Eric Hobsbawm
1 Maji lindi spontanisht në një hark kohor çuditërisht të shkurtër. Fillimisht u propozua si një ditë e veçantë greve të përgjithshme, e shoqëruar me kërkesën e ditës “tetorëshe”, dhe e fiksuar në një datë që prej vitesh në SHBA identifikohej me këtë kërkesë. Përzgjedhja e kësaj date në Evropë u bë për arsye pragmatike. Ka mundësi që as në SHBA, ku Dita e Punës festohej në fund të verës, nuk kishte domethënie rituale. Është supozuar, dhe ka mundësi, që ceremonia duhej të përkonte me datën e Moving Day, përfundimi tradicional i kontratave bujqësore në New York dhe Pennsylvania. Nëse kjo, ashtu si periudha të ngjashme kontraktore në bujqësinë tradicionale evropiane, kishte qenë në origjinë pjesë e ngarkesës simbolike të ciklit vjetor paraindustrial, është më se e qartë që lidhja e saj me proletariatin industrial vjen rastësisht. Internacionalja e re socialiste nuk parashikonte ndonjë formë të veçantë manifestimi. Koncepti i festës së punëtorëve jo vetëm që nuk përmendej në rezolutën e parë zyrtare të këtij organizmi (1889), por për arsye të ndryshme ideologjike refuzohej nga mjaft militantë revolucionarë.
Por përzgjedhja e një date aq të ngarkuar me simbolikën e hershme tradicionale rezultoi vendimtare, megjithëse në Francë, siç vëren Van Gennep, antiklerikalizmi i lëvizjes punëtore e kundërshtoi përfshirjen e praktikave folklorike brenda festës së 1 Majit. Festa përfshiu dhe tërhoqi që në fillim elemente rituale dhe simbolike, duke u shndërruar në një festë gjysmëfetare ose numinoze (Maifeier), një festë në të dy kuptimet e fjalës. Në lidhje me Italinë (1893), Andrea Costa jep një përkufizim sintetik: “katolikët kanë Pashkët, por tani e tutje edhe punëtorët do të kenë Pashkët e tyre”. Ndonëse më të rralla, ekzistojnë krahasimet edhe me Rrëshajat. Nga Charleroi (në Belgjikë) vjen sinkretizmi i çuditshëm përmes “Predikimit të 1 Majit” e 1898-ës, i cili nis me epigrafin e dyfishtë “Proletarë të të gjithë botës, bashkohuni” dhe “Duajeni njëri-tjetrin”.
Përkrah flamurit të kuq, i vetmi simbol universal i lëvizjes, në mjaft vende u shfaqën edhe lulet: karafili në Austri, trëndafili i kuq (prej letre) në Gjermani, shqopa dhe lulëkuqja në Francë, ndërsa murrizi, simbol i ripërtëritjes, u zëvendësua gradualisht – dhe përfundimisht nga gjysma e shek. XX – nga domethënia jopolitike e drekëzës. Pak njohim nga kjo gjuhë e luleve, që, duke vëzhguar poezitë e letërsisë socialiste mbi 1 Majin, i përshtatej rastit në mënyrë spontane. Sidoqoftë, intonohej mirë me 1 Majin, kohë ripërtëritjeje, rritjeje, shprese dhe lumturie. 1 Maji pati një peshë të veçantë në zhvillimin e ikonografisë së re socialiste të fundshekullit XIX, në të cilën, me gjithë jehonën e parashikueshme të idesë së qëndresës, dominonin shpresa, besimi, siguria në një të ardhme më të mirë, shpesh herë të shprehura përmes metaforave të rritjes së bimëve.
1 Maji u rrënjos në një periudhë të përhapjes dhe rritjes së jashtëzakonshme të lëvizjeve punëtore e socialiste në shumë vende, dhe ka gjasa që në një atmosferë politike më pak shpresëdhënëse ky rezultat nuk do të ishte i mundur. Simbolika antike e pranverës, që rastësisht kishte shërbyer si dekor, kombinonte në mënyrë perfekte me evenimentin në fillimin e viteve ’90 të shek. XIX. Ai pra u shndërrua shumë shpejt në një rit festiv vjetor plot domethënie. Përsëritja vjetore lindi si përgjigje ndaj kërkesës së bazës. Kjo e zhvendosi përmbajtjen politike – ditën e punës me tetë orë – në plan të dytë, duke e zëvendësuar me slogane që integroheshin më mirë me lëvizjet punëtore kombëtare gjatë vitit ose, më shpesh, me kërkesa jospecifike të klasës punëtore dhe, siç ishte rasti i shumë vendeve latine, nga përkujtimi i Martirëve të Chicago-s. I vetmi element origjinal i ruajtur, mundësisht i njëkohshëm, ishte internacionalizmi i manifestimeve: në raste ekstreme, si për shembull, Rusia e 1917, punëtorët mënjanuan kalendarin për ta celebruar 1 Majin në të njëjtën ditë me pjesën tjetër të botës. Dhe faktikisht, parada publike e punëtorëve si një klasë përbënte epiqendrën e ritualit. Siç theksonin vëzhguesit, ishte e vetmja festë, përfshi përvjetorët radikalë e revolucionarë, që nuk mund të identifikohej me askënd tjetër, përveçse me klasën punëtore industriale, megjithëse, të paktën në Britaninë e Madhe, disa komunitete punëtore kishin shfaqur gjithashtu shenjat e shpikjes së elementeve kolektive të imazhit të vetvetes si pjesë tashmë e lëvizjes punëtore. Si të gjitha ceremonitë e tilla, ishte, ose u bëjnë rast i mirë i festës familjare. Çka nuk mund të thuhet, për shembull, për manifestimet tradicionalisht politike – një tipar ky që vërehet akoma më vonë në disa “tradita të shpikura”, siç është rasti i festivalit kombëtar të gazetës komuniste italiane l’Unità. Ashtu si të tjerat, ajo bashkonte dëfrimin dhe atmosferën festive private e publike me konfirmimin e besnikërisë ndaj lëvizjes, që përbënte elementin thelbësor të vetëdijes punëtore: retorika – mjaft e preferuar në ato ditë, ngaqë një fjalim i mirë ofronte njëkohësisht frymëzim dhe shfaqje –, flamujt, elementet dalluese, sloganet e kështu me radhë. Dhe, akoma më shumë, nënvizonte praninë punëtore përmes grevës, mjetit më domethënës të pushtetit të asaj klase. Paradoksalisht, suksesi i 1 Majit në përgjithësi ishte në përpjesëtim me largësinë ndaj aktiviteteve ditore konkrete të lëvizjes. Konkretisht, ishte më i madh aty ku aspirata socialiste dominonte realizmin politik dhe llogaritjet sindikale, ndryshe nga rastet e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, në të cilat manifestimi preferohej në të dielën e parë të çdo muaji në vend të grevës vjetore të 1 Majit. Victor Adler-i, i ndjeshëm ndaj problemeve të punëtorëve austriakë, këmbënguli fuqishëm në favor të grevës, kundër mësimeve të Karl Kautsky-t, e për rrjedhojë 1 Maji austriak mori hov dhe rezonancë të pazakontë.
Ekstrakt nga libri Shpikja e traditës, i Eric Hobsbawm dhe Terence Ranger (përg. për bot.), botuar nga Pika pa Sipërfaqe. Titulli është redaksional.