Ergys Mërtiri
Rivendosja e barrikadës në urën e lumit Iber që ndan Mitrovicën nga pjesa tjetër e Kosovës tregon dështimin e politikës ndërkombëtare dhe asaj të institucioneve shtetërore në Kosovë, mbi një zgjidhje të problemeve. Pas heqjes së barrikadës, serbët e rivendosën përsëri, madje tashmë e përforcuan me beton, duke mbetur të vendosur në projektet e tyre separatiste. Qytetarë të shumtë kanë protestuar dje duke u përleshur me policinë, e cila ka përdorur dhunën për të shpërndarë protestuesit. Eshtë e trishtueshme të shohësh një popull që pas kaq mundimesh, i duhet ende të përleshet për të drejtat e tij.
Liderët politikë u kanë kërkuar qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të besojnë tek zgjidhjet institucionale, mirpo askush nuk duket ka më një fije shpresë, tek Thaçi, Jahjaga apo edhe kandidati për kryeministër nën mëngë, Ramush Haradinaj. Dalja e qytetarëve në rrugë, është rezultat i mosimpenjimit të duhur të politikës kosovare në zgjidhjen e problemeve dhe tashmë politika nuk ka autoritet për t’i mbajtur njerëzit në shtëpi. Mungesa e kurajos politike për të qenë vërtetë palë në bisedime, duke u bërë totalisht të bindur ndaj verdiktit të ndërkombëtarëve, – përveç korruptueshmërisë e cila gjithashtu i bën të jenë edhe më të varur nga të huajt, – i ka detyruar qytetarët të marrin në dorë fatin e vendit, duke hyrë vetë në fushë për të thënë fjalën e tyre. Ata ndjejnë se politikanët nuk i përfaqësojnë më ndaj dhe nuk mund të jenë palë e popullit në debatet e zhvilluara.
Pakënaqësitë ndaj bisedimeve me Serbinë nën patronazhin e ndërkombëtarëve, kanë qenë shumë të mëdha, për shkak të kushteve të pafavorshme që është dashur të pranohen. E megjithatë, qytetarët sot shohin se as kjo marrëveshje nuk po respektohet nga serbët, të cilët as që e pranojnë shtetin ku jetojnë. Jo vetëm kaq, por ata shohin sesi ndërkombëtarët po lejojnë ngritje kufinjsh nga pakicat serbe, ndërkohë që hedhin gaz lotsjellës ndaj protestuesve. Ata ndjejnë se shteti për të cilin luftuan dhe dredhën gjak, nuk është ende i tyre dhe ky është zhgënjim i madh.
Në perceptimin e qytetarëve sot, Europa është me persekutorët e djeshëm kundër viktimave të sotme, ndërsa brenda në Kosovë ajo është me ata që nuk e njohin shtetin kundër atyre që e duan dhe aspirojnë me gjithë shpirt atë. Për ta Europa mbështet ata që e sabotojnë dhe shkelmojnë shtetin, që vendosin kufinj të paligjshëm brenda territorit, që teksa ngrenë mure me pjesën tjetër të vendit shpërthejnë kufirin me Serbinë, që nuk njohin tatime e dogana, që krijojnë struktura paralele dhe dhunojnë e mbajnë peng jetën politike në vend. Kjo ka bërë që në sytë e tyre ndërkombëtarët të humbasin besueshmërinë dhe legjitimitetin, bashkë me «shërbëtorët» e tyre në politikën vendase.
E vetmja forcë politike që ka gjetur kurajë t’i thotë gjërat ashtu siç janë, ka qenë Lëvizja Vetvendosje, e cila i është kundërpërgjigjur këshilltarit të kancelares Angela Merkel, se bisedimet me Serbinë mund të zhvillohen vetëm pasi të jenë plotësuar disa kushte: Serbia të njohë Kosovën, të heqë dorë nga pretendimet territoriale si dhe nga financimi i strukturave paralele. Kjo kurajë edhe e ka favorizuar këtë parti, duke i dhënë ngjitje të shpejtë elektorale nga zgjedhjet në zgjedhje, duke krijuar bindje tek shumë njerëz se Albin Kurti do të jetë kryeministër i së ardhmes. Nga ky këndvështrim, duket se Europa po punon paradoksalisht për Albin Kurtin.
Sidoqoftë vlen të theksohet se papjekuria dhe mungesa e ndërgjegjësimit të duhur politik në Bruksel ka bërë që gjërat të shkojnë drejt rritjes së tensionit dhe pakënaqësisë, përveç se i ka lënë problemet pa zgjidhje. Kjo do të thotë se e ardhmja nuk lë aspak shije të mirë dhe se qytetarëve do t’u duhet gjithsesi të luftojnë, për të arritur me protesta e përleshje në sheshe atë çfarë e humbin në bisedime e raporte institucionale. Kjo politikë po u mëson qytetarëve të mos besojnë tek institucionet, ndonëse iu flet gjithë ditën për to, por të kërkojnë mjete më të nxehta për zgjidhje. Ndërsa gjërat agravohen, problemet shtohen, ekonomia mbetet në vend, korupsioni rritet, kriza politike ngatërrohet gjithnjë e më shumë, qytetarët humbin shpresën dhe durimin.