Philip Pullella
Dy anëtarë të një komisioni të ngritur nga Papa Françesku për hetimin reformave, përfshi një zyrtar të lartë të Selisë së Shenjtë, u arestuan të dyshuar për nxjerrje dokumentesh sekrete, deklaroi Vatikani të hënën. Ka qenë një nga skandalet e brendshme më të mëdha që ka prekur papatin e Françeskut deri tani, i cili të kujton “Vatileaks-in” që i parapriu dorëheqjes së ish-papa Benediktit më 2013. Monsinjori spanjoll Lucio Angel Vallejo Balda, numri dy në prefekturën për marrëdhëniet ekonomike të Vatikanit, dhe laikja italiane Francesca Chaouqui, një eksperte për marrëdhëniet me publikun, u arrestuan gjatë fundjavës, thuhej në deklaratën e Vatikanit.
Vallejo Balda, 54 vjeç, mendohet të jetë zyrtari më i lartë në hierarkinë e administratës qendrore të Vatikanit, e njohur si Kuria, që është arrestuar ndonjëherë. Chaouqui, 33 vjeçe, fotografitë seksi në Facebook-un e së cilës shkaktuan habi në Vatikan kur ajo u caktua në komision më 2013, u lirua të hënën pasi ajo ra dakord të bashkëpunonte me hetimin, thuhej në deklaratë.
Vatikani tha se nxjerrja e dokumenteve përbën “shkelje serioze të besimit që u kishte dhënë papa”, pa dhënë detaje të tjera. Nuk pati koment të menjëhershëm nga Vallejo Balda dhe Chaouqui, ose avokatët e tyre. Të dy ishin anëtarë të komisionit që papa Frençesku ngriti menjëherë pas zgjedhjes në detyrë për ta këshilluar atë për reformat administrative dhe ekonomike në Kuria. Komisioni e përfundoi punën vitin e kaluar dhe i dorëzoi një raport papës, i cili për rrjedhojë bëri disa ndryshime në Vatikan, përfshi ngritjen e një ministrie të re për ekonominë.
Arrestimi i dyfishtë u bë vetëm pak ditë para se dy shkrimtarë italianë pritej të botonin dy libra, botuesit e të cilëve thonë se do të zbulojnë fakte të reja nga skandalet në Vatikan dhe hedhin dyshime për konspiracion nga garda e vjetër për të penguar reformat e papa Françeskut.
Hijet e “vatileaks”
Këto ishin arrestimet e para që kur Paolo Gabriele, truproja e Papa Benediktit, u arrestua më 2012 për vjedhjen e dokumenteve nga tavolina e papës dhe nxjerrjen e tyre. Ato dokumente përfshinin letra për papën nga zyrtarët e Vatikanit që i ankoheshin ish-papës për korrupsionin e dyshuar në Selinë e Shenjtë.
Një nga dy librat që pritet të botohet të mërkurën është “Tregtarët në tempull”, i gazetarit italian Gianluigi Nuzzi, libri i të cilit më 2012, “Shenjtëria e tij”, u bazua në dokumentet që i dha Gabriele. Gabriele u dënua dhe vuajti disa muaj burg në qelitë e Vatikanit para se papa Benedikti ta falte dhe të lirohej. Tani ai punon në një spital që punon nën kujdesin e Vatikanit. Libri tjetër, i titulluar “Kopraci”, është shkruar nga gazetari italian Emiliano Fittipaldi.
Vatikani tha se policia e tij kishte hetuar zhdukjen e dokumenteve gjatë muajve të fundit. Deklarata i akuzoi gazetarët se përpiqeshin të përfitonin nga dokumente të vjedhura, duke e quajtur “një veprim të rëndë të paligjshëm”. Libra të tillë “gjenerojnë interpretime të paqarta, të pjesshme dhe tendencioze”, thuhej në deklaratë. Deklarata shtonte se Vatikani mund t’u kërkonte autoriteteve italiane të ndërmerrnin veprime të pa specifikuara ndaj autorëve.
Është hera e tretë që Vatikanit i është dashur të merret me trajtimin e nxjerrjes së dokumenteve këtë vit. Në qershor, enciklika e papës për çështjet e mjedisit u nxor para se të publikohej dhe muajin e kaluar një letër private nga 13 kardinalë konservatorë, që ankoheshin për një takim të ipeshkëve mbi çështje të familjes, u botua nga një revistë italiane.