Andis Muka
Nga ekspozita mediatike e hartës elektorale të Shqipërisë së zgjedhjeve të fundit, më saktësisht trendi i këshillave bashkiakë, nuk mund të mos e nxisë kërshërinë një blu e vetme në krye të brikolazhit të 61 amebave. Si në çdo aspekt të realitetit shqiptar, ku dominon skenografia konceptuale e stadiumit, interpretimet e veçantësisë së Shkodrës janë dyzuar mes dy qëndrimeve me kahe të kundërta. Një artikull i Romeo Gurakuqit ilustron qartazi ekzaltimin për rezultatin blu. Kjo qasje është e pranueshme deri te përpjekja për ta vendosur mbi shina argumentuese, aty ku autori sforcon kontekste të ndryshme kohore, të shtrira gjatë shek. XX, emocione, burime ekonomike, njerëzore, vlera e memorie, për ta shpallur Shkodrën si modelin sipëror të një Shqipërie të vyshkur.
Shkodra prezantohet si mishërim i etikës, ndërsa kjo e fundit reduktohet te njësimi me vlerat europiane, duke përdorur për themele anikomunizmin shkodran, të paraqitur si gjenetik, dhe statusin e bastionit të PD-së. Pretendimi ngrihet mbi premisa të gabuara: (1) bastioni i PD-së është thyer në zgjedhjet lokale të 1996, në zgjedhjet parlamentare të 2013 (në rang rrethi) dhe nuk e justifikon domethënien e fjalës (fortifikim) as nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, ku peshorja e këshillit bashkiak nuk ndodhet larg gjendjes së ekuilibrit; (2) fitorja e të majtës në zgjedhjet e 2013 dhe sakrilegji i flirtit PD-LSI (2009 / 2011) e kanë ndotur reliktin e antikomunzimit.
Sidoqoftë, në fillim duhet të kthjellohet vetë autori se çfarë nënkupton me vlera europiane, cilët janë kriteret e përkatësisë dhe kush janë europianët, sepse po të ishte ndarja e thjeshtë kuq-blu (ngjyrat e Vllaznisë, ndër të tjera), nuk ka kuptim që tani bluja e Shkodrës është shpresa e jonë e vetme europiane, kurse pak muaj më parë i njëjti autor ishte haptazi në mbrojtje të një segmenti të së kuqes si Tom Doshi, aq më tepër kur ky personazh, përtej ngjyrës politike, është antiteza e çdo vlere europiane. Fakti që ai është prodhuar në kushtet e krijuara nga qeverisja e PD-së, në të cilën kanë milituar edhe “shkodranët” Sterkaj, Frroku, Ndoka, flet mjaftueshëm për katandisjen e qytetit dhe mirazhin e vlerave të çdo kahu gjeo-kulturor.
Nga ana tjetër, artikulli i Gilman Bakallit e shndërron ngjyrën blu gati-gati në një njollë, që butësisht e argumenton me ndryshimin mes votës së arsyeshme dhe asaj emocionale, duke ia faturuar qytetit këtë të fundit. Personazhe reale të shembullit-karikaturë të Bakallit gjenden lehtësisht, siç është realitet spekulimi i strukturave të PD-së me ikonografinë e antikomunizmit, bastionit e me radhë. Pikërisht për këto arsye, të cila janë shqetësime reale, shkrimi i duhej adresuar njësive specifike e jo tërësisë së qytetit, sepse një përpjekje e tillë për teori të përgjithshme kërkon premisa, që konkretisht janë të gabuara.
Së pari, i nisur me idenë e kritikës së uniformizimit të tjetrit, Bakalli përfundon pikërisht aty, kur i fut shkodranët në thesin emocional, madje i diferencon nga pjesa tjetër e shqiptarëve: “ajo që e dallon qartaz një votues shkodran nga pjesa tjetër e Shqipërisë është fakti se shkodrani kërkon ta përkthejë votën politike në atribut të tijin moral”. Po a nuk vlen kjo edhe për shqiptarët e çdo cepi të vendit, votues të PD-së e PS-së? Çdo qoshk i Shqipërisë është njëkohësisht qendër e botës, në kuptimin që pretendon disa veçanti, e ka gjoksin me gropë, përfshi edhe besnikërinë politike, që valëvitet nga shumë zona, edhe nga ato të cilat i kanë përzier ngjyrat prej kohësh. Në rang më të gjerë, e mësojmë në librat shkollorë që kemi shpëtuar Europën e madje, duke iu referuar Ismail Kadaresë, me Skënderbeun i kemi paraprirë edhe NATO-s. Ndaj një tendence kaq universale nuk është e imunizuar as Shkodra, me konstatimin e vetëm se zgjedhjet e 21 qershorit njësuan tendencën e privatizimit të votës idealiste me realitetin: për këtë mjafton një vështrim i hartës. Pastaj, Bakalli kur mbështeti Gjergji Bojaxhiun nënvizoi vlerat, e ngaqë bëri një zgjedhje të hapur publike supozohet se bujtina (ose e vërteta) e vetme e tyre ishte kandidati në fjalë, pra i dha votës atribut moral dhe të preferuarit të tij veçantësinë, gjë e cila automatikisht shndërrohet në flamur krenarie dhe për votuesin.
