Shtatë vjet më parë Kosova hodhi hapin final të një kalvari shekullor për t’u shkëputur nga Serbia. Parlamenti i Kosovës nënshkroi pavarësinë e saj, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur e sovran, gjë që shënon fillimin një odiseje të re në historinë e saj, atë të shtet-ndërtimit. Shpallja e pavarësisë, siç pritej, u shoqërua asokohe me ekstazën e festimeve. Prej javësh qytetarët qendruan në rrugë duke brohoritur e duke u përqafuar me njëri-tjetrin, në një dalldi mbarëkombëtare.
Jo vetëm Kosova, por edhe nga Shqipëria pati turma njerëzish që sfiduan të ftohtin e acartë të asaj dite, për t’u gjendur aty, si shenjë e një nevoje të brendshme për të dëshmuar historinë. Gjithçka dukej e pabesueshme. Një sakrificë aq e gjatë dhe aq e mundimshme më në fund përfundonte me një ‘happy end’, që gjente referencë vetëm në imazhet e filmit “Nëntori i dytë”, ku gdhenden në memorien kolektive të shqiptarëve protretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, të ardhur enkas – më shumë për të pavdekësuar Reshat Arbanën – nga viset shqiptare të Kosovës.
Mirëpo, ashtu si edhe historia e vërtetë e përtejfilmit, ngjarjet që rrodhën më pas nuk kanë qenë aq entuziazmuese. Shqipëria e viteve të para pas pavarësisë u përball me telashe e trazira të shumta: dy luftëra botërore, kriza, trazira (kryengritje e grushte shteti) të njëpasnjëshme e më pas komunizmi bashkë me zgjatimin e tij demokratik, tragjedinë e 1997 dhe oligarkinë e ditëve të sotme. Edhe Kosova duket se tashmë ka hyrë në këtë qerthull, ku dalldia e pavarësisë ka kaluar në një hangover të vështirë me shumë dhembje koke.
Një bilanc i shpejtë tregon se shteti që ëndërruan qytetarët e Kosovës nuk i përgjigjet aspak aspiratave të tyre. Varfëria, korrupsioni, padrejtësitë, pazaret e ditës etj, e kanë zbehur thuajse tërësisht shkëlqimin e aktit që i bëri me krahë shtatë vjet më parë. Ky përvjetor i gjen shqiptarët e Kosovës në një eksod masiv, me mijëra njerëz që ikin nga shteti i cili kërkuan dhe arritën me vendosmëri e plot sakrifica, sigurisht (sot) ekzamplare për “ne” të pavarësuarit e 1912.
Me të drejtë qytetarët ndjehen të tradhëtuar sot nga ata që mbajnë publikisht spaletat e udhëheqjes së popullit drejt lirisë. Kosova është sot një vend i rrënuar, me shumë pak mundësi për të jetuar me dinjitet. Ajo nuk prodhon mundësi për prosperitet, duke mos ofruar punësim, arsimim, funksionim të institucioneve, mirëqenie e mbi të gjitha shpresë. Kjo i bën qytetarët ta braktisin vendin e tyre. Dhe kjo falë politikës së mbrapshtë, korruptive e klanore, të instaluar nga dy partitë kryesore, të cilat e kanë shndërruar vendin në një mall pa zot për interesat e tyre.
Kosova ka të drejtë të ndjehet sot e tradhtuar edhe nga Shqipëria “mëmë”. Pasi i ka trazuar e ngatërruar punët më keq atje, duke i eksportuar problemet e saj, Shqipëria ia ka mbyllur derën Kosovës për çdo bashkëpunim ekonomik, shoqëror, kulturor etj. Qeveritë shqiptare kanë bërë më shumë show përpara kamerave me liderët e Kosovës, duke mos vënë në jetë asnjë platformë serioze bashkëpunimi. Madje politika shqiptare e ka përdorur Kosovën më shumë si zgjatim të interesave të veta. Kohët e fundit edhe vetë Kosova ka arritur ta mësojë mirë këtë sport, ndërsa shohim se edhe liderët atje po i përdorin marrëdhëniet me “vendin amë” si zgjatim të interesave të politikës së ditës.
