Lorenzo Capitani
Unë dëshiroj të sugjeroj përmirësimin e një aspekti të rëndësishëm të modelit demokratik të tanishëm – praktikat e votimit që japin mundësi për zotërim të pushtetit legjislativ – bazuar në një ide se vetëm njerëzit që kanë interes për një çështje të caktuar dhe kanë dije në lidhje me atë çështje, duhet të kenë mundësi për të ndikuar një vendim në lidhje me të. Në këtë mënyrë, pasi problemi analizohet dhe përgjegjësia ndahet mes mendjeve të informuara, pastaj, merret një vendim që është konsiderueshëm më i mirë.
Në qeveri përfaqësuese, parimi i vendimmarrjes së informuar shpesh përmbushet me ekzaminimin e politikave nga një komision i specializuar dhe i kufizuar, i cili merr në konsideratë shqetësimin, mban shënime, dhe ia përcjell konkluzionet asamblesë së përgjithshme politike [Kuvendit]. Megjithatë, numri i njerëzve të përfshirë në një çështje të veçantë është shumë i vogël. Vetëm në vende ku çështjet rishikohen në mënyrë të vazhdueshme me referendume dhe modeli i votimit është shumë i afërt me konceptin e demokracisë, si Zvicra, ligjet ekzaminohen dhe miratohen ose refuzohen me një shkallë konsensusi të konsiderueshme. Vetë popullsia është e përfshirë në vendimmarrje. Ndërsa aty nuk ka detyrim të votosh, kjo do të thotë që cilido që voton është faktikisht i shqetësuar për çështjen, dhe mund të shpresohet me të drejtë që qytetari të ketë lexuar rreth çështjes për të cilën do votojë.
Megjithatë, edhe modeli demokratik është i mangët, sepse lejon të votojnë njerëzit që nuk kanë lexuar për çështjen njëlloj me ata që kanë lexuar. Një sistem më i mirë, megjithëse më i ndërlikuar, do ta peshonte votën e individit për një çështje sipas arsimit që ata kanë në atë fushë. Për shembull, vota e një minatori do të kishte më shumë vlerë për çështje në lidhje me sigurinë e minierave, sesa vota e një dyqanxhiu; vota e një mjeku do të kishte më shumë rëndësi për çështje të shëndetit sesa vota e policit; e kështu me radhë.
Sasia e dijes së njerëzve për fushat të caktuara do të matej me provime publike. Me qëllim që vota e një individi të kishte vlerë për një temë të veçantë, do të ishte e nevojshme për atë person që të merrte certifikatën e nevojshme. Drejtësia do të ishte e garantuar, sepse njerëzit do të specializoheshin në fusha të ndryshme të dijes.
Sundimi i shumicës do të triumfonte sërish. Megjithatë, nëse do ruhet kohezioni brenda komuniteteve të lira, të drejtave të minoriteteve u duhet dhënë hapësira e mjaftueshme. Rreziku më i madh demokracisë është abuzimi i pushtetit nga shumica në dëm të pakicës. Instrumentet e vetme për ta luftuar këtë janë toleranca, empatia dhe të kuptuarit. Përsëri, arsimi është kyç.
Ky sistem do t’u lejonte të gjithë qytetarëve që të kontribuonin në komunitetin e tyre në përputhje me interesat e tyre, dhe do të largonte diskriminimin që ndodh mes të mëdhenjve dhe të vegjëlve, përderisa mosha nuk do ishte faktor diskriminues, ajo do të zëvendësohej nga dija dhe aftësia. Sistemi do të inkurajonte gjithashtu arsimim të përjetshëm: individët do të kishin privilegje si ulje taksash në përputhje me shkallën e përgatitjes dhe provimeve të marra, duke i nxitur qytetarët që të kontribuonin më shumë në komunitet. Sistemi do të lejojë gjithashtu rivlerësimin e dijes së individëve, sepse dija për të cilën ata nuk kujdesen harrohet dhe kjo redukton mundësinë e kontributit pozitiv në komunitet.
Kështu ky do ishte një sistem dinamik dhe jo statik. Gjithashtu do të ishte më i ndërlikuar dhe i vështirë për t’u menanxhuar nga sistemi i tanishëm. Aftësia për të votuar në meritë dhe përgjegjësi të qeverisjes direkte, janë tipare të një sistemi që mund të zbatohet vetëm në një komunitet shumë të përparuar, i aftë të menaxhojë dallimet pa konflikt dhe pa nevojën të imponojë vendimet.
Megjithatë, infrastruktura dhe teknologjia për një sistem të tillë ekziston tashmë. Votimi mund të bëhet fare mirë në internet, duke lejuar që referendumet të përdoren si instrument legjislativ me kosto shumë të ulët. Interneti mund të përdoret dhe për përcjellë argumente pro dhe kundër, sërish me kosto të ulët, pa nevojën për të harxhuar miliona për reklama sloganesh, pa e përcjellë kompleksitetin e çështjes. Shkollat mund të përdoren në mbrëmje për provimet.
Pse demokracia është qeverisje më e mirë se diktatura? Edhe diktaturat mund të lejojnë sukses ekonomik të konsiderueshëm, prandaj ekonomia nuk është faktori përcaktues. Çfarë është atëherë? Përgjigja është e thjeshtë: Idetë. Demokracia lejon debatin dhe lirinë e mendimit; e megjithëse kultura është një faktor homogjenizues, individët lejohen ta ekzaminojnë situatën nga këndvështrime të ndryshme. Kështu gjenerohen më shumë ide, dhe komuniteti ka një potencial më të madh për zhvillim në shumë fusha, përfshi – por jo i kufizuar vetëm aty – edhe zhvillimin ekonomik. Problemi është se nëse një komunitet nuk është i gatshëm për demokraci, do të shfaqen gjithfarë lloje sjelljesh që destabilizojnë sistemin. E kështu gjemë demokraci të korruptuara ose abuzive, ku politikanët shqetësohen më shumë për interesin personal sesa mirëqenien e të gjithëve. Në modelin që kam propozuar unë politikanët e specializuar nuk luajnë më një rol përcaktues; në fakt, çdo individ bëhet një politikan. Nuk ka më një person që të imitohet, por një sjellje, dhe sjellje politike dhe mënyrë jetese që duhet të bëhet e përbashkët për të gjithë anëtarët e komunitetit, që merret e mirëqenë. Heronjtë politikë nuk janë më të nevojshëm, sepse çdo individ mund të bëhet hero ose aktivist i zoti për çështjet qe i mendon se ia vlejnë.