Një zbulim i rëndësishëm është bërë këto ditë, por që për shkak të konfliktit të fortë politik që po përjeton vendi, ka kaluar pa vëmendjen e duhur mediatike. Bëhet fjalë për disa të dhëna që hedhin dritë mbi misterin që rrethon historikun e asaj që njihet si “Ura e Vashës”. Pas thirrjeve të përsëritura përmes rrjeteve sociale në internet, agjensia jonë iu përgjigj interesimit të nismëtarit që çoi përpara procesin e zbardhjes së këtij misteri.
Nik Tuk Përpali, banor i Klosit, tashmë ka ardhur për herë të parë në zonë si operator i firmës “GjoKi”, e cila po kryen punimet e njërit lot të “Rrugës së Arbrit”. Ai më herët ka punuar si mësues i edukimit fizik në disa fshatra të Mirditës, por ka marrë pjesë si ndihmës edhe në disa ekspedita gjeologjike, ku ka mësuar disi zanatin e topografit, të cilin e ushtron në piketimet që po kryen firma “GjoKi”. “Tuka”, siç njihet Përpali mes banorëve të Klosit, u magjeps menjëherë me bukuritë përreth, por mbi të gjitha, nga traditat dhe bujaria e kësaj zone të Matit. “Kur dëgjova për Urën e Vashës mu zgju interesi për t’mësu ma shumë për historinë e saj” tha Tuka duke ju përgjigjur interesit tonë për të ditur se si kishte nisur kërkimi i tij. “Disa thonë se urën e ka ndërtu nji xhymert nga katundi Maqellarë, nji farë Haxhi, Haxhi, s’po më kujtohet” thotë Tuka. “Nji tjetër thotë se e ka ndërtu nji vajz e pamartueme, me paret e pajës, po kjo nuk ma mbush mendjen” shton sërisht ai. “Megjithate, emri “Ura Vashës”, qi këta duen me e lidh me këte të pamartuemen, asht qi t’ban me mendu”.
“Nji kinez ktu, qi m’haet muhabeti, inxhinjer ke firma kineze qi punon matanë, kur ja kam tregu historinë e urës, ngul kamb për diçka tjetër”, rinisi si duke qeshur sërisht Tuka. “Se, nuk e marr vesh mirë a e ka me gjith men a asht tu lujt me mu, se nuk merret vesh dot nga çehrja”. “Ky m’thotë kshtu se i ka bo dhe nji projekt në kompjuter. Ky thotë se kjo ma tepër ka formën e “gushës”, dhe ma shpjegon se si harkohet traseja e urës, se si çfryhet uji kur ka prurje ke nji hapsinë tek njana kambë, e ku di unë”. “Ura e Gushës” asht ma e saktë”, më thotë, “se njana kamb e urës asht ma e nalt e nuk ngjajnë me kambë vashe”, por m’duket se nuk e ka haberin për çfar jena tu folë” thotë Tuka.
Tuka gjatë kohës së lirë, por dhe kur kishte mundësi gjatë punës, pyeste pleq dhe të moshuar, por edhe të rinj që shfaqnin interes për historinë dhe traditat. “Pothuajse të gjithë ata që pysja më tregonin të njajtat histori që të thashë, kështu që vendosa me ju përvesh punës”. “Prej andej ka jam unë, ka disa gojdhana se në filan shkamb janë hedh do vasha mos me ra n’dorë të turkut, dhe thashë, meqi këtu ashtë dhe ky emër, “Ura e Vashës”, duhet të ketë ngja njisoj” tregon Tuka. Ndërmarrjes së tij ju bashkua me të njëjtin pasion edhe një i ri vendas që punon në seksionin e kulturës së Bashkisë Klos. Dëfrim Kuka, i cili është diplomuar në inxhinjeri pyjore pranë UK, i propozoi Tukës që të ndërmerrnin një hap të rëndësishëm që do t’i jepte zgjidhje hamendësimeve të tyre. Një të dielë, të dy të apasionuarit e historisë, së bashku me fadromistin e Bashkisë, u nisën herët në mëngjes për të gërmuar pranë “Urës së Vashës”.
