Doan Dani
Tre vite përpara se të shuhej, bashkë me projektin e tij europian, i cili u formatua mbi parime të tjera shekuj më vonë, Piu II shkruan një letër për Mehmetin II – kontroverse po aq sa projekti në fjalë –, të bërë sot objekt interesimi akademik, ndryshe nga kamaret elitare shqiptare të etura për të shpikur europianizëm, që veprimin e papës e likuidojnë si “provokim” ose e përjashtojnë tërësisht, nëpërmjet selektivizmit karakterizues të studimeve historike nga mesi i shekullit të kaluar e këtej, për arsyen e thjeshtë se aty përmenden deri edhe etiopasit e arabët, por jo arbërit, dhe se mes atletëve nuk figuron emri i Skënderbeut. Të flasësh për çka ndodh në Europë nuk do të thotë të flasësh për Europën, sikurse të flasësh për Europën nuk do të thotë të flasësh për europianët, pohon G. Ortalli. Fusha e ndjesive kolektive pastaj është akoma më poroze nga ana empirike. Ka një sërë momentesh të dokumentuara që evidentojnë se edhe konteksti italian ku Piu II konceptoi një Europë me identitet ekumenik ishte në shumë aspekte heterogjen, deri në atë masë sa u regjistruan përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar raporte me Perandorinë osmane, përfshi nënshtrimin e varësinë.
Menjëherë pas vdekjes së Piut II, gjatë papatit të Palit II, në zemrën e identitetit të supozuar u zbulua i ashtuquajturi “komplot i akademikëve romanë” (1468) – pjesë e kancelarisë së Papatit –, që, në një klimë hapjeje të kultivuar nga Piu II, të influencuar nga humanisti bizantin Gjergji i Trebisondës, i cili e kishte cilësuar Mehmetin II perandor të romejve me vullnet hyjnor, shpreh padyshim forcën joshëse të Perandorisë osmane për qarqet elitare romane dhe turkofilinë gjarpëruese në sferat elitare italiane. Përpjekje politike për afrimin me Mehmetin II janë regjistruar që në vitet e Piut II, veçanërisht nga sundimtari i Riminit, vasali i Papatit, Sigismondo Malatesta, i cili i dërgoi sulltanit një kopje të manualit tekniko-ushtarak (bashkë me vizatime hartografike) De re militari, të autorit Roberto Valturio, përmes fiorentinit Benedetto Dei.
Ndër kërkesat më serioze dhe më të qarta për futjen osmanëve në Itali janë regjistruar ato të Ludovico Sforza-s, i cili, pasi kishte shpresuar në një sulm osman kundër Venedikut (1494), tashmë i rrezikuar nga avancimi i Luigjit XII, kërkoi ndihmën e ushtrisë osmane, duke premtuar në këmbim disa mijëra dukate në vit dhe nënshtrim: «I lutemi madhërisë suaj», fillon mesazhi dërguar Bajazitit II nga duka i Milanos, «që t’i bëjë presion sa më parë të jetë e mundur, jo vetëm me armatë të madhe detare, por edhe me shumë njerëz të dërguar për tokë, me rend e jo vetëm për pretim, siç është bërë më parë, se nuk do të mjaftonte, dhe duke qëndruar e vazhduar luftën për tre muaj». Alfonsi II i Aragonës dhe Bajaziti II nënshkruan një traktat lëvizjeje të lirë të nënshtetasve osmanë e napolitanë në territoret e njëri-tjetrit dhe ishin pranë forcimit të marrëdhënieve reciproke me anë të pranisë ushtarake osmane në territoret e Mbretërisë së Napolit. Në të njëjtin vit kur Piu II shkruante epistulën për Mehmetin II, mes Firences së mediçejve dhe Stambollit nënshkruhej një marrëveshje ekonomike. Më 1480 Lorenzo de’ Medici porosit një medaljon, në të cilin Mehmetin II njihej si perandor i Azisë, i Trebizondës dhe Greqisë së Madhe. Familja Este e Ferrarës, Gonzaga-t e Mantovës, në veçanti Federico II Gonzaga, zhvilluan marrëdhënie me Portën deri në avancimin e kërkesave për ndihma ushtarake. Në një letër të gjatë (mars 1526), sulltan Sulejmani i drejtohet Federico-s:
