Epilogu i vitit e shprehu më së miri triumfin e sistemit të ndërtuar nga kastat në Shqipëri. Ballot presidenciale e mbrëmjet gala, shkëlqyen me vanitetin e tyre duke eskpozuar ekstravagancën e shtirur të zengjinëve të rinj, që pozojnë si aristokratë, përtej brendisë së tyre thellësisht plebeje. Në kulturën tonë provinciale të veneracionit për pushtetin, shohim prirjen për të diferencuar vlerësimin për jetën, por dhe vlerat njerëzore e intelektuale.
Dy ngjarje-fenomene, të ndryshme nga njëra-tjetra dhe mjaft anësore, mund të sugjerohen për sintezë ilustruese. Përgjigja e Nasho Jorgaqit, në formë replike, drejtuar mllefit të ish-mikut Ismail Kadare kaloi pothuajse në heshtje, ndryshe nga akuzat-supozimet e publikuara në letrën e parë, sepse mediat e shkruara dhe portalet digjitale, bashkë me vrerin e komenteve anonime, i patën thënë të gjitha (ose gati) në ditët e korrikut të shkuar. Argumentet dhe përfundimet e Jorgaqit mbi Mjegullat e Tiranës morën vetëm akuza klasike të një stili të konsoliduar, që prej vitesh e dominon debatin publik në Shqipëri: fillimisht garda, e pastaj vetë Kadare, në librin më të fundit Mëngjeset në kafe Rostand, ku Jorgaqi akuzohet si agjent i sigurimit. Rezultati është se Kadare vendos diktatin, pasi i ka atribuuar vetes, me ndihmën e sistemit, doktrinën e pagabueshmërisë, dhe çdo kritikë ndaj tij përndiqet me apostazi dhe gjyqe mediatike, me akuza të personalizuara që variojnë nga ‘orientali’ te ‘sigurimsi’. Interesante është se këto akuza serviren pa dorashka nga një shkrimtar që ndodhet në majat e Olimpit pikërisht falë (edhe) atij regjimi, “oriental” e “me sigurimsa”, për të cilin ai kontribuoi të konsumohej nga masa.
Aty ku pritet shfaqja e një ligjërimi të qytetëruar mes dy përfaqësuesve të elitave kulturore të këtij vendi, edhe pse në pole të kundërta, prodhohet lemerisja nga gjuha e urrejtjes personale. Liria dhe forca me të cilën kjo gjuhë zë vend në media është e frikshme, ndërsa, kuptohet, imitimi e tejkalimi i shefit prej gardës së tij të intelektualëve është mëse i kuptueshëm. Mekanizmi është akoma më i pamëshirshëm ndaj përpjekjeve për të analizuar. E provoi mbi kurriz Ardian Vehbiu, pasi botoi një artikull me kërshërinë e atij që, i kuriozuar nga pohimi i Jorgaqit, çuditërisht priste zhvillimin normal të debatit. Mëkatin e pagoi sërish me zhurmën shkaktuar nga përkthimi në ‘Lettera Internazionale’ i një paragrafi të Sende që nxirrte deti, që përsëri, jo rastësisht, ka për sebep Kadarenë. Në korrik e kritikonte një pedagog i lloj-lloj zhanresh të historisë, që për zanat ka letërsinë, kurse në dhjetor një mjek: kaq mjafton për të kuptuar rëndësinë profesionale që i jepet debatit kulturor në Shqipëri nga mediat dominuese.
Megjithëse të ndryshme, etiketat, personalizimi i akuzave dhe mungesa e etikës thjesht pasuruan larminë e përdorur ndaj Jorgaqit dhe mendimit ndryshe në tërësi, siç mund të vërehet te raporti me Tjetrin i ndërtuar nga Kadare te Mosmarrëveshja, që është manual perfekt i stigmatizimit, deri në atë pikë sa kriter gjykimi merret edhe etnia e bashkëshortit të historianes Nathalie Clayer. Me pak fjalë, sistemi i ndërtuar në Shqipëri mbijeton duke mbrojtur paprekshmërinë e kastave përbërëse. Kush mendon ndryshe është ‘oriental’, ‘mohs’, ‘spiun’, ‘anti-perëndimor’, ‘anti-kombëtar’, ‘serb’, ‘me burime serbe’, ‘me bashkëshort serb’, ‘albanolog i ri’ – se përfshirja në sojin e vjetër qenka garancia e mjaftueshme e vlerave.
Sistemi i kastave nuk mbetet në luftën për mbijetesë të elitave ekzistuese, por shtrihet në çdo nivel të jetës. Sigurisht që politika kryeson kryeson këtu, si kudo. Edhe vdekja e një anonimi bëhet publike kur jetëshkurtri është familjar i ndonjë politikani. Rasti me raportimin e fatkeqësisë së ndodhur në familjen e Avenir Pekës ishte përfaqësues i kësaj kulture diferencimi social përballë një jete njerëzore. Që në titull, me përcaktimin “ish-zv. ministri”, është thënë gjithçka. Vdekja asociohet me kastën: nuk ka vdekur një njeri/fëmijë, por i biri i politikanit.
Gazetat nuk mjaftohen me ofrimin e lajmit të hidhur, por e tjerrin me hartime hera herës melodramatike. Duket se për objekt kanë tragjedinë e viktimën. Mirëpo njerëzit e ndërpresin jetën në këtë botë çdo ditë, në rrethana mbase edhe më dramatike, dhe lënë pas dëshpërimin e familjarëve të kapur pas kujtimeve personale. E megjithatë nuk marrin hapësira mediatike as të krahasueshme me familjarët e politikës. Ata janë askush-ët, që maksimumi citohen për të mbushur kronikat. E çfarë mbushjeje?! Për shembull, Panorama e para disa ditëve raportonte lajmin e vdekjes së shqiptares Orena Kuca në një aksident automobilistik në afërsi të Tivarit: e ndjera prezantohej një herë si 29-30 vjeçare e një herë tjetër, pak fjali më poshtë, si 25 vjeçare.
Kjo mënyrë e prodhimit të informacionit pikë së pari nuk ka seriozitet profesional, e le pastaj ndjeshmërinë e nevojshme, që rreket të shpalosë me tragjedi si ajo e familjes Zhiti, vetëm e vetëm nga pesha institucionale e mbiemrit. Përveç lajmit trishtues u njoftua se Atjoni ishte gati filozof, se ku lindi Krishti dhe me se merret Hyji në rutinën e ditëve të tij. Nëse do të ishte respekt e dhembshuri e sinqertë, njësitë matëse duhet të vlenin edhe për anonimët që nuk i kanë prindërit në pushtet.
Edhe 27 vjeçari Leonard Pando, një nga viktimat më të fundit në rrugët e Shqipërisë, duhet ta këtë një familje, një histori, një dhembje, ndonjë fjalë të parafundit thënë dikujt, pse jo ndonjë kleriku a gazetari. Për Pandon e radhës nuk ka vajtime publike, derisa mbiemri të mos përkojë me kastat, kurse Zoti pret të ftohet në hidhërime VIP-ash. Ky teatër i shëmtuar dhuron spektaklin e qokave – reciproke, si ato të promovimit të njëri-tjetrit – dhe hapësirave gratis për populizëm, krahas hendekut shoqëror.