul impulsesh seksuale, të një shoqërie, e jo thjesht të një subjekti, të shndërruar tashmë në natyrë. Për t’u nënvizuar fakti se çifti i mësuesve të rinj (Sara dhe Sajmiri) shkarkohet te «Magazinat Qendrore të Kooperativës», sepse totalitarizmi magazinon, racionon dhe cakton rolet e funksionet për gjithçka, sende, kafshë a njerëz qofshin. Jo rastësisht Dibra rreshton një mori zyrash nga fillimi i librit.
Në një situatë të tillë, së treti, të menduarit pasqyron detyrimisht ekstremin e skamjes. Një fjalë e thënë pa vend e kishte flakur mësuesin e pasionuar në fund të botës. Produkt i totalitarizmit është frika si pasojë e hendekut mes vetes reale e vetes normative dhe ndotja me pasiguri e çdo hapësire ndërnjerëzore. Aty ku edhe të shkruarit me dorë të majtë gjykohet i pa vend, siç pretendon drejtori i shkollës në renditjen e 36 vërejtjeve ndaj mësuesit (dhe aq vetëm sepse alfabeti i shqipes nuk ka më germa), mundësia e ekspozimit në publik i mendimit të gabuar është e pamatshme sepse i papërcaktuar është vetë vendi i duhur, cakun e të cilit e imponon përherë dhe sipas rrethanave kush ndodhet një shkallë më lart në hierarkinë e pushtetit, duke i dhuruar vetes një mundësi po aq të pakufishme abuzimi ose cinizmi («Dorën në zemër ju lutem […]. Fillon mosha…duhet…djali në shpi», i drejtohet ministrit babai i mësuesit, përpara syrgjynosjes, ndërsa ai replikon: «Ky problem zgjidhet lehtë, shok. Futju punës dhe bëj një djalë tjetër. Dukesh në formë dhe ende i ri». Praktikisht është cinizmi i politikës së sotme shqiptare). Kësisoj institucionalizohet një gjendje permanente angështie kolektive që ngrin të menduarit. Ndër pasuritë e trashëguara nga regjimi enverist janë padyshim mosbesimi i theksuar tek tjetri dhe mospërcaktimi i vendit.
Narrativa letrare e Dibrës, analiza e Todorov-it, e shumë kontribute të kësaj natyre, duhen lexuar si leksione mbi domosdoshmërinë e të kujtuarit, që nuk synon viktimizimin, me të cilin jemi pështjelluar çerekshekullin e fundit, por ndërprerjen e zgjatimit të totalitarizmit, parandalimin e përsëritjes së tij apo absurdin e adhurimit. Domosdoshmëria imponohet pikërisht sepse gjatë kësaj periudhe kemi dështuar në betejën më të rëndësishme: me njohjen. Përndryshe nuk do të shpjegohej sesi shkrimtarë oborrtarë të regjimit konsakrohen (deri edhe nga ata që kanë marrë peng kauza të djathta dhe antienverizmin) me statusin e disidentit apo me Honoris Causa për kontributet e vyera në ëmbëlsimin e kooperativave.