Ditën e zgjedhjeve vendore në 21 qershor “Rilindjes” iu mbërthyen gozhdët e fundit në arkivol. Deputetit Ben Blushi, që e kishte quajtur të vdekur disa kohë më pare, iu bashkuan të paktën 170 mijë votues shqiptarë të cilët nuk votuan për kandidatët e koalicionit qeveritar. Kryeministri Rama zhvilloi një fushatë mjaft të fortë duke kërkuar votat për kandidatët e tij “për të bërë të mundur Rilindjen, për të sjellë transformimin e madh etj.” Është e kotë të themi se kryeministri vizitoi më shumë se pesë herë secilën bashki të rëndësishme dhe se e zbriti retorikën deri në përçmim të kundërshtarit, në kërkim të votave për rilindjen. Rezultati përfundimtar është se kandidatët e shumicës qeverisëse u votuan nga rreth 830 mijë njerëz ose nga rreth 170 mijë njerëz më pak se sa kjo shumicë mori në vitin 2013. Kemi një rënie të pazakontë me rreth 17 përqind.
Kur rezultati për kandidatët për kryetar bashkie u bë i qartë, të martën, kryeministrti Edi Rama mbajti një deklaratë (fjalim) në selinë e kryeministrisë. Duke iu drejtuar njerëzve ai tha se rezultati ishte: “Konfirmimi që ju bëtë… .në këto zgjedhje, jo thjesht sepse votuat kaq shumë për aleancën tonë…”. Kryeminsitri tha gjithashtu se rezultati ishte konfirmim i reformave dhe i nevojës për thellim të tyre. Përdori si zakonisht fjalë të tilla (pa kuptim) si “Shqipëria e gjeneratës tjetër” apo “transformim rrënjësor”. Fjalimi zgjati rreth 40 minuta dhe në çdo rresht kishte metafora që kërkonin të tregonin ndjeshmëri ndaj shqetësimeve të qytetarëve.
Në shtator të vitit 2013 Angela Merkel fitoi zgjedhjet për herë të tretë dhe mbajti një fjalim që zgjati 1 minutë e 43 sekonda. Ajo falenderoi votuesit dhe tha se përgjegjësitë e mëdha të një kohe të vëshrtirë do të jenë shqetësimi i vetëm i saj. Para pak javësh kryeministri Cameron fitoi mandatin e dytë dhe mbajti një fjalim pas daljes së rezultatit që zgjati 5 minuta. Ai falenderoi liderin e liberaldemokrateve Clegg për bashkëpunimin në qeverinë e kaluar, në qeverinë e parë të koalicionit 70 vitet e fundit, falenderoi votuesit dhe foli shkurt për disa nga sfidat me të cilat do të përballet qeveria e tij. Në vitin 2012 Francois Hollande u zgjodh president i Francës. Fjalimi i tij i fitores zgjati 2 minuta e 10 sekonda dhe ishte i gjithi një falenderim për votuesit dhe për kandidat kundërshtarë. Fjalimi fitores së presidentit Obama zgjati rreth 21 minuta në vitin 2008. Bëhet fjalë për një zgjedhje historike (Presidenti i parë me ngjyrë, vendi i zhytur në krizën më të thellë që nga depresioni i madh, kriza në Irak e Afganistan, marrëdhëniet e komplikuara me Izraelin, çështja palestineze etj etj). Rama foli për më shumë se 40 minuta në përpjekje për të qenë bindës, në përpjekje të prodhojë realitet me anë të asaj që thotë dhe duke besuar se ajo që ai thonë ka një peshë të rrallë.
Duhet thënë se në zgjedhje lokale as Merkel, as Hollonde, as Cameron etj, nuk flasin fare. Zyrtarë të tjerë të partisë flasin mbi qëndrimin e saj për zgjedhjet. Në rastin tonë kryeministrti nxitoi të flasë për konfirmim të reformave dhe të mbështetjes së madhe sepse kërkon që ai të përcaktojë termat e diskutimeve, të largojë diskutimin nga humbja e 170 mijë votave dhe nga vdekja e rilindjes. 1 milionë shuplakat kanë qenë togfjalëshi më i përdor prej tij në këto dy vite dhe ato kanë shërbyer si burim legjitimiteti për të gjithë veprimin e qeverisë. Ato kanë shërbyer edhe si kamxhiku ndaj çdo kritike.
