Mesazhi i një përralle të Andersenit (1805-1875) është se njerëzit fillojnë t’i çmojnë vlerat e të bukurës, pasi e kanë humbur atë. Në përrallën “Luleshqerra” (1838), një fëmijë ka një laureshë të cilën e do, por nuk i kushton vëmendje, dhe kënga e saj fluturon në ajër kot. Fëmija e lë aq shumë pas dore zogun, saqë një ditë ai ngordh nga etja dhe uria. Kur e gjen të ngordhur, fëmija preket, pendohet, dhe mundohet ta shlyejë fajin e tij duke i organizuar këngëtares së mjerë një varrim mbretëror.
Me shkas nga kjo përrallë, Mark Tueni trilloi një histori me personazh një piktor të vërtetë. Në qendër të rrëfenjës së tij janë katër piktorë francezë, të cilët jetonin në varfëri. Pikturat e tyre, të krahasueshme me veprat e cilitdo piktor të Europës për nga cilësia, në ratin më fatlum mund të shkëmbesheshin me një kokëlakër; një pjesë të mirë të kohës ata ushqeheshin duke blerë veresie. Një ditë, njëri prej tyre, Karli, pati një ide që, fillimisht, i shtangu shokët. Atij iu desh t’u kujtonte sjelljen e shoqërisë me piktorët, duke e ilustruar argumentin me moralin e fabulës së Andersenit: shoqëria ishte indiferente ndaj artistëve të gjallë, pavarësisht talentit të tyre. Ajo blinte me çmime të kripura vetëm tablotë me nënshkrimin e ndonjë emri të famshëm. Problemi ishte se të famshëm ishin piktorët e vdekur ose në prag të vdekjes. Dhe, sipas Karlit, ata do të dilnin nga varfëria vetëm nëse vdiste njëri prej tyre.
Pasi u njohën me skenarin, katër shokët hodhën shortin. Shorti për të vdekur i ra Fransua Milesë.
Vdekja do të ishte e ngadaltë. Në fillim tre miqtë e tjerë u shpërndanë nëpër Francë duke përhapur fjalë që një piktor i madh ishte duke vdekur. Kujtdo që i jepnin lajmin, ata i tregonin dhe veprat e tij që i nxirrnin nga çanta; ato nisën të shiteshin me çmime të larta. Pasi lajmi mori dhenë, shokët u kthyen në fshat, aty ku Mileja ishte “në grahmat e fundit”. Agonia nuk zgjati, pas pak ditësh u organizua një varrim madhështor. Njëri nga katër personat që mbante arkivolin drejt varrezave ishte vetë Fransua Mileja. Vdekja ishte e sajuar, në arkivol dergjej një manekin prej dylli. Gjatë kohës së “sëmundjes”, Mileja ishte mbyllur në shtëpi dhe prodhonte vepra me nënshkrimin e tij, të cilat vazhduan, sidomos pas vdekjes, të shiteshin gjithnjë e më shumë, përherë e më shtrenjtë, dhe katër shokët, bashkë me të “vdekurin”, siguruan një jetë luksoze.
Me vdekjen e një piktori për së gjalli lidhet dhe një histori tjetër, e Dino Buxatit, veçse ky nuk është piktor anonim e i varfër. Një mëngjes Luçio Predonzani, i cili ishte tërhequr në shtëpinë e tij në fshat, kur hapi gazetën, lexoi një lajmërim për vdekjen e tij. Gazeta kishte shkruar me nderime: “Pas një sëmundjeje të shkurtër, ndaj të cilës mjekët nuk patën fuqi, piktori Lucio Predonzani u shua brenda dy ditëve. I ndjeri e la me gojë që njoftimi për vdekjen e tij të mos komunikohej veçse pas varrimit.”
