Në Durrës është festë fetare, një qytet portual me pluhur në bregdetin shqiptar. Dyqanet janë mbyllur, qepenat ulur dhe rrugët të boshatisura. Në periferi, makinat e mbushura me familje, – nënë, babë, gjysh, gjyshe dhe fëmijët – ecin në rresht drejt një radhe restorantesh përgjatë buzës së Adriatikut, të shijojnë ushqimet lokale të detit. Çerekshekulli më herët, festimi i Kurban Bajramit, ose çdo feste myslimane apo të krishterë, do të kishte qenë një veprim me rrezik të madh në Shqipëri. Regjimi komunist nuk qendroi indiferent ndaj fesë, por e ndaloi atë me ligj. Besimi fetar është kthyer sot në Shqipëri, por pa hakmarrje. Festat e mëdha fetare – që në këtë vend janë më së pari festa myslimane – respektohen gjithandej, por kryesisht si çështje familjare.
Shqipëria është e veçantë – i vetmi vend me shumicë myslimane në Europë. Paradoksi është se në qendër të kryeqytetit të saj, Tiranë, nuk shikon asnjë shami, le më perçe. Një qytet mysliman në terma krejtësisht numerikë, është tmerr për një ekstremist mysliman në të gjitha kuptimet. Gratë veshin çfarë duan e shkojnë e bëjnë si u pëlqen.
Pas vrasjeve në Paris, dhe hija që ato kanë hedhur mbi të ardhmen e marrëdhënies së Parisit me Islamin, mjedisi fetar tolerant në Shqipëri po tërheq vëmendje. Për Papa Françeskun, kjo përbërje e një vendi në juglindjen e harruar të Europës është një shenjë që “bashkëjetesa kulturore është e mundshme”. Në fjalën para diplomatëve në Vatikan, pas vrasjeve të Parisit, ai lavdëroi vendin që ai e kishte vizituar shtatorin e kaluar, ku ai gjeti komunitete katolike dhe ortodokse relativisht të vogla, plus një kongregacion tejet të vogël çifut, që bashkëjetojnë të lumtur me një parni myslimane shumë më të madhe. Jeta në Shqipëri, tha papa, “dallohet për bashkëjetesën dhe bashkëpunimin mes ndjekësve të besimeve fetare të ndryshme në një mjedis respekti dhe besimi të përbashkët.”
Shqiptarët janë të lumtur, por dhe të habitur nga reputacioni i zbuluar rishtazi për vendin e tyre si një nga të paktat vende ku besimet fetare shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Gjatë drekës me rastin e festës së Bajramit në Durrës, një nga shoqëruesit e mi tha se shqiptarët nuk janë tolerantë aktivë por indiferentë, në lidhje me fenë. Krishterimi, Islami dhe ateizmi u janë imponuar me forcë shqiptarëve, vazhdoi ai, dhe trashëgimia ishte një ndjenjë dyshimi ndaj gjithë grigjave dogmatike.
Besar Likmeta, gazetar, që i ndjek çështjet fetare, thotë se dështimi i islamikëve të vijës së ashpër për të rekrutuar shumë ndjekës në Shqipëri ka të bëjë shumë me “mitin e themelimit” të kombit. Shqiptarët besojnë se vendi i tyre “u shkëput nga Europa dhe u zhyt në errësirë prej Perandorisë Otomane – dhe Islami ishte i lidhur me të,” thotë ai. Një rrjedhojë, edhe mes myslimanëve besimtarë, është një oksidentalizëm që regjimi komunist nuk e ndryshoi dot: “Për 50 vjet ishim tërësisht të izoluar dhe ëndërronim për coca cola! Ne nuk i kërkojmë zgjidhjet nga lindja, por nga perëndimi. Gjithmonë ka pasur një ndjeshmëri që duhet të kthehemi aty ku përkasim.”
Likmeta thotë se Islami u rigjallërua në kaosin që pasoi rënien e komunizmit, kurse disa shoqata bamirëse me origjinë arabe përfituan në vitet e turbullta 1990 mes të dyzuarve. Por përparime të tilla u përplasën me krenarinë e identitetit kombëtar. “Ne kemi Islam-lite [të butë],” thotë ai. “Njerëzit e pëlqejnë Kurban Bajramin, e disa shkojnë të xhami të premteve, por gjëra si veshja e perçes janë gjëra që nuk i përkasin kulturës sonë.”
