Philippe Ariès
Në fund të shek. XV, ne shohim se temat që kishin të bënin me vdekjen filluan të merrnin një kuptim erotik. Në vallëzimet më të vjetra të vdekjes, Vdekja zor se e prekte të gjallin për ta paralajmëruar, apo paracaktuar atë. Në ikonografinë e re të shek. XVI, Vdekja e përdhunonte të gjallin. Prej shek. XVI e deri në shek. XVIII, skena të panumërta, apo motive në art dhe letërsi e shoqërizojnë vdekjen me dashurinë, Thanatosin me Erosin. Këto janë tema erotiko-makabre, apo thjesht të sëmura, të cilat tregojnë mirëdashje të skajshme ndaj spektaklit të vdekjes, vuajtjes dhe torturës. Xhelatë atletikë, lakuriq, rrjepin lëkurën e Shën Bartolomeut. Kur Bernini paraqiti bashkimin mistik të Shën Terezës të Avilas me Zotin, pranëvendosi imazhet e agonisë së vdekjes dhe dalldisë orgazmike. Teatri barok i luajti skenat e tij të dashurisë në varre, – si ajo e Kapuletëve. Letërsia makabre e shek. XVIII bashkoi murgun e ri me bukuroshen e vdekur mbi të cilën ai po vigjilonte.
Njëlloj si akti seksual, vdekja që aty e këtej mendohej përherë e më tepër si një shkelje që e largon njeriun prej jetës së përditshme, nga shoqëria racionale, nga puna monotone, në mënyrë që ta bëjë t’i nënshtrohet një mësymjeje që e zhyt në një botë irracionale, të dhunshme dhe të bukur. Njëlloj si akti seksual, vdekja për Markezin de Sade është një shkëputje, një prishje. Kjo ide e prishjes është diçka tërësisht e re. Deri në këtë pikë theksi është vënë mbi familjaritetin me vdekjen dhe me të vdekurin. Ky familjaritet nuk bënte përjashtim as për të pasurin dhe për të fuqishmin nga shpërngritja e individualizmit që filloi në shek. XII. Vdekja u bë një ngjarje më e rëndësishme, një ngjarje që meritonte përsiatje të gjata, por nuk u bë as frikësuese as zaptuese, ajo mbeti e pranuar dhe e zbutur. Por prej tani e tutje ajo do të mendohej si një shkëputje. Ky nocion i shkëputjes lindi dhe u zhvillua në një botë fantazmash erotike dhe kaloi mandej në botën reale dhe ngjarjet e ndodhura.
Natyrisht, në këtë pikë i humbi karakteristikat erotike, apo të paktën ato u sublimuan dhe u thjeshtuan në të Bukurën. Vdekja nuk ishte më e dëshirueshme si në romanet thriller, por ishte e adhurueshme në bukurinë e vet. Kjo është ajo që mund të konsiderohet si vdekja romantike, e cila gjendet tek Lamartine në Francë, familja Bronte në Angli dhe Mark Twain në Amerikë […].
Në të shkuarën vdekja në shtrat ishte një ngjarje solemne, por në të njëjtën kohë një ngjarje po aq banale sa ç’ishin festat stinore. Njerëzit e prisnin dhe, kur ajo ndodhte, ata ndiqnin ritualet e parashtruara nga zakoni. Por në shek. XIX një pasion i ri i trazonte të pranishmit. Emocionet i tronditnin, ata qanin, luteshin, bënin gjeste. Ata nuk refuzonin t’i nënshtroheshin veprimeve të urdhëruara nga zakoni, përkundrazi. Por ndërsa i ndërmerrnin ato ata i zhvishnin nga natyra e tyre banale dhe zakonore. Prej këtu e më tej këto veprime u përshkruan sikur të ishin shpikur nga e para, spontanisht, të frymëzuara nga një dhimbje dërrmuese, e cila ishte e pashoqe mes keqardhjeve. Sigurisht që shprehja e ligështimit prej atyre që mbeteshin ishte për hir të një mosdurimi të ri ndaj ndarjes. Por njerëzit nuk turbulloheshin vetëm kur ishin pranë shtratit të atij që po shkonte, apo nga kujtimet për të. Ata prekeshin nga vetë ideja e vdekjes […].
