Ky vit që shkoi ka qenë i vështirë për shqiptarët. Ekonomia ka disa vjet që po përkeqësohet: punësimi, të ardhurat janë në rënie, ndërkohë që çmimet rriten. Paralelisht me ekonominë edhe politika ka ardhur duke u përkeqësuar: përqendrimi i pushteteve në dorën e qeverisë është rritur në kurriz të institucioneve të tjera të pavarura, dhuna po godet pa reshtje mbi qytetarët, shteti ka marrë fytyrën e policit që, përtej çdo kompetence, kërcënon me shkop gome e pranga në duar. Ndërkohë opozita thuajse nuk ekziston, jo vetëm për pafuqinë që ka në parlament, por edhe për shkak të pafuqisë për të dalë nga zullumet e veta, të cilat nuk e lenë të çlirohet nga kalbësia. Pra teksa ekonomia bie, korrupsioni, imoraliteti dhe dhuna politike rriten.
E njëjta gjë ndodh edhe në Kosovë. Muaj të tërë pa qeveri e trazuan situatën e i bënë aktorët të tregojnë fytyrën e vërtetë, duke lidhur e propozuar marrëveshje nga më amoralet, derisa më në fund dy forcat rivale, që nuk kanë lënë gjë pa bërë e pa thënë kundër njëra-tjetrës, i dhanë karar të bashkohen «për të mirën e vendit», duke e ndarë së bashku tavën e pushtetit. Tashmë edhe në Kosovë nuk ka më opozitë dhe nuk ka një forcë që të përfaqësojë interesat e qytetarit, i cili vuan të njëjtat probleme, ekonomike, sociale, kulturore dhe politike.
Teksa ekonomia ka kohë që ka hyrë në dishezë, problemet sociale rriten me shpejtësi. Kriminaliteti, dhuna, degradimi human dhe shkatërrimi i vlerave përshpejtohen me ritme të çmendura. Bandat dhe grupet mafioze vrasin biznesmenë e bankierë në mënyrë spektakolare, të organizuara në perfeksion, si me regji të Sergio Leones. Skandalet korruptive dhe seksuale të abuzimit me detyrën kanë qenë nga më të shfrenuarat në fantazi e imagjinatë. Ndërkohë familja degradon egërsisht duke humbur jo më thjesht shenjtërinë dhe vlerën, por kuptimin e saj. Divorcet rrezikojnë të arrijnë numrin e martesave, ndërkohë që dhuna e krimi në familje kanë shënuar rritje të papara.
E megjithatë, ky ishte viti më festiv që shqiptarët kanë kaluar ndonjëherë. Përvjetori jubilar i çlirimit na shoqëroi me një kalvar të gjatë e të lodhshëm përkujtimesh, por edhe debatesh, teksa kemi shijuar, si gjithmonë, prirjen për rivalitet festimesh, për arsye politike e ideologjike. Ditët e shënuara në kalendarin tonë sa vijnë e shtohen dhe datat përskuqen nga ditët festive. Gjatë këtij viti shkollat shtuan edhe Hallowinin, si një festë zyrtare, ku fëmijët, të organizuar me mësuesit e stafin pedagogjik në krye, kremtuan kungullizimin e brezit të ri me hargalisje fëmijënore, ku horrori prodhon gallatë e të qeshura. Kjo ndoshta edhe i përgjigjet ironikisht situatës ku jemi. Si gjithmonë ne, në gojë të ujkut, e në pikë të hallit, hedhim valle.
Natyrisht, politikës i duhen sa më shumë festa, për të vaksinuar popullin nga reflektimi. Sa më shumë aheng e raki – ky është çelësi për t’i bërë njerëzit të harrojnë. Dhe turmat e kanë këtë «të mirë», e kanë kujtesën shumë afatshkurtër. Për këtë arsye edhe mund t’i tërheqësh për hundësh a për veshësh, si të duash. Politika ka nevojë që njerëzit të gëzojnë, aq më shumë kur janë në pikë të hallit. Ata kanë nevojë të shkrihen me turmën gjatë festave, të ndajnë me njerëzit gëzimin e rremë që ofrojnë. Shefat e politikës shfaqen këtu si dollibashët më të zjarrtë në dehjen e turmave.
Përveç politikanëve, aktorë të tjerë të rëndësishëm në këtë teatër janë pa dyshim mediat dhe bizneset. Ata janë gjithashtu të interesuar t’i bëjnë njerëzit të harrojnë, pasi me qenie pa mend paraja qarkullon më mirë, aq më tepër në një kohë krize. Turmat turren nëpër banakë e rafte supermarketesh duke zbrazur gjithçka gjejnë. Një etje e papërmbajtshme për të konsumuar e për të defryer me çdo çmim. Bota e konsumit shfaqet në formën e vet më të mirë, duke u tallur ligësht me njeriun, të transformuar në konsumator apo mall konsumi.
Askush nuk duket se ia ka ngenë të flasë për këto punë e të ndërgjegjësojë njerëzit për këtë estradë. Përkundrazi, intelektualët duken vetë të ngecur masivisht në këtë rrjetë, duke u shndërruar edhe vetë në mall apo karrem për ta, në një botë ku përndryshe do të kishin qenë peshq në rrjetën e tregut. Në fakt ata nuk shpëtojnë gjithsesi nga ngecja në këtë rrjetë. Duhet mjaft kurajo për të notuar kundërrymë dhe kjo iu mungon.
Ndërkohë që realiteti kërkon zëra kritikë, halli më i madh intelektualëve në Prishtinë ishte se Kryetari i Bashkisë kishte vonuar zbukurimin e qytetit për festat e fundivitit. Sipas tyre Prishtina kish mbetur prapa të gjithë kryeqyteteve europiane dhe kjo ishte një katastrofë e vërtetë në sytë e tyre. Në këndvështrimin e tyre ata po përcillnin zërin e qytetarit, që nuk ndjen solidaritetin e bashkisë në këtë gëzim kombëtar, ku mungonte shkëlqimi i pemës dhe dritave festive.
Në vend që të denoncojnë alienizimin që kultura e konsumit iu bën njerëzve, këta zotërinj shqetësohen pse politika nuk po e hedh në kohë rrjetën e peshkimit të qytetarëve. Në fakt, më shumë se bashkia që denoncojnë, ata janë vetë tregues i kësaj prapambetjeje, pasi kolegët e tyre në botën e industrializuar përpiqen të jenë nga krahu i kundërt i barrikadës midis njeriut dhe tregut. E pra jemi të prapambetur, jo shumë pse nuk i ndezim në kohë dritat e bredhit, por edhe për shkak se intelektualët i kemi promovues të kulturës së mos-mendimit. Pikë së pari për të pasur një popull të interesuar për të mirën publike duhen intelektualë që mendojnë e që iu qendrojnë besnikë mendimeve të veta. E deri atëherë le të vazhdojmë t’iu themi «gëzuar» sharlatanëve që ngrenë dolli për shëndetin e popullit nga kolltukët e pushtetit!