Ky dështim nuk është vetëm i politikës shqiptare. Ai bëhet në partneritet të plotë me faktorin ndërkombëtar, që duket se po e dhjet, për ta thënë me fjalët e ambasadores amerikane, investimin e tij gjatë luftës, një nga veprat më dinjitoze e të vlerësueshme moralisht që Perëndimi ka bërë që pas rënies së Murit të Berlinit. Gjashtëmbëdhjetë vjet pas luftës, sot Kosova është në regres diplomatik, duke humbur shumë nga përfitimet e saj kundrejt Serbisë. Serbia po mban peng mjaft asete e sfera të rëndësishme të vendit, duke u bërë çdo ditë e më shumë në faktor determinues për normalizimin e saj. Ndërkohë Mitrovica është ende jashtë kontrollit të shtetit dhe asnjë shenjë nuk duket në horizont për bashkimin e saj me pjesën tjetër të territorit. Përveç kësaj, asnjë avancim nuk është bërë në shtimin e njohjeve në planin ndërkombëtar, ku, veç të tjerash, pasaporta e Kosovës nuk shërben për të lëvizur thuajse askund. Kjo i ka detyruar shumë qytetarë që, me dhembje, t’i kthehen pasaportës serbe, për të kryer punë në Europë.
Ndërkombëtarët kanë shfaqur apatinë e tyre për të stimuluar stabilitet në vend, teksa haptazi bëjnë bromb me pazarllëqet e politikës vendase. Skandale korrupsioni janë publikuar herë pas here edhe ndër zyrtarët e tyre, të cilët duket sikur vijnë këtu për të përfituar nga mosfunksionimi i shtetit. Në mënyrë permanente ndërkombëtarët kanë dënuar çdo akt reagimi të qytetarëve për të kërkuar dinjitet e të drejtat e tyre, siç ka ndodhur me protestat në Prishtinë e Mitrovicë. I gjithë kujdesi i tyre ka qenë të shuajnë çdo aspiratë për bashkim me Shqipërinë, ndërsa imponojnë rritjen ndërvarësisë mes Prishtinës dhe Beogradit. Nga ana tjetër, Beogradi përfiton koncensione pa fund prej tyre, duke fituar statusin e vendit kandidat për BE. Realiteti bëhet cinik kur zyrtarë të huaj mbajnë leksione në anglisht mbi demokracinë, dialogun dhe respektimin e institucioneve përballë qytetarëve. Kjo përkthehet për shumë njerëz si kërkesë për respektim të institucioneve “që nuk janë tonat”, e madje, më keq, të institucioneve “që janë kundër nesh”, për sa kohë punojnë kundër vullnetit të qytetarëve.
Shumë njerëz kanë të drejtë të mendojnë se kush na e dhuroi në “një” ditë pavarësinë, po na e merr pak e nga pak nëpërmjet protokollesh, bisedimesh e marrëveshjesh. Mund të thuhet se Kosova jo vetëm që nuk ka avancuar në sovranitetin e saj, por është më pak e pavarur se para shtatë vjetësh. Nga e gjithë kjo, ideja e fiksuar këto vite, se koha po punon për Shqiptarët, është zbehur. Ndoshta koha ka punuar për një çast për shqiptarët, por shumë njerëz kanë të drejtë të thonë gjithashtu se vetë shqiptarët, bashkë me interesat, lidhjet e nostalgjitë e fosilizuara në elitat e ndërkombëtarëve, po punojnë me zell e këmbëngulje kundër saj. Përfytyroni, Serbia e mijëra krimeve ndaj civilëve, e disa konflikteve rrënqethëse, e mospendesës, e shtetzimit të nacionalizmit, është pranuar si virtuoze në dyert e BE-së.
Kësisoj, për shumëkënd ëndrra e pavarësisë rezulton një zhgjëndër e trishtë, e cila sjell vetëm një zhgënjim të madh. Keqardhja pastaj amplifikohet për “ne” të Shqipërisë, kur dinamizmi kosovar, dinjiteti, virtytet kolektive bjerren nga erozioni i elitave me pushet.