Së dyti – kontradikta thelbësore – votuesi racional nuk ka domodoshmërisht si antagonist votuesin joracional, porse ekzistojnë disa forma të racionalitetit. Ai që ka në fokus Bakalli është racionaliteti subjektiv ose mjetësor (instrumental), i cili e shtyn vepruesin të bëjë zgjedhjen e tij (në çdo fushë të jetës) i nisur nga përfitimi personal. Jon Elster-i ka përpunuar ‘racionalitetin e papërkryer’, që e ilustron përmes shembullit të Uliksit me sirenat. Max Weber-i më herët dhe Reymond Boudon-i vitet e fundit kanë evidentuar një racionalitet tjetër, të quajtur vleror ose aksiologjik. Individi i ndikuar nga ky racionalitet vepron duke respektuar vlerat në të cilat beson dhe jo interesin personal. I një tjetër natyre është racionaliteti konjitiv, që e udhëheq bartësin drejt veprimeve (jashtë interesit personal) të cilat i konsideron të drejta. Shembulli i Weber-it janë kalvinistët: për kalvinistin e ardhmja është e paracaktuar një herë e përgjithmonë dhe ai nuk e ndryshon dot, pra nuk e influencon vullnetin hyjnor përmes adhurimit. Megjithatë, kalvinisti veberian vendos të jetë i virtytshëm dhe të bëjë zgjedhje në respekt me vlerat, çka është tërësisht racionale.
Autori i këtyre rreshtave ka votuar numrin 15. E ka bërë pa iluzionet demagogjike të Gurakuqit, sepse ajo e Botës së Çudirave quhej Liza e jo Voltana. Ka zgjedhur alternativën me 1001 të meta, ku, bie fjala, vegjetojnë drejtues që të vetmen aftësi kanë mbiemrin, i cili, në sajë të kuotave në parcelat sociale të qytetit, u siguron përjetësinë e postit publik, e privilegje të lidhura me të, duke ndryshuar vetëm karrigen, nga një drejtori në një tjetër. E megjithëse PD-ja u ofron gjirin publik prej vitesh, ka prej këtyre zaptuesve që ditën e zgjedhjeve i ndesh te qendra e votimit të lagjes duke kërkuar votën për LSI-në.
Alternativa e tjetër, e vetmja, ishte mosvotimi, tërësisht në përputhje me racionalitetin, që do të thotë, ndër të tjera, edhe mosveprim ndaj avancimit të “asgjësë” në hapësirën publike. “Asgjëja” publike është LSI-ja, kësaj here në aliazh me PS-në. Ajo është partia e qepur si kostum: ‘ti dhe vetëm ti përfiton nga rezervuari publik’, teorikisht i të gjithëve. Përballë kësaj zhvatjeje dhe “asgjësë”, zgjedhja e çdo “gjëje” tjetër, sado e shëmtuar, është sigurisht më pozitive. Fundja shpreh dëshirën për të shpresuar.
S’është thjesht zgjedhje mes dy të këqijave, sesa vullneti për të refuzuar një alternativë vrastare, duke përdorur pengesën e vetme në treg. Këtu s’ka as shtysa antikomuniste, as filtra morali për të degjeneruarit e pretenduar të kahut antagonist e as filantropi për nderin e nofkave të qytetit. E drejtë ose jo, besim i gabuar ose jo, kjo mund të diskutohet, por zgjedhja mbetet e përputhshme me një formë ose një tjetër të racionalitetit, madje edhe me atë racionalitetin që Bakalli e pranon si të vetëm, sepse, thellë-thellë, ajo është motivuar nga llogaritja e kosto-përfitimit. Nëse pastaj shtojmë kuotën e konsiderueshme të votuesve të PD-së për motive të pastra pragmatizmi, përkthyer si punësim në administratën publike lokale e shpërblime të tjera, atëherë “votuesi i veçantë” shkodran, “idealisti i thekur”, i përdorur si certifikata e shumicës, kalon në minoritet, duke rënë me të edhe përgjithësimi.