Kryeministri Rama reagoi me atë që Daniel Kahneman një nga psikologët më të mëdhenj konjitivë të kohës sonë (fitues i çmimit Nobel) e quan Sistemi i Parë i të Menduarit. Me Sistem të Parë ai kupton të menduarin automatik, të shpejtë, emocional, të pavetëdijshëm, stereotipik. Pa nisur ende numërimi për këshillat bashkiakë kryeminsitri foli për rezultatin. Ai bëri një lexim emocional, të menjëhershëm të asaj që pa dhe të asaj që donte të shihte. Ai tha se u rikonfirmuan reformat nga një votim masiv dhe u rikonfimua nevoja për thellim të tyre . Zgjedhjet ndërkohë kishin dhjetëra ngjyra dhe në bashki të ndryshme kishte specifika të ndryshme dhe shpjegime të ndryshme.
Daniel Kahneman thotë se vendimarrësit dhe njerëzit që japin mendime duhet të përdorin Sistemin e Dytë të Mendimit: të menduarin e ngadaltë, të vetdijshëm, analitik, logjik, të bëjnë llogari dhe të marrin në konsideratë çdo element. Në fakt në shumicën e bashkive fitoi koalicioni qeveritar, por në disa ai fitoi vetëm me pak vota si Puka dhe Fushë Arrëzi (me difencë rreth 50 vota). Në disa të tjera fitoi thelle si Tirana, Durrësi, Vlora, Elbasani, Kavaja, por brenda këtyre fitoreve të thella ka lexime të ndryshme. Për shembull Erion Veliaj është votuar me 40 mijë vota më pak se sa se sa koalicioni qeveritar (votimi për këshillat). Në Durrës faktorë të tjerë kanë çuar në atë rezultat, ashtu siç, po faktorë të tjerë, kanë ndikuar në Kavajë. Ka humbje të ngushta si Mati, por ka edhe humbje të thella si Shkodra dhe Lezha. Saranda si qytet ka votuar kandidatin e PD dhe Ksamili me fshatrat kanë votuar kandidatin e PS e kështu me radhë. Atëherë pse psh Saranda është kundër reformave, nuk i komnfirmon ato, dhe pse Ksamili i konfirmon? Po Shkodra dhe Kukësi janë kundër reformave dhe pse Malësia e Madhe dhe Hasi janë pro? Nuk mund ti lejojmë vetes të hyjmë në absurd, as në kryeministri.
Një element tjetër i rëndësishëm dhe që dëshmon qartë se rilindja ka vdekur është edhe reultati i LSI. Ajo ka humbur bashki të rëndsishme, por ka fituar rreth 250 mijë vota për këshillat bashkiakë. Duhet thënë se votat për këshillat bashkiakë kanë një domethënie më të vogël politike (në mjaft raste nuk kanë fare domethënie politike, ato kanë qenë gjithnjë pazar) se sa vota për krytarë bashkie. Në rastin e LSI megjithatë vihet re se ka patur një angazhim mjaft të madh për votat e këshillave. Ajo me sa duket e ka kthyer në sfidë këtë betejë dhe në disa bashki është parti e parë, në disa, parti e dytë dhe në disa të tjera, parti e tretë.
Edhe kreu i saj foli për rezultat spektakolar. Pyetja shtrohet: çfarë ka qenë kaq frymëzuese që LSi që është rritur? A mos ka qenë puna e ministrave Haxhinasto, Gjosha, Panariti burimi frymëzimit? Pse nuk kanë frymëzuar me punën e tyre ministrat Bushati, Gjiknuri, Cani, Tahiri, apo edhe vetë kryeministri Rama?
Në 1 prill të vitit 2013, kur Ilir Meta njoftoi se largohej nga koalicioni me PD tha se e bënte këtë për ti dhënë vendit një ekuilibër të ri pushtetesh. Ilir Meta nuk tha se bashkohej me PS për të bërë realitet rilindjen. Po ashtu kreu i LSI tha se ato që kishte thënë për Ramën i takonin arkeologjisë dhe historisë dhe vetëm shkenca të tilla duhet të merreshin me to. Ai shihte përpara. Meta, veç vendosjes së një standarti të ri në gjykimin mbi moralin u përpoq të vendosë edhe një gurë themeli në shkencat sociale, duke treguar se cila prej tyre duhet të merret me moralin. Sot, dy vite më pas, ai ia ka dalë të vendosë një ekuilibër të ri pushtesh dhe sheh përpara. Rezultati i LSI tregon se ka dështuar rilindja. Religjioni, sociologjia dhe filozofia vazhdojnë ende të studiojnë moralin dhe deri më tani në këtë pikë Meta ka dështuar.