Një ndikim të madh në karakterin e Islamit në Shqipëri është fuqia e traditës mistike dhe paqësore bektashiane. Është gjithashtu domethënës fakti që të ashtuquajturit “Gulenistëve”, besnikë të imamit Fetullah Gulen që jeton në SHBA, janë me ndikim në medresetë shqiptare, dhe lëvizja e vë theksin te përshtatja e Islamit me shkencën dhe demokracinë.
Jeta Xharra, shqiptare e Kosovës, thotë se shqiptarët në anën e saj të kufirit i shikojnë gjërat në të njëjtën mënyrë. Gjyshi i saj erdhi nga Shqipëria në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore dhe u aktivizua në fushatën e organizuar nga autoritetet komuniste për t’i bërë gratë myslimane të hiqnin shaminë. ‘Ai shkoi nga fshati në fshat t’i bindte njerëzit se për gratë ishte e përshtatshme të hiqnin shamitë dhe nuk ndeshi shumë qëndresë,” kujton ajo. “Njerëzit mendonin se feja i kishte përçarë shqiptarët dhe i kishte penguar të kishin një atdhe [të vetëm].” Ky mendim nuk ka ndryshuar në vitet në vijim, thotë Xharra: “Shqiptarët në Kosovë ndihen më shumë evropianë sesa myslimanë.”
Ca myslimanë shqiptarë janë përqafuar një version më të ashpër të Islamit kohët e fundit, edhe nëse nuk janë të dukshëm në qytetet e mëdha. Njerëzit në Shqipëri dhe Kosovë u befasuan vitin e kaluar kur mësuan se rreth 300 shqiptarë kishin shkuar të luftonin në Lindjen e Mesme për militantët e ISIL. Luftëtarë hapën një faqe në facebook, ku ekspozonin bëmat e shqiptarëve në luftë, e cila është mbyllur tashmë. Autoritetet kosovare arrestuan rreth 40 persona vitin e kaluar, përfshi disa imamë, me akuzën e pjesëmarrjes në luftë në Lindjen e Mesme, ose për rekrutim të të tjerëve për xhihad.
Gjeraqina Tuhina, gazetare shqiptare në Bruksel, është e shqetësuar. “Radikalizimi i disa myslimanëve shqiptarë po ndodh tashmë,” thotë ajo, “megjithëse kjo ka të bëjë më shumë me shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë – Maqedoni, Preshevë, Kosovë.” Ajo fajëson varfërinë, shkollimin e mangët, në Kosovë sidomos, një ndjenjë izolimi nga Europa. “Ia vlen të thuhet që vetëm një pjesë e vogël e shoqërisë po radikalizohet, por janë shumë aktivë, siç mund ta shikoni nga aktiviteti i tyre në rrjetet sociale,” shton ajo.
Xharra, e cila ka studiuar profilet e islamistëve të dyshuar të arrestuar në Kosovë, thekson se shumica ishin të rinj pa punë nga komunitete të largëta e të varfra. “Tërheqja kryesore për 40 “terroristët” e arrestuar vitin e kaluar për të shkuar në Siri duket se ka qenë pagesa 60 euro në ditë që ata mendonin nëse luftonin për Isis,” thotë ajo.
Çfarëdo qofshin motivet e tyre, islamikët në Shqipëri dhe Kosovë nuk mund të gjejnë asnjë farë keqardhje te establishmenti politik. Kur u hap lajmi i zemërimit parisien, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shkuan në Paris për t’u bashkuar me 40 e ca udhëheqësit botërorë që qëndruan në ballë të marshit të solidaritetit me viktimat. I interesuar të tregonte se gjithë shqiptarët – pavarësisht besimit fetar – ndiheshin njëlloj me të në këtë çështje, kryeministri Rama mori me vete dy priftërinj dhe dy klerikë myslimanë.
Marcus Tanner është autor i librit “Mbretëresha e maleve të Shqipërisë, Edith Durham dhe Ballkani” .