Në një intervistë* për Postbllok, Kryetari i ri i sapozgjedhur i Bashkisë tregon të gjithë vizionin e tij për transformimet dhe deformimet që do të sjellë në këtë bashki, të cilën e konsideron model për të gjithë fshatrat në vend. Ai zotohet se do të ndërtojë Tramvajin Zallbastar – Ndroq, terminalin e autobusëve ndër-rural në shkallë kombëtare, si dhe do ta zgjasë bulevardin Zogu i Parë deri në Shkallën e Tujanit. Kryetari i ri zotohet se do të liberalizojë taksën për shitjen me pakicë të fruta-perimeve duke i dhënë përparësi shitjes së fiqve.
Z. Veliaj, si e ndjeni veten tani që u mandatuat për të qenë Kryetar i Bashkisë së Tiranës?
Ky është kurorëzimi i një përpjekjeje titanike që ne kemi bërë për të ardhur deri këtu. Janë vite të tëra përballjeje me qeverinë kur ishim në opozitë dhe muaj të tërë përballjeje me opozitën tani që jemi në qeveri: një opozitë destruktive që nuk të lë të punosh dhe të shijosh frytet e punës tënde. Por sot, ne ia dolëm. Ua kam premtuar që herët shqiptarëve këtë, me sloganin që patëm kur hymë për herë të parë në zgjedhje me partinë G99: «Ne do t’ia dalim». Dhe vërtetë ne ia dolëm.
Nuk ka qenë e lehtë për të ardhur deri këtu. E mbaj mend si sot, kur shisja fiq në treg. Isha ende i vogël atëherë, por kuptova se njeriu ka fuqinë të bëjë gjëra të mëdha. E dija se ky ishte veç një hap në rrugën time, një hap i vogël, por i domosdoshëm, për të ndërmarrë çdo rrugëtim të gjatë. A e dini pse? Sepse hapat e vegjël janë gjithmonë edhe më të sigurtë. Natyrisht të duhet dhe një dorë e fortë për t’u mbështetur dhe i jam mirënjohës Kapitenit të anijes sonë për dorën e ngrohtë me të cilën më ka përkrahur. Sidoqoftë, falë gjithë kësaj përpjekjeje, e gjithë këtij përkushtimi, gjithçka mund të arrihet.
I bëj thirrje lexuesit tuaj, ty atje që po lexon këta rreshta me telefon në dorë, ndërsa ngrohesh në diell duke pirë kafen e përditshme, mos rri kot. ngrihu dhe bëj diçka, shit fiq, mollë, dardha pjeshkë, mend, vota! Një ditë kjo mund të të çojë larg!
Mendoni se shitja e fiqve ka ndihmuar në fitoren tuaj?
Patjetër që po. Kur ti bën gjëra të vogla arrin të kuptosh se je i aftë të bësh edhe gjëra të mëdha. Pak a shumë edhe politika është e njëta gjë. Të duhet t’i mbash fiqtë të freskët, t’i lagësh me ujë, të zgjedhësh ata më të mirët në pamje për t’i vendosur në sipërfaqe, të dish t’i ekspozosh, por dhe, mbi të gjitha, të dish t’ua ofrosh klientëve. Për këtë duhet art më vete. Për t’i shitur dikujt diçka duhet të dish fillimisht ti blesh atij mendjen. Më pas e ke të lehtë t’ia mbushesh atë me çfarë ti do. Kjo kërkon lloj-lloj marifetesh që nuk mund t’i mësosh as në shkollë. Asgjë më shumë se kaq nuk kam mësuar në Grand Valley State University në Michigan – për të cilën disa faqezinj të doktorit thonë se nuk e kam mbaruar. Asgjë më shumë nuk kërkon edhe politika.
Si i gjykoni ata që tallen kur ju thoni se keni shitur fiq!
Kjo është një ligësi e tyre, ligësi e njerëzve që nuk janë kurajozë dhe nuk kanë ditur të marrin iniciativa në jetë. Une kam shitur fiq, ashtu si çdo shqiptar ka shitur diçka: banane, fara, cigare, drogë, shtëpinë (për t’i futur lekët te Sudia), gratë apo motrat (në trotuaret e Italisë), komishiun apo vëllain (në degën e brendshme, në kohë të Enverit) etj… Fundja të shesësh fiq nuk është turp, por është një punë e ndershme, ashtu siç është një punë e ndershme të shesësh banane, mend apo vota. Jam krenar që di të shes dhe jam krenar që kam ditur të gjej gjithmonë njerëz që blejnë.
Çfarë do të bëni në bashki gjatë mandatit tuaj katërvjeçar?
Gjëja e parë është që do të kujdesem që ky mandat të pasohet nga një mandat i dytë. Dhe këtë do t’ia arrij nëpërmjet punës sime, nëpërmjet përkushtimit, nëpërmjet të gjitha marifeteve që i di veç unë, dhe sigurisht nëpërmjet përkrahjes së ngrohtë të Kapitenit tonë, e cila nuk do më mungojë në asnjë rast, sepse unë di si t’ia dal që të mos e zhgënjej kurrë.
Ndonjë projekt konkret keni për Tiranën?
Këtë do të thoja. Kemi projektin për ndërtimin e një trami për kryeqytetin, projektin për vazhdimin e bulevardit Zogu i Parë, projektin për ndërtimin e një terminali të madh autobusësh, etj.
