Idealet e një femre dhe disa efekte anësore të mardhënies femër-mashkull
Jo rrallë në ambjentin e një koherence të re mardhëniesh, vihet re një pështjellim kaotik mendimesh e përjetimesh të mishëruara nëpërmjet një lodre marramendëse metaforash. Megjithatë përmasat e këtij kaosi ca nga ca bëhen gjithnjë e më të qarta, dhe fokusojnë në kuadër keqkuptime, rezultante të përkatësive kulturore, ndijore, shpirtërore e familjare për të cilat mund të themi se janë temë e të sotmes në paraqitjen e situatës binare mashkull-femër.
Dua të sjell në kujtesë dy fjalë të një autoreje pikante; Gjithmonë e më rrallë të shoh, gjithmonë e më tepër çuditem, si dola nga barku yt dhe ti nuk je ime bijë. Sepse je e vogël, mama, e pafajshme dhe lotët i ke të brishtë e të rinj.
Vetë konotacioni femër dhe vetvete, është një kallzë problematike e kyçur në mohim. Që në vegjëli disa femra janë konfliktuale me njëra-tjetrën, gjithnjë xheloze e sidomos në konkurencë si të yshtur nga një e keqe që të heq zotësinë për ta përballuar e përtypur. Femrat, mungesën e kurajës dhe të dhuntive të karakterit e forcës fizike mashkullore e shndërrojnë në një lojë favoresh dhe situatash që do mund të molepseshin me karakteristikat e prostitucionit të ligjshëm, si shtjellje e dashurisë ndaj një mashkulli. Këtë gjë vetë femrat ia gjykojnë jo mirë të tjera femrave.
Për ato femra që gjykohen nga femra
Shumë femra dhe meshkuj vetdeklarohen krejt të veçantë, unikë e të pazëvendësueshëm. Por të paktë janë ata që, kur vjen vërtetë momenti për të shfaqur antikonformizmin e tyre, bëjnë pikërisht atë që duhet e jo atë që thonë shumë të tjerë. Kjo gjë konstatohet që nga veshjet, shijet kulturore, natyra e bisedave, bazat mbi të cilat i ngrenë mardhëniet etj. Por kjo kushtëzon dhe ndikon gjithashtu edhe llojin e gruas ose burrit, që rritet e konkretizohet brenda secilit.
Vargjet e zonjës Mimoza Ahmeti, femër me një inteligjence dhe instikt artistik të rrallë, më shtynë të mendoj për idealet e femrës. Jo idealet e femrës përball një mashkulli, por idealet e femrës përballë me veten. A e njeh një bijë, a i pranon një bijë, ose një bir, të ligat që rrjedhin e që i lejojnë kohës të depërtojë përdorë me shndërrimet e veseve, nën lëkurët tona. Ndërsa nënat, bijtë i falin, të zhytura në një vetmohim absolut. Një vajzë sot nuk e gjen veten askund të pasqyruar nën hijen e nënës së saj. Duket sikur dredhitë i janë bërë forcë e virtyt. Tinëzitë i janë bërë epërsi e mburojë e pasurive që prodhon një status prej çupëline të përkëdhelur, që nuk lë pa konsideruar, teksa shpërfaqen, të gjitha alternativat.
Bijtë e bijat sot bëjnë çudi me mirsjelljen konstante e kurdoherë statike të prindërve të tyre. Duket sikur naiviteti i ka tërhequr në kllapa të afërmit tanë. Por në fakt është shoqëria anticivile dhe komerciale që bën përpara e mësyn të gjitha rigorozitetet e hijshme të vetes. Femra duket e hedhur, luaneshë, gjithnjë e qartë kristal, në mendjen e saj për qëllimet e shkëmbimeve të epsheve dhe konkubinatit. Ajo që bukuria mëkon përditë e më shumë në mendjet e fryra nga egoizmi i egër xhungëlor, është se bukuria nuk njeh shoqe, nuk njeh skrupuj, mandej nuk njeh gjunjëzim, e nuk duhet të njohë kurrë vuajtje. Por faktikisht bukuria është një pjatë konsumi, që do ta njohë poshtërimin më shpejt se sa të përfundojë përkuljen e parë mbi seksin e një mashkulli. E tillë grua, përkundejt gjithë protestës së saj ndaj personalitetit të vet, të zhyer mjerisht në llahtare adoleshenteske, vendos burrin.
