Ndërtimi i demokracisë është i vështirë në vendet ku autoriteti dhe kapaciteti shtetëror është i dobët ose duke u zbehur, ku korrupsioni është i përhapur, ku ka një shkallë të lartë kriminaliteti e ku kriminelët janë të lidhur me politikanët e madje edhe janë futur vetë në politikë, si edhe ku politika e brendshme është skajshmërisht e polarizuar. Demokracia nuk mund të jetë shëndetshme nëse dhuna, ose kërcënimi, janë të përhapur dhe nëse mbi gjithçka, mbizotërojnë hesapet politike.
Që një shoqëri të ketë demokraci të shëndetshme duhet, ndër të tjera që qytetarët të marrin pjesë aktive në jetën politike dhe një ndër format e kësaj pjesëmarrjeje janë zgjedhjet. Pjesëmarrja e ulët në votime rrit incentivat për qeveri autokratike, zbeh debatin publik si edhe ashpërson klimën politike.n Rezultatet e zgjedhjeve lokale të 2015, ku rreth 48{27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} e votuesve i’u drejtuan kutive të votimit, janë një këmbanë alarmi për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri. Ato ngrejnë pyetje të rëndësishme të cilat, nëse nuk marrin përgjigje, ka gjasa që situata të përkeqësohet. Çfarë e shkaktoi këtë humbje të interesit për të votuar? Përse vetëm në dy vjet ka një rënie drastike të përqindjes së votuesve? Përse votuesit duhet të tallen me votën, siç u vu re në rastet e fotove të fletëve të votimit të shfaqura në rrjetet sociale? Si ka ndikuar kalsa politike në këtë fenomen?
Krijimi i një klime të favorshme për pjesëmarrje qytetare është thelbësore për zhvillimin e shoqërisë dhe demokracisë së një vendi pasi sikurse L. Diamond thekson: ‘zgjedhjet e përgatitura keq nuk prodhojnë demokraci, e as stabilitet politik.’ Studiuesi Bullgar I. Krastev jep një shpjegim interesant: Seksi –thotë ai- nuk është dashuri dhe zgjedhjet nuk janë demokraci, por askush nuk mund t’a kuptojë misterin e dashurisë pa kuptuar natyrën e tërheqjes seksuale, dhe askush nuk mund t’a kuptojë demokracinë pa përqafuar nënkuptimin e praktikës së mbajtjes së zgjedhjeve. Por zgjedhjet synojnë, gjithashtu, gjykimin e politikanëve jo mbi bazën e asaj që kanë bërë, por të asaj që kanë premtuar. Në këtë kuptim zgjedhjet janë një makinë për të prodhuar ëndërrat kolektive. Ndalojini zgjedhjet, dhe ju bini dakord që ose të jetoni në të tashmen ku e ardhmja mungon ose të përqafoni të ardhmen që është përcaktuar, për ju, nga shteti. Zgjedhjet synojnë që ta lenë të ardhmen e hapur. Ato sjellin ndryshim; ato nuk e izolojnë atë.
Në përqasjen e tij për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi rreziqet që has demokracia në ditët e sotme, Krastev përpiqet të japë disa interpretime: Së pari, paaftësia për të artikuluar krizat me të cilat përballet shoqëria. Duke i’u referuar Alexis de Tocqueville ai shkruan se: politika demokratike, ka nevojë për dramë. “Teksa zgjedhjet afrojnë,” “intrigat bëhen më aktive, nervozizmi më i gjallë dhe më i shpërndarë. … i gjithë vendi mbërthehet nga ethet. … E pasi fati është njohur… gjithçka qetësohet, dhe lumi për një moment i tejmbushur, rikthehet paqësisht në shtratin e tij.” Sipas Krastev: politika demokratike funksionon si një seancë terapie për gjithë kombin ku votuesit përballen me ëndërrat e tyre më të këqija – kolapsin demografik, krizat ekonomike, katastrofat mjedisore, një luftë të re – por janë të bindur se kanë pushtetin për të shmangur shkretimin. Zgjedhjet humbasin pushtetin e tyre nëse, ato, dështojnë të prodhojnë një ndjenjë të ekzagjeruar të krizës e njëkohësisht të frymëzojnë një ndjenjë optimiste se kriza mund të zgjidhet.
