Për të pranuar Tjetrin ashtu siç Tjetri është, së pari duhet të pranojmë Veten siç ajo është. Pranimi i Tjetrit ndërkohë që akoma nuk kemi pranuar Veten, është vetëm një iluzion, ose shtirje në emër të shoqërores/publikes imagjinare.
Ne kemi nevojë ta respektojmë njëri-tjetrin, jo ta tolerojmë. Zëvendësimi i respektit me tolerancën jo vetëm që shkakton diferencime të paqenësishme – duke e vënë toleruesin automatikisht në një pozitë superiore –, por bën që marrëdhëniet në shoqëri të jenë thellësisht formale. Një rast tipik për këtë është Shqipëria. Le ta shohim këtë në pikëpamjen e asaj që tradicionalisht emërohet si dinjitet njerëzor: cili nga ne do pranonte të ishte i toleruar, dhe jo i respektuar?
Nocioni “tolerancë” buron nga fjala latine tolerare, dhe se në thelb do të thotë “të durosh” dikë, diçka ose një situatë të caktuar. E cili pra është ai që nuk do ndjehej i fyer nëse vjen në përfundimin se vetëm po e durojnë, se nuk kanë zgjidhje tjetër, në vend që ta respektojnë (Muhiq, 2013)?
Toleranca e anashkalon dinjitetin njerëzor si të tillë, me të cilin lind çdo njeri, dhe aktivizohet vetëm në raport me atë çfarë qenia ka marrë apo pranuar postum, që ndryshe mund ta quajmë edhe përkatësi botëkuptimore. Kjo do të thotë se marrëdhëniet ndërmjet njerëzve janë përqendruar tek ajo që na dallon nga njëri-tjetri, duke harruar atë që na bashkon, të cilën e posedojmë dhe e gëzojmë të gjithë që në kryeherë, mbi dhe për të cilën është zbuluar dhe është ngritur çdo botëkuptim: për njeriun e drobitur gjer në tëhuajësim nga aventura e dallimeve. Ja pse është kaq sublime krijimtaria artistike, veçmas poezia, sepse i drejtohet njeriut, pavarësisht botëkuptimit, racës, kombësisë, gjinisë, profesionit etj.
“Në fakt, të flasësh për tolerimin dhe tolerancën, kjo merr kuptim vetëm nëse jemi në pozicionin që ta pengojmë, ta ndërpresim ose ta ndalojmë një sjellje të tillë. Për shembull, fëmijët, objektivisht nuk janë në gjendje t’i tolerojnë veprimet ose qëndrimet e prindërve të tyre, por prindërit ndodhen në ato situata ku u duhet të jenë tolerantë ose jotolerantë ndaj sjelljes dhe mendimeve të shprehura nga fëmijët e tyre. Ose, në një shembull tjetër, toleranca fetare paraqet lejimin nga feja dominuese, që në fushën e dominimit të saj të veprojnë edhe fe të tjera, edhe nëse ato nuk janë të miratuara nga doktrina zyrtare ose konsiderohen si inferiore, të gabuara, ose, madje, edhe të dëmshme, ndonëse ajo ka instrumente autonome, apo instrumente shtetërore për të penguar veprimin e tyre të lirë. E kuptuar në këtë kontekst dinamik, toleranca, para së gjithash, paraqet praninë e një dallimi objektiv në statusin hierarkik ndërmjet palës që kërkon të jetë e toleruar dhe palës që vendos se a do tolerojë. E artikuluar më konkretisht, ky status hierarkik shprehet si posedim i fuqisë objektive, e cila përfshin edhe mundësi për ndalesë aktive dhe pengim të veprimit dhe mendimit të mundësive të tjera religjioze.
Sipas kësaj, kur shihet në mënyrë integrale, si relacion i përcaktuar hierarkik i palës inferiore dhe superiore, toleranca, në radhë të parë, mund të barazohet me çështjen e marrëdhënies së të dobëtit me të fortin, ku pala e dobët kërkon ndryshim të qëndrimit të zakonshëm, të represionit nga më i forti mbi më të dobëtin dhe pret gatishmërinë e tij vullnetare për “të duruar” diçka që në çdo çast mund të pengohet, ndërpritet dhe ndalohet në mënyrë efikase. Pikërisht për shkak të kësaj, në aspektin historik, toleranca është një relacion që testohet ndaj pakicave në përgjithësi. E testuar në mesjetë, para së gjithash ndaj përcaktimeve religjioze të bashkësive më të vogla sociale të shteteve me fe dominuese zyrtare, sot ajo është shtrirë edhe ndaj bashkësive etnike, grupeve politike, homoseksualëve etj., ku me këtë rast, Konventa për të Drejtat e Njeriut përfshin edhe detyrimin ligjor të çdo shteti për tolerancë në të gjitha rastet” (Muhiq, 2013).