Ndryshimi i dytë i madh ka të bëjë me marrëdhënien midis njeriut që po vdes dhe familjes së tij. Deri në shek. XVIII vdekja ishte çështje e njeriut të cilin ajo e kërcënonte dhe vetëm e atij. Pra, i takonte secilit njeri të shprehte idetë, ndjenjat dhe dëshirat e veta. Për këtë gjë ai kishte një vegël të gatshme: vasietin dhe testamentin, i cili ishte më shumë sesa një dokument i thjeshtë ligjor për ndarjen e pasurisë. Prej shek. XIII në të XVIII vasieti ishte forma përmes së cilës çdo njeri mund të shprehte – shpesh në një mënyrë mjaft personale – mendimet e veta të thella; besimin e vet fetar, lidhjen me pasurinë e vet, me gjërat që ai kish dashur dhe me Zotin; dhe vendimet që ai kish marrë për të siguruar shpëtimin e shpirtit të tij dhe prehjen e trupit.
Ndërsa qëllimi i klauzolave të devotshmërisë, të cilat nganjëherë përbënin pjesën më të madhe të vasietit, ishte që të përfshinin publikisht përmbaruesin, drejtuesit financiarë të kishës (la fabrique) dhe priftin e famullisë, apo murgjit e manastirit, dhe t’i detyronte ata të zbatonin dëshirat e të vdekurit. Vërtetë, vasieti në këtë formë, zbulonte mosbesim, ose më së paku indiferencë ndaj trashëgimtarëve, njerëzve më të afërt, familjes dhe kishës. Prej një akti të dorëzuar tek noteri, shumë shpesh i firmosur nga dëshmitarë, individi që e linte amanetin forconte dëshirën e tij mbi ata që ishin rreth tij, që do të thotë, se ai kishte frikë se përndryshe nuk do e merrnin parasysh, apo i bindeshin. Ishte për të njëjtën arsye që ai vendoste një pllakë guri, apo metali në kishë, e cila përmbante një fragment prej vasietit që i kushtohej shërbimeve fetarë dhe trashëgimit me të cilin ato ishin pajisur. Këto mbishkrime të përhershme mbi muret dhe shtyllat e kishës ishin mbrojtje kundër të qenit i harruar, apo i shpërfillur prej famullisë dhe familjes. Ato kishin më shumë domethënie sesa shënjuesi i varrit me “Këtu shtrihet…” të tij.
Por në gjysmën e dytë të shek. XVIII, një ndryshim i tejet i madh ndodhi në vasiete. Ne mund të parakuptojmë se ky ndryshim ishte i përbashkët për gjithë perëndimin e krishterë, protestantët dhe katolikët. Klauzolat e devotshmërisë, zgjedhja e varrit, financimi i meshave dhe i shërbimeve fetare dhe dhënia e lëmoshës u zhdukën të gjitha; vasieti u thjeshtua në dokumentin që gjejmë sot, – një akt ligjor që shpërndan pasuri. Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë e mendësive, dhe një e tillë të cilës, historiani francez Michel Vovelle i ka dhënë vëmendjen që meriton.
Pra testamenti u laicizua plotësisht në shek. XVIII. Si mund ta shpjegojmë këtë dukuri? Ka pasur një mendim (dhe kjo është teza e Vovelle) që ky shekullarizim ishte një nga shenjat e shkrishtërimit të shoqërisë. Unë do dëshiroja të propozoja një shpjegim tjetër: u bë një dallim, nga njeriu që linte amanetet, midis dëshirave të tij që kishin të bënin me ndarjen e pasurisë dhe atyre dëshirave që frymëzoheshin nga ndjeshmëritë e tij, nga përkushtimi i tij dhe dashuria. Të parat ishin ende të përfshira në vasiet dhe testament. Të fundit, që prej aty e më vonë, u shpreheshin gojarisht të afërmve të tij, familjes, bashkëshortes, fëmijëve.
Ne nuk duhet të harrojmë ndryshimet e mëdha që ndodhën në familje dhe që në shek. XVIII përfunduan të krijonin marrëdhënie të reja të bazuara në ndjenja dhe dashuri. Prej asaj kohe e më tej, njeriu i sëmurë në shtratin e vdekjes do shprehte mirëbesim ndaj atyre që ishin afër tij, gjë që u ishte mohuar më parë. Nuk ishte më e nevojshme të detyroheshin me një akt ligjor.
* Fragment nga Historia e vdekjes në Perëndim, i autorit Philippe Ariès, botuar nga Pika pa Sipërfaqe.