“Shqypnia u bâ, tash duhen bâ shqyptart” – thoshte Gjergj Fishta duke huazuar një frazë emblematike të Massimo D’Azeglio-s. Pikërisht këtë na dha ndeshja Serbi-Shqipëri dhe vendimi i UEFA-s. Ngjarja rishfaqi tablonë e bashkimit tradicional të shqiptarëve vetëm në ditë të këqija, dhe ndryshe nga herët tjera, kësaj rradhe na la të shpresojmë se do të vijë dita kur të jemi të bashkuar dhe në të mirë e në sukses.
Pas vendimit të padrejtë të UEFA-s zemërimi i tifozerisë ishte i kuptueshëm, por reagimet e pseudo-politikanëve kurrsesi nuk vinin nga i njëjti zemërim, sepse ekzistojnë ngjashmëri perfekte mes politizimit të UEFA-s dhe etikës politike në Shqipëri.
Së pari, nëse tani që gjakrat janë ftohur ulemi dhe meditojmë për një moment, pyetja që do t’i bënim vetes është: a legjitimohen politikanët tanë për të kërkuar drejtësi tek UEFA duke e akuzuar për njëanshmëri? Është paradoksale të akuzosh një sistem si të korruptuar e të rrethuar nga lobe ekonomiko-politike, dhe nga ana tjetër të abuzosh me të – sigurisht abuzimi është në nivel kombëtar.
Së dyti, politikanët tanë nuk kanë të drejtë të akuzojnë palën serbe, as UEFA-n, sepse më mirë se çdo kush ata udhëhiqen nga interesat personale. Nga momenti kur parlamenti u zbraz nga deputetët intelektualë dhe u mbush me njerëz të dhunës, krimit dhe lobeve të caktuar ekonomike, rregulli i mbrojtjes me çdo kusht i interesave personale u bë parimi bazë i demokracisë sonë. Nisur nga kjo perspektivë, askush nuk legjitimohet të akuzojë me arsyetimin se pala kundërshtare po luan sipas rregullave të lojës tashmë të pranuar dhe kthyer në parime bazë. Ka një ngjashmëri pra në esencë mes politikanit shqiptar e vendimit të UEFA-s dhe një ngjashmëri të sistemit me të cilin ata operojnë.
Duke shpresuar që apelimi të japë drejtësi, ndryshe nga çfarë dha “arbitrazhi politik”, uroj që politika shqiptare të nxitet, qoftë edhe tërthorazi, në mbrojtjen e interesave kombëtare, siç bënë homologët serbë. Mbase ky ishte një rast i mirë për rritjen e ndjeshmërisë qytetare, të atyre që mendojnë se Shqipërisë i duhen më shumë vepra sesa fjalë, dhe me siguri po të ishte Fishta gjallë do thoshte: “Shqyptart u bân, tash duhen bâ politikant”.