Po këto sikur janë projekte të paraardhësit tuaj Basha?
Projektet nuk janë të atij që i thotë i pari, por të atij që i realizon. Ne dimë t’i mbajmë premtimet. Jo vetëm kaq, por ne do t’i zgjerojmë ato. Psh. Terminali i Autobuzëve nuk do të jetë vetëm për linjat ndërurbane. Tani që bashkitë janë shkrirë me komunat, ky terminal do të ketë linja në çdo fshat qytetar të vendit. Po kështu tramvaji nuk do të jetë vetëm për brenda Tiranës, por do të shkojë nga Zallbastari në Ndroq. Edhe projekti për bulevardin do të ketë zgjerim, por vetëm se do t’i bëjmë edhe një devijim për ta dërguar deri në Tujan, sepse Paskuqani nuk është më pjesë e Tiranës dhe na duhet një kthesë e fortë në formë S-je për ta çuar deri në skaj të qytetit tim, nëse e keni para sysh hartën e re të Bashkisë Tiranë.
Çfarë do të bëni për komunat që i janë bashkangjitur tashmë kryeqytetit?
Do të integrojmë fshatin me qytetin dhe tashmë, siç e ka thënë edhe Kapiteni, do të jemi të gjithë të barabartë: të gjithë fshatarë. Nuk do të ketë më dallim ai që jeton në Shën Gjergj nga ai që jeton në Bllok. Do të sjellim në Tiranë fiqtë e Shën Gjergjit, në çdo supermarket dhe do të çojmë në Shën Gjergj e Zallbastar, pub-et dhe teatrot e kryeqytetit. Tirana do të jetë kryeqytet model për të gjithë fshatrat qytetare të Shqipërisë.
Përveç kësaj do të bëjmë shumë për njerëzit e thjeshtë. Në filozofinë tonë gjërat që duhen bërë nuk janë vetëm gjërat e mëdha, por edhe ato të vogla dhe projektet e vogla janë edhe më të thjeshta se ato të mëdha, ndaj do t’ia nisim me këto të voglat (ndalet pak, mbase i habitur nga ngjashmëria me urtësitë e akademik Nardit).
Çfarë do të bëni në këtë drejtim?
Siç kam bërë edhe më parë do fillojmë nga shtresat në nevojë. Do rrisim asistencën sociale me 200 lekë të reja në muaj. I kemi të gjitha të projektuara dhe detajuara, madje edhe shpenzimet me zërat përkatës. Kemi llogaritur se kostoja e këtij projekti do të shkojë 500 lekë për çdo përfitues.
Si 500 lekë shpenzime për t’i dhënë 200 lekë një të varfëri?
Po. Sepse projekti është një superprojekt. Llogarit këtu skenografinë e përgatitur kur secili prej tyre të vijë dhe të tërheqë shtesën përkatëse, llogarit kamerat HD me kran dhe e studio regjie, karriket, sallën, ndriçimin, tapeti i kuq, arredimi i sallës, posterët, spektatorët me pagesë, spotet televizive… Të siguroj që kemi zgjedhur koston më të lirë të mundshme, nga të gjitha alternativat që kemi parë dhe këtë e kemi bërë që të mos rëndojmë xhepat e qytetarëve.
Do të vazhdojmë me romët, të cilëve do t’u shpërndajmë plasmas falas për tendat që ngrenë buzë lumenjve si vende banimi. Më tej do të vazhdojmë me gratë e dhunuara, të cilave do t’iu japim nga një kartë AMC falas (tani që është bërë gjermane) për të denoncuar dhunën. Karta do të ketë të përfshirë një ofertë 10 mijë lekëshe, sepse mund t’iu mbarohen impulset duke folur me policinë që nuk vjen. E shumë projekte të tjera.
Ah po, do të ndërtojmë gjithashtu një treg modern frutaperimesh për minorenë ku ata mund të shesin gjithçka pa taksa. Këtë do ta bëjmë në mënyrë që të rrisim shancet e çdo fëmije e të riu që të bëhet dikush, duke shitur fiq, rrush, pjeshkë, shalqi, muçmolla, caraca etj. Po kështu do të përpiqemi të mbajmë gjallë shpresat edhe për pencionistët, të cilëve do t’iu krijojmë një sallë multimediale publike ku ata të mund të mblidhen e të luajnë domino. Nuk i dihet asnjëherë: kujtdo mund t’i trokasë fati e t’i bjerë dopiogjashta (buzëqesh, teksa ul shikimin përdhe i vetëkënaqur).
Z. Kryetar ju falemnderit!
Ju falenderoj edhe unë juve dhe falenderoj të gjithë ata që më përkrahën e mbështetën në udhën time. Falenderoj miqtë e mi të tregut të frutaperimeve që më kanë inkurajuar përherë, shokët e shkollës në SHBA që më kanë dhënë kopje gjatë provimeve, djemtë dhe vajzat e Mjaftit që kanë ndarë me mua kohën e tyre në çdo parti e koncert-protestë që kemi bërë, mamanë time që është më e mira në botë, dhe, mbi të gjithë, atë pa të cilin askush nga ne nuk do të mund të ishte dikush, Kapitenin, timonierin dhe njëkohësisht marinarin e parë të anijes sonë që nuk di të ndalet!