Ne e vëmë re Evropën kur ajo shpërthen. Njohja jonë e këtij kontinenti prej 500 milionë njerëzish është ndërtuar mbi një radhë përfytyrimesh të ndriçuar nga flakët e dhunës, jo mbi fijet me zhvillim të ngadaltë që i japin formë. Për momentin, Evropa përballet me tri kriza. Një është kriza e sigurisë dhe ekstremizmit , siç e pamë të martën me shpërthimet e shkaktuara në Bruksel. E dyta është një krizë e lëvizjes njerëzore – qindra mijëra emigrantë dhe refugjatë që hyjnë në kontinent nga jugu – dhe një debat rreth mjeteve për t’i menaxhuar ata. Dhe e treta është një krizë politike në shumë shtete, në të cilat partitë konvencionale e majtë e qendrës dhe e djathtë e qendrës po sfidohen nga parti më ekstreme dhe më pak tolerante.
E parë me lente të përgjakura, kjo duket sikur është një krizë e vetme, e unifikuar. Terrorizmi, emigrantët dhe politika bëhen një, të shkaktuara duke ushqyer njëra-tjetrën. Por ato nuk janë të lidhura. Së pari, kriza e ekstremizmit nuk është krizë e emigrantëve. Asnjë nga ekstremistët pas sulmeve belge nuk ishte refugjat, emigrant ose emigrant i kohëve të fundit; si gjithë përgatitësit e sulmeve të mëdha në Paris dhe Londër gjatë dekadës së fundit, ata janë evropianë, të rritur nga familje kryesisht shekullare dhe kryesisht goxha të integruara në kulturën dhe jetën sociale të kontinentit.
Ajo që më ka bërë përshtypje në Molenbeek, lagja e Brukselit që ka prodhuar shumicën e xhihadistëve që nga 2014, është fakti se sa pak njohje ose interes kanë këta njerëz të dhunshëm për kulturën marokene të gjyshërve të tyre: Ata janë tërësisht fenomen evropian, kriminelë të vegjël me arsim të ulët, që kanë shkuar drejt ekstremizmit përmes burgut, jo kulturës. Refugjatët sirianë jo vetëm që kanë shumë pak gjasë të joshen nga ekstremizmi, por ekstremistët nuk janë të lidhur, madje janë kundër tyre, me emigrantët.
Së dyti, kriza e terrorizmit përgjithësisht nuk është produkt i ndonjë rryme kulturore ose politike brenda Evropës. Ia vlen të studiohet periudha nga 2006 më 2012, kur terrorizmi xhihadist në vendet perëndimore zbriti në nivele historike, pa asnjë aksident në shumicën e vendeve. Terrorizmi ishte një fenomen perëndimor me fillimin e luftës në Irak, më 2003, deri më 2005, pastaj u zhduk. Pastaj shpërtheu përsëri, veçanërisht pas 2014-ës. Kjo na tregon që terrorizmi nuk shkaktohet ose motivohet nga forca ose demografia brenda Evropës. Ai shfaqet kur një lëvizje ekstremiste e huaj – al-Kaeda ose Shteti Islamik ose të afërt me ta – i shikojnë vendet perëndimore si pengesë për ambiciet e veta dhe rekruton njerëz të dobët dhe të dhunshëm në përpjekje për t’i terrorizuar ato vende dhe t’i detyrojë të heqin dorë.
Siç shkroi analisti për terrorizimin Will McCants këtë javë: “Për sa kohë që shtetet perëndimore do të përfshihen në luftëra që bëhen nga xhihadistët, ata do të luftojnë në shtetet evropiane. Kjo nuk është arsye për të ndryshuar politikë, por duhet pranuar fakti që ditët e Evropës perëndimore si shënjestër e dorës së parë kanë marrë fund prej kohësh”. Ia vlen të hiqen barrierat e përjashtimit që i nxisin të rinjtë të bëhen ekstremistë. Por vlen të kuptohet gjithashtu që motivet që i vënë ata në lëvizje nuk gjenden brenda Evropës dhe komuniteteve kulturore të saj.
Së treti, kriza politike nuk është pasqyrim ose reagim i mundshëm ndaj këtyre zhvillimeve në Evropë. Partitë e djathta ekstreme, kundër emigrimit janë bërë normë si parti të treta në shumë vende. Ata ushqehen me frikën që kontinenti po mbushet me myslimanë, çifutë, sllavë dhe grupe të tjera që i shikojnë si kërcënime të qytetërimit, dhe ushqehen me ngjarje të dhunshme si sulmet e kësaj jave.
Megjithatë, ata janë të pacenueshëm nga zhvillimet faktike demografike. Votuesit e tyre jetojnë thuajse krejtësisht në zona që kanë pak emigrantë, myslimanë ose të huaj; njerëzit që jetojnë mes këtyre popullsive nuk votojnë për ta. Popullariteti i tyre është rritur ngadalë gjatë 40 viteve të fundit, pa lidhje me zhvillimet e tanishme përveç rënies së partive të mëdha centriste.
Dhe miti i tyre i themelimit bazohet në një iluzion. Popullsia myslimane e Evropës, 19 milionë, është e vogël dhe me rritje jo të shpejtë (vala e emigrantëve dhe refugjatëve është shumë e vogël për të bërë ndonjë ndryshim), por për shkak se ata jetojnë në zona urbane dhe janë të dukshëm, dhe krimet e tyre dhe problemet e ekstremizmit përbëjnë lajm, votuesit besojnë se myslimanët janë pesë herë më shumë se ç’janë realisht. Shpërthimet e bombave po mjegullojnë vizionin e votuesve, si dhe tonin, dhe i lejojnë ata të shikojnë një lidhje që nuk ekziston.