“E gërmuem të gjithë perimetrin rreth kambëve të urës, por nuk gjetëm gja me interes përveç nji këpuce qi do ta ketë pru lumi dhe ka mbet aty” tha Tuka duke treguar me dorë për nga ura që ndodhet poshtë nesh në luginë. “Kur i kishim humbë shpresat, Dëfrimi dha nji ide qi nuk na doli pa gja” vazhdoi ai. Siç na rrëfyen me detaje, atë pasdite të diele të tre i kishin zhvendosur kërkimet disa dhjetra metra më poshtë në një vend mbi shtratin e lumit. “E shikon ate shkambin atje?”, shtrin dorën Tuka drejt një vendi të ngritur dhe të shkëputur nga shpati i malit: “ai ashtë vendi tamam për me gërmue, ramë në nji mendje unë dhe Dëfrimi”. Duke hamendësuar se ishte vendi që do t’i jepte zgjidhje enigmes së tyre, rezultatet e dala e ngatërruan edhe më tej fillin prej nga kishin menduar të dilnin hulumtuesit tanë. “ Mendum se aty poshtë shkambit mundej me gjet kocka njerzish që do na kishin sqaru pse ura asht qujt “Ura e Vashës”. “Edhe ktu më shkojte mendja se janë hedh vajza të reja qi nuk dojshin me ra gjallë në dorë të turkut”.
Që në përçapjet e para, kova e ekskavatorit kishte nxjerrë një objekt të çuditshëm. “U dukte si helmetë, si ato qi kemi pas në zborr, dhe nxitum për me e pastru në lumë”. ”Me t’vërtet helmetë ishte, anash kishte ca të shkrueme turqisht a diçka kshtu”, tha Tuka. Më pas vendin e kishin gërmuar me lopata për të shmangur dëmtimet e mundshme që mund t’i sillte ekskavatori objekteve të nëndheshme. “As nji metër ma thellë, hasëm në kocka, dhe kështu vazhdum me gërmu edhe ma me kujdes” shtoi Dëfrimi i cili nuk e fshehte ende entuziazmin për ngjarjen. “Mandej u çuditëm njiherë sepse zbulum nji kafkë kali, sikur nuk na doli hiç ashtu siç e prisnim” vazhdoi Tuka. Më në fund, pas dy ditësh gërmime rreth e qark vendit të zbulimit, Tuka dhe Dëfrimi nxorrën dhe inventarizuan pjesërisht eshtrat e një kali si dhe pothuajse eshtrat e një skeleti njerëzor. “Që janë kali kjo nuk ka dyshim, se un kam pa shumë herë kocka kali” shtoi Tuka duke kruar kokën dhe me sytë që i mbant përdhe. “Edhe kockat e njeriut mue nuk më ngjajnë gruje. Jan të mdhaja për me qenë gruje” shtoi ai. “ Edhe mua këte më tha Basriu, vorraxhiu në bashki, se ai ka pa shum herë skelete kur hap varre”, tha Dëfrimi. “Burri, burri janë, se edhe helmeta për ushtarakë ashtë, po çar dreqin ka pas dasht turku te kambët e “Urës s’Vashës” hajde merre vesh”. “Më duket se duhet të ket qene “Ura e Pashës” dhe e kan ndigju gabim”, tha Tuka. “Po mër po, “e Pashës”, po duhet të ket qenë tuj gjëmu ndonji vashë ai, se pse ka ra nga moja e shkambit” vazhdoi Dëfrimi.
Bisedës ju shtua dhe një banor i atyshëm i quajtur Sula, që barte mes duarve një deng me bimë medicinale të sapombledhura. Pasi dëgjoi për çfarë po flisnin të pranishmit, duke vënë dorën si strehë për të penguar diellin, Sula nisi të rrëfejë legjendën e tij. “Nji njeri para shumë kohe, që e qujshin Arif Veseli, kaloi urën, hudhi nji plaçkë në ujë, dhe i tha nji katunari prej ktu nji fjalë në vesh”. ”Por nji hoxhë që e njifte mirë kte, tha se Arifi ishte shurdhmemec dhe atij tjetrit nuk i kishte kallzu asnji llaf në vesh”. “Mas ksajt mileti u da në dy kolle, ia tha apo nuk i tha llafin në vesh, dhe kështu fillun me i thirr “Ura e Veshit”, tha Sula, dhe sakaq i hapi sytë edhe më shumë duke na vështruar i palëvizur me diellin që i binte në fytyrë. Shpjegimi i tij disi i mjegullt rreth historisë së urës, aq sa na hutoi, na bindi që të nxitonim të largoheshim nga ky debat intrigues dhe i pashtershëm, teksa edhe koha po shkonte. “E Pashës, e Vashës, veshi, e Pashës, e pe… Vasha“, dëgjohej nga larg biseda pasionante mes Tukës, Sulës dhe Dëfrimit ndërsa ne po i ngjiteshim shtegut që të nxjerr në xhade, pasi më parë na siguruan se një specialist antropolog nga Tirana u kishte premtuar protagonistëve tanë se do t’i hulumtonet skeletet që tashmë ndodheshin të magazinuar në zyrat e bashkisë.