Me gjasë, ajo që i shtyn shumë njerëz t’i japin përparësi tolerancës e të mos jenë në gjendje të përbrendësojnë respektin karshi Tjetrit, është të menduarit apo mendësia ekskluziviste, që nënkupton se e vërteta, e drejta, e mira, e reja etj., është me mua, a thua se kanë në dorë copyright-in për këtë, apo sikur e vërteta është monopol i tyre. Për rrjedhojë, kjo mendësi nuk lë asnjë mundësi që të ndërtosh një marrëdhënie të hapur karshi asaj çfarë Tjetri është dhe çfarë ai posedon. Kjo nuk do të thotë aspak që bindjen për botëkuptimin apo mënyrën tonë të jetesës ta vëmë në dyshim, e të luftojmë me veten për të mos qenë asnjëherë të bindur për hir të Tjetrit – jo. Ashtu sikurse është pjesë e natyrës së njeriut të dyshojë, – gjë që pas Descartes-it e këndej është kthyer në një mit në mendimin europian – po ashtu është po aq pjesë e natyrës së njeriut, – në mos më afër tij – të gjejë e të provojë bindje.
Nga ana tjetër, nëse do perifrazonim Wittgenstein-in, mund të themi se të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme, që nuk ka një fund, nuk është më dyshim. Sikundërse nuk mund të quhet bindje ajo gjendje e cila e mbyll njeriun në vetvete duke e bërë të vetëmjaftueshëm; duke e bërë që të besojë se e drejta është vetëm në anën e tij dhe se Tjetri a priori është gabim; duke mos e lejuar pra të dëgjojë Tjetrin; duke e privuar kësisoj nga dialogu, që përbën një prej përvojave më të qenësishme në jetën e qenies, një pasqyrë pa të cilën nuk bëjmë dot; përndryshe, fare mirë mund të përfundojmë si uji i ndenjur, që nuk merr e as nuk jep, duke iu shtuar era e keqe çdo ditë e më shumë.
Te romani Robinson Crusoe, Defoe na tregon se njeriu mund të jetojë edhe vetëm në një vend, siç është rasti me ishullin, por për njëfarë kohe ama, pasi në të kundërt, nëse vendos të jetojë në vetmi përgjithmonë, ai mund t’ia dalë, por duke shtypur e ndrydhur disa veti bazë të karakterit dhe disa sjellje kyçe të cilat kanë kuptim dhe janë të mundura vetëm me Tjetrin. Fjala vjen, nëse do nisemi nga imperativi kategorik, një parim i lashtë sa vetë njeriu, të cilin Kant-i vetëm sa na e ka kujtuar nëpërmjet një formulimi tjetërsoj, që njeriu duhet të veprojë vetëm në atë mënyrë që maksima e vullnetit të tij të jetë edhe parim i legjislacionit të përgjithshëm, atëherë, ai që vendos të jetojë i vetëm duhet të ndërmendet se nëse edhe të tjerët do vepronin si ai, për afro gjysëm shekulli a diç më shumë nuk do kishte këmbë njeriu mbi tokë.
Po parimi tjetër, që edhe ky e ka shoqëruar njeriun që në krye të herës: të duash për tjetrin atë që do për veten, ose të mos i bësh tjetrit atë që tjetri nuk do të doje të ta bënte ty – po ky parim, si mund të kuptohet e aq më pak të jetohet kur je i vetëm pa askënd?! Natyrisht që nuk është e mundur. Po buzëqeshja, a mund të ketë kuptim pa Tjetrin?
Çdo njeri mbetet një qenie më vete, pra e vetme, e patëdytshme; fatin dhe përgjegjësinë i ka vetjake; vjen vetëm në këtë botë dhe ikën po vetëm; dhe siç e thotë poeti, “të tjerët mund ta bëjnë rrugën me ty, por jo për ty”. Ama, për aq sa është në këtë udhëtim, njeriu është i lidhur pazgjidhshmërisht me Tjetrin.
“Të jerët mund ta bëjnë rrugën me ty…”, dhe rruga bëhet më e lehtë kur herë pas here ia jep dorën Tjetrit dhe ai ta jep ty.