Lideri i Syriza-s Aleksis Cipras, i cili është kundër reformave shtrënguese ekonomike, premtoi t’u japë fund “poshtërimit dhe dhimbjes pesëvjeçare”, pasi fitoi zgjedhjet e përgjithshme.
Përpara përkrahësve entusiaztë, zoti Cipras u betua ta rinegociojë borxhin ndërkombëtar masiv të Greqisë.
Me thuajse gjithë votat të numëruara, Syriza duuket se ka marrë 149 vende, vetëm dy më pak se shumica absolute [ky është dhe rezultati përfundimtar, shkrimi është bërë pak më herët].
Fitorja e Syrizës ka ngjallur frikë për të ardhmen e Greqisë në euro.
Për shkak të këtij rezultati të zgjedhjeve, euro u dobësua 1.11 pikë karshio dollarit – niveli më i ulët në 11 vjet.
Greqia është përballur me shkurtime të rënda të buxhetit në shkëmbim të kredive të vitit 2010, me vlerë 240 miliradë euro, në marrëveshje me të ashtuquajturën trojkë – BE, FMN dhe BQE.
Ekonomia është tkurrur në mënyrë drastike që nga kriza globale ekonomike e 2008, dhe papunësia në rritje ka zhytur në varfëri shumë grekë.
Fitorja e Syriza-s do të përcjellë valë tronditëse në gjithë BE, thotë Gavin Hewitt i BBC në Athinë.
Një shumicë votuesish në Greqi nuk e kanë pranuar një politikë thelbësore për zgjidhjen e krizës së eurozonës siç është projektuar nga Brukseli dhe Gjermania, shton korrespondenti ynë.
Rezultati i zgjedhjeve në Greqi pritet të jetë një nga çështjet kryesore në takimin e 19 ministrave të financave të eurozënës të hënën.
Në Gjermani, presidenti Jens Weidmann i Bundesbank tha se shpresonte që “qeveria e re greke nuk do të bënte premtime që nuk i mban dhe vendi nuk i përballon dot.”
Ministri belg i financave Johan Van Overtveld tha për rrjetin televiziv VRT se Greqia “duhet të respektojë rregullat e bashkimit monetar”, megjithëse shtoi se kishte vend për fleksibilitet.
Në Itali, ministri i çështjeve të BE, Sandro Gozi, tha: “Pas këtyre votimeve do të kemi mundësi të reja për të bërë ndryshime në Europë, për të krijuar rritje ekonomike, investime dhe përtë luftuar papunësinë.”
Kush është Syriza dhe cilat janë qëndrimet e saj?
- Akronimi Syriza do të thotë “Koalicioni i Majtë Radikal”, i formuar në 2004 si një grup obrellë [ku u mblodhën shumë grupime të majta].
- Drejtohet nga 40-vjeçari Aleksis Cipras.
- Kjo parti fitoi përkrahje pas trazirave të vitit 2008.
- Premton t’u japë fund masave shtrënguese ekonmike dhe rinegociojë borxhin.
- Tregjet janë të shqetësuara për borxhin e Greqisë dhe për një dalje të mundshme të saj nga eurozona, megjithëse Syriza thotë se dëshiron të ruajë euron.