«Ju keni dëshmuar bindjen e devotshmërinë më të përkryer, nënshtrimin e bollshëm dhe dashurinë ndaj Fronit tim, të larta sa kupa e qiellit që bashkon Plejadat, kur keni pohuar: “në qoftë se do të na jepej një shërbim për t’u kryer, devotshmëria jonë më e përsosur do të mësohej nga mënyra sesi do ta kryenim”. […] çdo gjë që keni thënë është prezantuar në praninë time të bekuar dhe sinqeriteti e devotshmëria juaj më janë shfaqur përsosurisht. […] Tani marrëveshja jonë e ndritur është e lidhur me miqësinë dhe sinqeritetin tuaj, siç ekzistonin në kohën e gjyshit tim [Bajaziti II] dhe babait tuaj [Francesco II]. Nëse Zoti i plotfuqishëm e bujarë e mundëson, kur një shërbim dhe detyrë e tillë do të paraqiten, atëherë ajo do të lajmërohet dhe tregohet nga madhëria ime e fuqishme».
Por, konsideruar konteksti teorik i përplasjes mes dy blloqeve gjeofetarë dhe i lindjes së Europës, lëvizja e papa Alessandro VI (Rodrigo Borgia) është e jashtëzakonshme në llojin e saj: «ia besojmë fuqisë tënde [Bajaziti II] atë mbretëri [e Napolit] dhe të bëjmë thirrje që t’i marrësh në tutelë të gjitha tokat dhe njerëzit e saj ashtu si shtetin dhe tokat tona e të Kishës së Romës, dhe me të njëjtën mirësi të përkujdesesh për interesat e asaj mbretërie dhe tonave». I njëjti personazh, kur ishte ende kardinal, qe nisur drejt Ankonës për në kryqëzatën e organizuar nga Piu II. Fjalët janë shkruar në momente dramatike, sigurisht, kur Karli VIII po zbriste drejt Italisë për të marrë trashëgiminë e pretenduar të Mbretërisë napolitane. Këtu, qytetërimi, kultura, feja, gjeografia, identiteti neutralizohen përpara mbijetesës politike dhe, konkluzion akoma më i rëndësishëm, “ndjesia europiane”, e supozuar si produkt i përplasjes dhe i aftësisë njëtrajtësuese të ritit roman, rezulton e tejdukshme, aq sa edhe gjeografia me traditën më të hershme dhe më të konsoliduar romane, deri vetë Roma, nuk heziton të ndërtojë ura me Portën e Lartë dhe t’i ofrohet asaj kundër kërcënimeve të sundimtarëve katolikë.
Sado që është i dukshëm komponenti ideologjik në projektet e Piccolomini-t, ai nuk i “emocionon” marrëdhëniet politike europiane, madje duket se i ka të gjitha karakteristikat e aureolës që anon t’i sakralizojë projektet politike të Papatit. Ishin interesat që vinin në lëvizje diplomacitë europiane, të cilat nuk hezitonin të binin në ujdi me atë djall të supozuar oriental, dhe ishin gjithnjë interesat, kësaj here për mbijetesë politike, që i shtynë zotërinjtë ballkanikë drejt “udhëheqjes papnore”, ashtu siç kishin qenë interesat arsyeja e besnikërisë së Skënderbeut në shërbimin e sulltanit deri në moshën gati dyzet vjeçare, për më shumë vite sa ç’qe armik i tij, për interesa të tjera, gjithmonë personale. «Sikur të isha në kushtet e Alfonsit, jo vetëm do të thërrisja turqit por edhe djallin», pohonte duka i Milanos në momentin e avancimit të Karlit VIII drejt Napolit.