Ta themi që në krye, vizita e Mogherini-t ishte një dështim, ashtu vetë politika e BE-së për këto 26 vjet. Përveç një deklarate shumë të qartë (siç e pohoi edhe vetë) që nuk jep asnjë zgjidhje, ajo nuk i dha asnjë orientim krizës politike që ka mbërthyer vendin. Ajo vetëm sa ripërsëriti qendrime të mbajtura edhe më herët nga disa përfaqësues të BE-së, ku respektohet protesta e opozitës, por ku i kërkohet asaj të heqë dorë nga bojkoti i parlamentit, gjë që tregon vetëm mefshtësinë e burokracisë europiane në politikën ndërkombëtare.
Formulime të tilla standarde BE-ja ka një çerek shekulli që i ripërsërit vazhdimisht duke i lënë problemet të agravohen. Nëpërmjet të tilla qendrimeve, Europa shfaq se linja e saj politike është mbajtja larg e telasheve, duke i lënë ato të pazgjidhura. Si rrjedhim asaj nuk i intereson të marrë në konsideratë problemet e ngritura nga opozita, sepse ajo thjesht nuk ia ka ngenë të merret seriozisht me to. Ajo kërkon gjithmonë rrugë të shkurtra, për t’i shtyrë përkohësisht problemet, të cilat, pas njëfarë kohe, rikthehen edhe më të mprehta. Jo më kot shohim sot një pakënaqësi masive në çdo vend të rajonit, e kudo ku kjo politikë ndërhyn.
Zyrtarët ndërkombëtarë që vijnë e ikin në Shqipëri shfaqin, jo vetëm moskokëçarje për t’u marrë me problemet, por edhe mosnjohje të thellë të realitetit dhe situatës politike në Shqipëri. U pa qartë kjo edhe në intervistën e Ambasadorit të OSBE-së Borchardt, i cili, duke folur për çmendurinë e drogës dhe ndikimin e saj në zgjedhjet që do të mbahen në qershor, iu referua raporteve të katër viteve më parë, gjë që çoi në një komedi keqkuptimesh nga shtypi e risqarimesh qesharake nga vetë ambasadori. Mesa duket, z. Borchardt nuk ka raporte apo të dhëna të katër viteve të fundit, ndaj flet qesim, duke bërë histori, në vend të një analize të thellë të realitetit.
Qendrimet e Mogherini-t janë në përputhje me këtë linjë absurde që fyen edhe inteligjencën e një publiku mesatar. Një logjikë e thjeshtë formale na thotë se, nëse akuzat e opozitës qendrojnë dhe i japin legjitimitet protestës së saj (siç e pranojnë vetë ndërkombëtarët dhe Mogherin-i), nuk ka më asnjë kuptim që ky parlament të vazhdojë punën normalisht. E natyrshme është që opozita të qendrojë në parlament e jo në rrugë, por përderisa situata është e tillë që legjitimon rrugën si mjet politik, atëherë është parlamenti ai që delegjitimohet.
Nëse, ashtu siç thotë opozita, parlamenti është i mbushur me deputetë me precedentë penalë, nëse Rama ka kapur parlamentin me trafiqe votash duke u bërë i gjithëpushtetshëm, për çfarë duhet opozita në parlament? Nëse vendi është zhytur në trafiqe, nëse zyrtarë të lartë kanë kontakte dhe lidhje me trafikantë, nëse kriminelët lirohen nga burgjet për t’u rekrutuar në strukturat informale të qeverisë, të ngritura për blerjen dhe dhunimin e votës, ç’kuptim ka që opozita të vazhdojë të marrë pjesë në institucionet që po kthehen në strehë të krimit? Kur parlamenti nuk zbaton detyrimet e ligjit të dekriminalizimit, por vazhdon i mban në detyrë deputetët me precedentë penalë, si mund të qendrojë opozita në këtë parlament? Si mundet që opozita të qendrojë në garë, kur pushteti ka dhunuar rregullat e lojës?
Ka një gjë të rëndësishme mbi gjithë të tjerat, thonë ndërkombëtarët dhe Mogherini: Vetingu. Po a ka ndonjë arsye për të na mbushur mendjen se reformimi i gjykatës qenka më i rëndësishëm se ai i institucioneve themelore të varura nga politika?! Dhe mbi të gjitha, a ka ndonjë arsye që të na bëjë të besojmë se kjo politikë e kriminalizuar dhe ortakëruar me mafien do të ketë vullnetin të prodhojë një gjykatë të pastër e funksionale?!
Mogherini u përpoq të shkonte pak më larg, duke trashur pak zërin e duke i dhënë deklaratës së saj karakter ultimativ. Nëse nuk fillojmë reformën në drejtësi, do të pengohet procesi i integrimit, – thotë ajo, duke na treguar se tashmë Europa është gati për bisedimet, mjaft të fillojmë reformën.
Edhe kjo, nuk është gjë tjetër vetëm se pjesë e një teatri të stërparë nga burokratët që vijnë nga përtej detit. A vërtetë mendon Europa se i gjithë problemi i integrimit deri më tani na paska mbetur tek gjykatat? Sipas kësaj, i bie që institucionet e tjera i paskemi në rregull dhe i paskemi përmbushur standardet e BE-së. Kjo tregon se, ose ne qenkemi përmirësuar shumë dhe nuk e ditkemi, ose BE-së i ka rënë pazari përtokë!
Në fakt, Europa duhet të mësojë se kërcënimet me pengim negociatash nuk na sëkëlldisin më dhe aq. Kemi 26 vjet që presin në dyert e saj, duke e humbur shpresën se do hapen ndonjë ditë, ndaj nuk na shqetëson gjë të presim edhe disa muaj a ndonjë vit për negociatat. Nëse BE-ja shqetësohet, vetëm ta mbyllë këtë reformë, për t’a paraqitur si një histori suksesi në katalogun e fitoreve të saj imagjinare, shqiptarët e dinë tashmë se nuk mund të ushqehen me raporte. Për këtë arsye të gjithë e kanë të qartë se negociatat janë thjesht stacione arbitrare në një rrugë pa destinacion, në një Europë që nuk ka më dëshirë të zgjerohet.
Përtej raporteve të ndërkombëtarëve që na thonë se Shqipëria ka bërë hapa përpara, realiteti tregon se problemet janë shtuar, se shqiptarët i janë rikthyer emigrimit masiv, e se kemi mbetur të fundit në rradhë në procesin e integrimit. Kjo sigurisht vjen për shkak të paudhësive tona, por sigurisht këto paudhësi i kemi bërë në partneritet me ndërkombëtarët. Janë ata që na i kanë çertifikuar rregullisht zullumet duke i përkrahur ato vazhdimisht. Zyrtarët e BE-së janë bashkëfajtorë, e si të tillë nuk mund të jenë gjykatës të dështimeve politike në Shqipëri. Nëse jemi në këtë gjendje, jemi pa dyshim, edhe si pasojë e politikës së keqe që na ka ardhur vazhdimisht nga Brukseli. Për këtë arsye, përpara se të japë ultimatume, BE-ja duhet të reflektojë fillimisht për mëkatet e saj në Shqipëri, ashtu si në gjithë rajonin, ku vetë Mogherini, po pritet me protesta e reagime.