Korrupsioni është argëtues – të paktën, sipas Partisë Komuniste Kineze. Kjo ngaqë në shfaqjet e humorit me rastin e vitit të ri kinez, më 18 shkurt, një shfaqje variete që shikohet nga 700 milionë njerëz, do të ironizojnë zyrtarët kinezë, një tjetër shenjë që partia është e vendosur të vjelë vlerë propagandistike nga fushata e saj kundër korrupsionit.
Lufta kundër korrupsioni në parti dhe qeveri është kthyer në emblemë të programit të presidentit të Kinës Xi Jinping, i cili e ka përshkruar korrupsionin si çështje “jetë a vdekje” për partinë. Fushata ka goditur zyrtarë të fuqishëm, të cilët mendoheshin të ishin të paprekshëm, për shkak të detyrave dhe lidhjeve. Edhe organizata që veprojnë në fshehtësi, si ushtria dhe shërbimet sekrete, duket të trajtohen njëlloj pas ndëshkimit për korrupsion ndaj liderit të ushtrisë dhe Xu Caihou dhe mjeshtërit të spiunimit Ma Jin. Tani nuk kalon asnjë javë pa lajme se një shok i rangjeve të larta është marrë në pyetje nga komisioni i disiplinës së partisë, i kryesuar nga aleati i ngushtë i presidentit, Wang Qishan.
Partia është e vendosur ta kthejë fushatën kundër korrupsionit në arritje monumentale me qëllim që të forcojë imazhin publik të presidentit Xi, dhe ta mjegullojë idenë që fushata është një pretekst për një betejë për pushtet brenda elitës së partisë. Gala e Vitit të Ri Kinez, e përvitshme, programi televiziv më i analizuar, më diskutuar dhe më i parë, duhket se është platforma e përsosur për t’ia shitur publikut këtë ide.
Shokët e partisë kanë qenë përtej kufijve të artistëve të humorit të televizionit shtetëror kinez (CCTV); hera e fundit që zyrtarë të partisë janë bërë objekt i humorit në Gala ka qenë më 1988. Gazeta, një portal lajmesh shtetëror i vendosur në Shangai, raportoi se CCTV u kërkoi Miao Fu dhe Wang Sheng, dy artistë të rinj humori, që të shkruajnë një skenar kundër korrupsionit më 2014. Departamenti i propagandës e rregulloi që Miao dhe Wang të takoheshin me komisionin e disiplinës së partisë për të diskutuar raste të zyrtarëve të korruptuar në jetën reale. Boria e partisë E përditshmja e Popullit, deklaroi se drejtorët e CCTV u treguan zemërgjerë në procesin e censurës. Wen Wei Po, një gazetë e partisë e vendosur në Hong Kong, raportoi se në provat e 8 shkurtit për në Gala u shfaqën tre skeçe kundër korrupsionit. Kjo nuk do të thotë se lejohet gjithçka. Miao i tha Huashangbao, një gazetë lokale në provincën e origjinës së tij Shaanxi, se skenari ishte redaktuar më shumë se 70 herë, dhe “shumë gjëra nuk mund të përmendeshin” për shkak të kërkesave të censurës.
Ironia – që satira politike duhet të vlerësohet nga partia – nuk u shpëtoi bisedave të mediave sociale. Një reklamues i të drejtave të autorit shkroi në portalin Weibo, “Shtytja e zarfit? Kjo rregullohet nga partia.” Një përdorues i internetit komentoi, “Ata po marrin urdhëra nga partia kur satirizojnë zyrtarët e partisë.” Një tjetër ra dakord: “Kur partia ka nevojë për këta aktorë që të satirizojë dikë, ata duhet ta bëjnë, kur ajo nuk ka nevojë për ta, ata duhet të heshtin.”
Futja e politikës në Gala nuk është pa rrezik. Pas transmetimit të Gala-s më 18 shkurt, shumë teleshikues do të këqyrin çdo fjalë në kërkim të diçkaje për t’u ankuar. Tek e fundit, ankimi për Gala-n është traditë e Viti të Ri kinez po aq sa dhe shikimi i saj. Shenjat e para tregojnë se CCTV i miratoi skeçet për korrupsionin sepse dëshiron që njerëzit të flasin për të. Versioni i Global Times në anglisht, një gazetë partiake bulevardi, pretendoi se ky hap tregon se “autoritet kineze janë të sigurt në trajtimin e çështjes së korrupsionit.”
Por partia i ka vendosur një kapistall shumë të shkurtër satirës politike të Gala-s, duke lejuar për teleshikuesit vetëm material që ka bekimin e censurës. Tek e fundit, propaganda nuk është çështje për të qeshur.