Pjesë e kësaj paaftësie për të identifikuar krizën në Shqipëri është edhe zbehja e dallimeve midis të majtës dhe të djathtës, në rrafshin ideologjik, si edhe përzgjedhja e kandidatëve të pakultivuar, me diploma të dyshimta të shkollës së lartë, me mungesë të theksuar ekperience pune në profile që do të bindnin votuesit se ata/ato janë të besueshëm për t’u votuar, e si të mos mjaftonin këto, kandidatë me të kaluar kriminale. Në këtë mënyrë zgjedhjet jo vetëm që humbën kapacitetin e tyre për të kapur imagjinatën popullore, por ato po bëhen tashmë të pamundshme për kapërcyer krizat. Efeki paradoksal i humbjes së dramës në zgjedhje është rënia e tyre në një ritual që, më shumë, ka të bëjë me poshtërimin/zhvlerësimin e forcës politike që është në pushtet se sa me shprehjen e besimit tek opozita. Përse duhet të votojnë Shqiptarët kur ata e dinë shumë mirë se, në vazhdën e premtimeve të pambajtuara nga fushtat e mëparshme, secila forcë politike do të bëjë atë ç’ka bërë paraardhësja e saj?
Së dyti, “performanca e një sistemi” në vetvete nuk ka asnjë mundësi të jetë e suksesshme nëse funksionimi i saj në vazhdim është në mënyrë konstante i kërcënuar nga pakënaqësia, plogështia dhe frika. Kur gjykimi i politizuar arrin hegjemoninë, në një shoqëri ku politika saturon jetën, ne nuk kemi më një demokraci normale: ne kemi më të keqen, bëhu ‘shoku operacional’ ose zhduku, ‘me ne ose kundra nesh.’ Në të vërtetë kjo është një skenë e tmerrshme e intimidimit politik.
Së treti, edhe pse zyrtarisht të shkëputur nga e kaluara komuniste për një periudhë pothuajse 25 vjeçare, shoqëria jonë është ende e indoktrinuar, nga mentaliteti i udhëheqjes sipas modelit totalitar. Kjo për faktin se regjimet totalitare të bazuara në ideologjinë revolucionare nuk janë vetëm më respresive/shtypëse sesa regjimet autoritare tradicionale, por janë njëkohësisht edhe më të vështira për t’u liberalizuar apo demokratizuar. Nën këndvështrimin e saj, ideologjia është një burim legjitimiteti transhdental për këto regjime, duke i’u dhënë atyre disa cilësi teokratike. Do të mjaftonin fotot e Enver Hoxhës nëpër takime zyrtare, apo klishetë e asaj periudhe të përdorura ngado, për të kuptuar këtë simbiozë me të kaluarën. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i ideologjisë është se ato i shërbejnë partisë në pushtet si një mjet për mobilizim politik.
Së katërti. Problemi me zgjedhjet nuk është thjesht se ato nuk përfaqësojnë shtresat e paprivilegjuara por, për më tepër se ato nuk prodhojnë më mazhoranca dhe mandate politike. Nëse zgjedhjet dështojnë të prodhojnë mazhoranca, njerëzit besojnë se ata nuk janë më të detyruar që të mbështesin qeverinë të cilën ata kanë zgjedhur. Për më tepër, ato i japin jetë qeverive që janë të ngarkuara me mosbesim publik.
Debati rreth demokracisë dhe zgjedhjeve nxjerr në pah problemin e moralit dhe drejtësisë, mënyrën sesi individët duhet të trajtojnë njëri-tjetrin, zbatimin e ligjit dhe mënyrën se si shoqëria duhet të organizohet. Asnjë shoqëri njerëzore nuk mund të zhvillohet nëse ajo nuk është në gjendje të garantojë drejtësinë. Zgjedhjet lokale 2015 nxorrën në pah një sërë problematikash që po e vënë në rrezik të ardhmen e demokracisë në Shqipëri, ku më së shumti spikat paaftësia e forcave politike për të identifikuar dhe adresuar problemet që shqetësojnë shoqërinë shqiptare si, kriza e përfaqësimit apo edhe mentaliteti autoritar i liderëve politikë. Gjëja për të cilën shoqëria jonë ka më së shumti nevojë është gjetja e mënyrave efektive për rikthimin e debatit politik, edukimin dhe kultivimin e argumentit demokratik me qëllim angazhimin aktiv të qytetarëve në jetën politike.