Andis Muka
Që kur e formuloi Blendi Fevziu, ka një përpjekje për ta shitur në treg tezën e degradimit intelektual të Parlamentit aktual shqiptar, krahasuar me Parlamentin e fillesave të pluralizmit politik, ngaqë supozohet të ketë deri edhe analfabetë. Kështu të paktën e lexon Alfred Lela intervistën e Ilir Metës:
Niveli kulturor dhe arsimor është diçka tjetër. Kryetari i Kuvendit, Meta nuk iu përgjigj dot pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu se sa është numri i deputetëve që nuk dinë të shkruajnë. Mungesa e një kundërshtimi kategorik nga ana e z. Meta tregon se ka në fakt analfabetë në Kuvend.
Kundërshtimi kategorik mund të interpretohet edhe si e kundërta. Ashtu siç ofrohet, ai nuk do të thotë asgjë, prandaj opinionbërësi teorikisht do te duhej të analizonnte duke vendosur ca norma etike për metodën dhe konkluzionet. Në rastin e deduktimit të Fevziut është e qartë se konkluzioni arrihet me një konfrontim të thjeshtë. Në rastin e leximit të Lelës, konkluzioni është argumentim i hedhur për t’i mbajtur ison tezës së degradimit politik, por që konkretisht nuk ka asgjë më shumë se nevoja e inercisë, sepse i njëjti qëndrim i Metës mund të interpretohet në dy a më shumë mënyra, madje edhe nëse do të kishte qenë kategorik. Mos vallë mjaftoi që në kohën e videos së famshme Meta të shfajësohej kategorikisht?
Duke lexuar mes rreshtave të fragmentit të katandisjes së Parlamentit shqiptar, apo edhe të qëndrimeve të Fevziut rreth kontekstit, vërehet një shkak më serioz i gjendjes. Nuk ka popull “gjenetikisht” injorant, por ka injorancë masive, siç ka mungesë masive të aplikimit të vlerave. Kjo gjendje kultivohet, siç ka ndodhur me Parlamentin shqiptar. Nëse “iluministët” e Parlamentit të fillesave të pluralizmit, marrë si etalon krahasimor nga Fevziu, janë mënjanuar në Parlamentin aktual, kjo është sigurisht pasojë e takëmit dhe metodave që ata kanë kultivuar. Parlamenti i sotëm i injorantëve dhe i oligarkëve të atashuar me krimin është pjellë e politikëbërjes së intelektualeve të origjinave, rezultat i asaj inteligjence. Por do të ishte e thjeshtë të laheshin hesapet kështu, siç bën Fevziu.
Çfarë kanë bërë gazetarët e pavarur dhe opinionistët për ta penguar degradimin? Që kanë pasur dhe kanë influencë, kjo dihet. Dhe si e kanë shfrytëzuar? Fevziu i pari, nuk lë emision jo-politik të Opinionit pa ftuar të paktën një politikan në panel për t’i dhënë mend shqiptarëve, nga po ai Parlament injorantësh e analfabetësh; nuk janë të pakta serenatat e Lelës, e kolegëve dhe e të gjithë hierarkisë, në favor të disa segmenteve ose personazheve parlamentare, apo fundja të atyre që i kanë përzgjedhur injorantët vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet me çdo kusht; e po kështu heshtja e tyre ndaj kolegëve që bëjnë të njëjtën punë, mbase në mënyrë më patetike.
Ja rasti Doshi. Ai nxori në plan të parë një llogore intelektualësh, ca opinionistë të regjur mediash, që kanë pozita akademike, e sigurisht ca gazetarë. Për të mos iu rikthyer shkrimit tim të mëparshëm, aq më tepër që ilustrimet përditësohen bollshëm, po sjell nje fragment nga shkrimi i fundit të një akademiku, lojtar i Panoramës i kultivuar te Mapo:
Në qoftë se vazhdohet pa kujdes, duke përdorur rastin e denoncuar nga zoti Doshi, si pretekst për të mbytur zërin e lirisë dhe të të drejtave të bashkësisë kulturore të Shqipërisë Veriperëndimore, për sulm politik ndaj Shkodrës dhe shkodranëve, dhe për të impostuar një qasje te ngjashme me operacionet purifikuese të batalioneve të Sigurimit të Shtetit komunist, ndaj Shkodrës, Malësisë dhe Dukagjinit, siç po nxitet nga anëtarë të caktuar të Parlamentit, ky do të jetë një zhvillim mjaft i rëndë për stabilitetin e vendit në tërësi.