Gruaja e Predonzanit filloi të qante, e prekur nga vdekja e të shoqit, sapo lexoi gazetën që vetë ai ia tregoi. Dhe kështu, Dino Buxati vazhdon me rrëfimin e një prej historive të tij me subjekte magjike. Piktori shkon të ankohet në redaksi, por drejtori i gazetës e priti ftohtë; ai e konsideroi njoftimin një “gabim të vogël”. Pas irritimit të Predonzanit, për të cilin lajmi ishte një çemnduri, drejtori i kujtoi avantazhet e vdekjes së një piktori: “Kur vdes një artist, çmimi i tablove të tij shkon përpjetë. E kështu, pa dashje, ne ju kemi bërë një shërbim të paçmuar.”
Me hyrjen e parasë në mes, piktori Predonzani është i detyruar t’u nënshtrohet tekave të shoqërisë. Hapet një ekspozitë e tij, por me që shoqëria e do të vdekur, ai merr pjesë aty i maskuar, me mjekërr, dhe shtiret si vëllai i piktorit që jeton në Afrikën e Jugut.
Tregimet e Tuenit dhe Buxatit kanë një dallim të madh: i pari tallet me shoqërinë, i dyti me artistin. Jeta e Lucio Predonzanit kthehet në mizerje pas “vdekjes”, pavarësisht fitimeve që i solli vepra. Megjithëse jeton në një shtëpi me të, ai është i vdekur dhe për të shoqen, e kështu ai vazhdon të shikojë një të vërtetë të madhe që shpesh artistët, të pushtuar nga egocentrizmi i tyre ekstrem, e anashkalojnë: që dielli lind e perëndon si më parë, që amvisat shkudin qilimat çdo mëngjes si më parë, që trenat shungullojnë, njerëzit hanë e dëfrejnë përballë parkut, si më parë. E kështu piktori Predonzani shkon dhe futet në arkivol me dëshirë, pa bujë, i vetmuar.
Në letërsinë shqipe nuk gjendet një histori e ngjashme, në histori po.
Në 16 tetor 1980, në Pogradec erdhi për turne një grupi artistik “Besa”, nga Gostivari. Tomi Mato, drejtor i teatrit të Pogradecit, ishte në delegacionin që e priti grupin në doganën e Qafë Thanës. Sipas rrëfimit të tij, një vazjë në autobusin e artistëve të Gostivarit mbante në dorë një tufë lule. Kur ai e pyeti vajzën se kujt do t’ia dhuronte ato, ajo u përgjigj: “Trëndafilat m’i dha babai, karafilat i kam unë. Do t’i shpie te vorri i Lasgush Poradecit.” Pas shpjegimeve të Tomi Matos, Qamilja i kërkoi shoferit të ndalte autobuzin, u ngrit në këmbë, dhe deklaroi: “Lasgushi është gjallë! Sonte e kemi në shfaqje!” Pak më vonë, vajzat e panë poetin në ballkonin e shtëpisë të tij, ku ai doli pas thirrjes që i bënë nga jashtë, pastaj zbriti te porta dhe i takoi artistet e reja.
Gjatë diktaturës, megjithëse “i vdekur” për katër dekada, Poradeci jetoi, si gjithë qytetarët shqiptarë, në varfëri ekstreme. Historia e tij, megjithatë, nuk është skaji i marrëzive që prodhoi diktatura. Në 1987, kur poeti vdiq vërtetë, kishin kaluar 20 vjet e 32 ditë nga dita kur Shqipëria komuniste shpalli publikisht se kishte dalë nga binarët në mënyrë të pakorrigjueshme. Në 15 nëntor 1967, KQ i PPSH pranoi anëtare në parti Shkurte Pal Vatën, e cila ishte tre vjet më e vogël se mosha e lejuar me status për t’u anëtarësuar, dhe, për më tepër, ajo kishte vdekur 10 ditë më herët, pas një aksidenti në hekurudhën Rrogozhinë-Fier. Për këtë fakt ishin në dijeni gjithë anëtarët e KQ. Në 10 nëntor, diktatori e kishte ngushëlluar të atin e vajzës përmes gazetës Zërit i Popullit, ATSH dhe Radio Tiranës.