Një vepër arti ka fuqinë të kumtojë tërë mizorinë që sjell një utopi, gjithë mjerimin që prodhon një përmbysje dhe gjithë gjakderdhjen që shkakton një revolucion. Një vepër arti mund të tregojë shkatërrimin e shpresës, bjerrjen e idesë, shuarjen e ëndrrës dhe idiotësinë e ndërtimit të një bote të re. Drama “Vrasja e Maratit” që po shfaqet këto ditë në teatrin kombëtar është nga ato vepra që të kujtojnë teatrin e Greqisë së vjetër, ku spektatorët përjetonin emocione të forta duke kaluar në një proces reflektimi dhe meditimi ku njeriu pastrohej nga veset dhe ligësitë.
Regjisori Arben Kumbaro ka mundur të rezonojë një intensitet emocional dhe me ngarkesë të lartë mendimi duke vënë në skenë këtë dramë të Peter Weiss. Gjatë shfaqjes të krijohet përshtypja se je në lagjet apo rrugët franceze pas revolucionit jakobin. Zymtësia dhe pisllëku i atyre rrugëve të mbushura me fjalorin gjakatar dhe çmendurak të revolucionit, me marrëzitë më të mëdha që ka prodhuar mendja njerëzore, gjenden në skenën e teatrit kombëtar.
Brenda një çmendine luhet një dramë. Aktorë janë të çmendurit. Dramën e udhëheq Markezi de Sade, i cili ka përfunduar në çmendinë pas revolucionit. De Sade ishte një nga udhëheqësit apo mendimtarët e revolucionit, një libertin i krisur që i mendonte njerëzit vetëm si trupa dhe predikonte orgjitë, liritë ekstreme seksuale, dhunën dhe vetë vdekjen. Për të universi është diçka krejt materiale dhe njerëzit janë qenie krejtësisht mekanike pa asnjë përgjegjësi morale. Filozofia e De Sade mbështetet mbi egoizmi radikal dhe antiteizmin.
Në çmendinë është edhe Marati, një nga liderët e revolucionit jakobin, i njohur si gazetar, filozf dhe politikan. Marati predikon vrasjet masive, zhdukjen e klasës së të pasurve, zhdukjen e klerit dhe ndërtimin e një bote të re. Regjisori Kumbaro i ka ndërtuar me mjeshtëri të vërtetë, këta dy personazhe, në rolet e të cilëve janë Viktor Zhusti (de Sade) dhe Ervin Çuli (Marati), që dialogojnë e debatojnë idetë dhe pikëpamjet e tyre. De Sade i zhgënjyer nga revolucioni, nga mizoria që nuk prodhoi asgjë, mbron vetëm idetë e një bote ku njeriu duhet të shihet si qenie që nuk sillet moralisht dhe i jepet jetës trupore, epsheve dhe instikteve. Marati mbron fort dhunën, vrasjet, flet për triumfin që do të vijë, por kërkon shumë kosto. Dialogjet bartin filozofi të tëra dhe dëshmojnë se si revolucioni u kthye në monstër, se si gijotina ishte simbolika dhe zgjidhja e vetme, se si malet me eshtra prodhonin male të tjera me eshtra në një kërkim që nuk mbaron.
Drama e Maratit është prodhim i veprës së vet. Ai qendron në një vaskë për shkak të sëmudjes së rëndë të lëkurës. Në krah ka një tryezë në të cilën punon, shkruan dhe merr pjesë në udhëheqjen e revolucionit. Sharlotte Cordelier, një vajzë nga qyteti Caen, nën pretekstin se kërkon ta informojë atë kundër komplotistëve futet në shtëpinë e tij dhe kërkon ti çajë gjoksin me një thikë që mbante poshte fustanit. Shfaqja ka qindra elemetë mizanskenikë të mrekullueshëm, të gjithë në funksion të pasqyrimit të dhembjes njerëzore të shkaktuar nga një ndërmarrje e tillë katastrofike në emër të lirisë, siç qe revolucioni francez.
Revolucioni mund t’ia dalë të ndryshojë njerëzit e ti shpërfytyrojë ata. Ai çon drejt kaosit ku dhuna gjen fuqinë e sundimit mbi shoqërinë. Këtë na tregon edhe “Vrasja e Maratit”. Shumëkush mund të mendojë se revolucioni francez prodhoi kartën e të drejtave të njeriut, ndriçoi botën, por në të vërtetë ai qe një gjë tjetër në vetvete. “Vrasja e Maratit” është një brerore që me rrezëllimin e saj ndriçon sadopak kohën tonë duke na ndihmuar të kuptojmë rrethanat ku ushqehen dhe zenë rrënjë revolucionet.