Vendet ballkanike që shpresojnë të anëtarësohen në BE kanë frikë se udhëtimi i tyre drejt klubit që ata mendojnë se do të ofrojë zhvillim dhe stabilitet do të përballen me vonesa dhe paqartësi tani që Britania vendosi të largohet.
Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat përjetuan luftra dhe trazira në vitet 1990, janë në faza të ndryshme në procesin e anëtarësimit në BE.
Reagimi i menjëhershëm në kryqytetet e Ballkanit ndaj vendimit të referendumit britanik të enjten e kaluar ishte që përpjekjet e anëtarësimit në BE do të vazhdojnë të pacënuara.
Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç tha se Serbia do të vazhdojë ‘rrugën e saj evropiane”, me synimin të mbyllë bisedimet e pranimit më 2019.
Bosnja nuk duhet të dekurajohet nga vota britanike dhe duhet të vazhdojë me integrimin për në BE, tha Denis Zvizdiç, kryetari i këshillit të ministrave të Bosnjës.
Por tani pranohet që gjendja e trazuar nga largimi britanik, që ndodhi në një kohë kur BE nuk ishte shumë entuziaste për zgjerimin e vet, me gjasë do ta vonojë pranimin e shteteve ballkanike. Disa mendojnë që kanë humbur një mbështetës me Londrën.
“Frika jonë është se pas largimit të Britanisë procesi i zgjerimit do të ngadalësohet,” tha Maja Bobiç, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes Evropiane në Serbi, një grup që promovon vlerat evropiane. Ajo tha se ndërsa do të merret me largimin e Britanisë, Brukseli do të përqëndrohet te mënyra e konsolidimit të BE dhe jo zgjerimi.
SHFAQEN VËSHTIRËSI
Për Serbinë vështirësitë u shfaqën që të hënën, kur ajo nuk arriti dot të fitonte përkrahjen që i duhej nga Britania për fazën tjetër të negociatave. Zyrtarët serbë thanë se shkaku ishin arsye teknike lidhur me daljen e Birtanisë nga BE.
Kryeministri i serbëve të Bosnjës, Zeljka Cvijanoviç, tha se anëtarët që aspirojnë duhet ta pranojnë se anëtarësimi në BE do të vonohet nga dalja e BE, “sepse BE do t’i duhen disa vite që të konsolidohet dhe t vazhdojë me reformat që duhet t’i kishte bërë shumë vite më parë, për parandaluar një gjë të tillë.”
Analisti Igor Gavran tha se Bosnja duhet të presë sprapsje pas largimit të Britanisë nga BE, “sepse Britania ishte një nga vendet që e mbështeti haptazi integrimin e Bosnjës në BE.”
“Ne e dimë kontributin e madh të Britanisë së Madhe që ka dhënë për ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe do të jetë e vështirë që një vend tjetër ta mbushë këtë boshllëk,” i tha ai medies lokale.
Një zyrtar shqiptar tha se vendi i tij e kishte vënë re që kriza të mëdha si ajo e emigrantëve, euros dhe Greqisë i shpërqëndruan liderët e BE dhe nuk i kushtuan vëmendje Ballkanit.
Negociatori i Malit të Zi me BE, Andrija Pejoviç, ishte optimist që negociatat e anëtarësimit do të vazhdonin sipas planit, por pranoi që çështjet ishin të paqarta.
“Në ditët e ardhshme do të shohim se ç’qëndrim do të mbajnë institucionet e BE për këtë çështje,” tha ai.
Për Maqedoninë, asgjë nuk ka ndryshuar pas daljes së Britanisë. Kërkesa e saj në BE vazhdon të jetë e bllokuar nga mosmarrëveshje për emrin e saj me Athinën, e cila thotë se emri Maqedoni duhet t’i mbetet vetëm provincës së saj të Maqedonisë.