Ka kohë që autori, historiani Romeo Gurakuqi, eksperimenton analiza politologjie. Teoria e tij është riformulimi i kontratës sociale mbi baza të reja, “federaliste” gjeo-kulturore. Gurakuqi e mbyll letrën e hapur drejtuar Ramës me një kërkesë-rrugëzgjidhje: “e di që është një sipërmarrje in extremis, por nuk ka opsion tjetër, pas kësaj, përveç shpërndarjes së Parlamentit”. Është thjeshtë verbëri totale për një analizë politike t’i kërkojë Ramës shkuarjen në zgjedhje të reja politike, për shkak të Doshit, që vetë Rama e pranoi si aksioner të sipërmarrjes së tij në përmbysjen e Berishës me çdo kusht. Është edhe më absurde po të mendosh se politologu ia kërkon tani që qeveria gëzon mbështetje të plotë, si rrallëherë, nga Ambasada amerikane. Perëndimi nuk e do destabilizimin politik të Shqipërisë, eksperti shqiptar, në emër të Doshit, kërkon pikërisht këtë, duke frikësuar lexuesin me precedentin 1997, sikur paraardhësit i tij Luigji nuk e organizoi 1924.
I vetmi shpëtim i kësaj analize duket flamuri etik: morali politik, veriu, Gegëria, Shqipëria veri-perëndimore, shpëtimi i vendit. E megjithatë, mbetet përsëri flluskë sapuni, në gjykim, koherencë e argumentim. Bundeslandi shqiptaro-veriperëndimor ka joshje përralle. Emri Romeo, p.sh, dëshmon një nivel intelektual e kulturor të përpunuar në qytet, e jo rastësisht nuk ka precedent rretherrotull në këtë grupmoshë. Antropologjia e familjes Gurakuqi lidhet katërçipërisht me Shkodrën: shkëmbimet martesore dëshmojnë sesa fiktiv është zgjerimi Malësi-Shkodër-Dukagjin. Më shumë se me Malësinë e Dukagjinin, Shkodra ka lidhje, ngjashmëri e vijimësi me Elbasanin, Korçën, Prizrenin etj. Nëse i referohemi memories, Shkodra nuk ka nxjerrë ndonjëherë kategoritë ‘Tomë’, edhe në i pastë nxjerrë nuk i ka vënë në krye, edhe në paçin hipur atje nuk iu ka pas hije, edhe në e paçin blerë hijen nuk ia ka var njeri, e në ia pastë varë njeri ata kanë qenë të të njëjtit soj, shakllabana ose nevojtarë për një 3000-5000 lekësh a vend pune. Pak a shumë kështu thoshte Gjergj Fishta për fshatarin, megjithëse ishte vetë i tillë me lindje, por që në vetëperceptim diferencohej në bazë të shkollimit. Atë të gjorin shkollim pra që Doshi e ka blerë, si shumë shokë. Me këto ‘burra shteti’ do ta ri-bëjë vendin z. Gurakuqi!
Ja ku kemi arritur: Luigji prodhonte mendim dhe politikë, kurse Romeoja publikon opinione-teori te gazeta më e kuotuar shqiptare dhe politikën ia delegon Tom Doshit. Kur akademiku, politologu, opinion-bërësi mbron injorancën e rrugaçërinë (eufemizma këto, konsideruar personin), madje duke e viktimizuar, e viktimën duke e njësuar me një rajon gjeografiko-kulturor, që madje na u rrezikuaka nga rikthimi i “terrorit të regjimit komunist” (O burra hapni depot si ‘97?!), normalisht që degradimi i politikës shqiptare ka zbuluar mekanizmat e Edenit. Ka gjetur vendin ideal. E kështu do vazhdojë gjatësi derisa të ketë pena që shesin tym, nxisin urrejtje, kallin frikë, ftojnë për llogore apo vazhdojnë t’ia drejtojnë gishtin Tjetrit e të bëjnë paradën e të skandalizuarve me pyetjen habitore “si arritëm në këtë pikë?!”.