Mashkulli është fajtori i shumëpërfolur i dështimit dhe i shkatarrimit të forcës dhe vullnetit femëror. Por pse kaq arbitraritet?! E tillë grua, kërkon në mënyrën e vetë, asnjëherë eksplicite. Ç’do lloj gjëje tërthorazi, por me pacipësi këmbëngulëse. Shfaqa më përmbytëse e kësaj lloj femre, njëkohësisht një mister i thellë për psikologët e mbarë rruzullit, është përgojimi, llafazanëria. Për këdo ka një kritikë, për këdo ka një gafë. Zëvendëson në kritikë çdo sekondë të komedisë që luajnë kur ulen në kafe me dikë.
Për ato karaktere të mitur dhe përjashtues
Në një botë mashkullore, ku secili zhgarravitet përpjekurazi, lart e poshtë për të përmbushur tekat e zonjushave nuk po gjendet më vet-respekt i mjaftushëm për të fjetur natën. Dhe mostrat mashkullore formulojnë aplikime të përçartëta, të tipit; nuk ke për të dalë nga shtëpia, nuk ke për të mbajtur telefon, nuk ke për të dalë me shoqërinë, nuk ke për tu veshur kështu, nuk ke për të folur kështu etj.
U enjtëm me figura të përdala, me lajme skandaloze vrasjesh dhe dhunimesh. Të gjitha tendencat jonatyrore të një mardhënie duhen luftuar në zanafillë. Nëse nuk ja del dot kundër tyre, nuk ka më mardhënie. Shqipëtarët nuk e kuptojnë kur nuk ka më afinitet. Jam i bindur për këtë. Rastet e vrasjeve për arsye xhelozie janë një degjenerim pa konture, një babëzi e dëshpëruar, e pashprehur njerëzisht, karshi një femre që i thotë jo gjithçkasë së hidhur që fati i ka shpënë në derë deri më sot. Një satirë e përflaktë luhet nëpër skenat e mardhënieve koniugale dhe jo vetëm. Një sërë frazash butaforeske kundrejt njëri-tjetrit bëhen befas prolog i një katrahure mospërputhjesh që dukeshin si jashtë optikës deri para pak kohësh. Detajet karakteristike dhe loja e shqisave mes mashkullit dhe femrës është një dukje ekspozuese e stolive të edukatës që ka trashëguar secili, nga familjet përkatëse.
Ne plazmojmë një shoqëri. Përvetësojmë aftësi përditë, spekullojmë me fjalën moral përditë, rafinojmë përgjegjshmërinë tonë përditë. Për mua nuk ka dallim rendi shoqëror në të cilin jetojnë shumica e fshatarëve apo e qytetarëve. Gjithnjë shkarkesat emocinale përdhunshëm janë shfaqje e një prapambetje gjithpërfshirëse. Feminizmi dhe maskilizmi nuk duhet të kenë një karakter të mitur dhe përjashtues të njëri-tjetrit. Eskponentët e të parës duhet të kuptojnë se përgëzohen, nderohen dhe çmohen më shumë ato femra që nuk kanë një burrë si shembull dhe etalon personaliteti, dinjiteti, fisnikërie e nderi. Ndërsa eksponentët e së dytës duhet të binden se nuk mund të hipotekoen të drejta absolute mbi nje qënie njerëzore.
Spastrojeni veten nga pikpamjet minimaliste të tregut të gjësë së gjallë. Katatris!
Marrdhnënia përkthehet marr e jap. Por edhe pse kjo fjalë nis me “marr”, mendo të japësh, pa e pasur marrjen si pretendim përfundimtar.