Anisa Kushta
Blogu që (nuk) përditësohet çdo ditë
Një ditë normale në Tiranën provinciale:
Blen kruasanin pa kupon tatimor te dyqani i lagjes, i heq qesen dhe e hedh te puseta që s’ka kapak dhe është mbushur me plehra plot. Duke e ngrënë reçeli të bie te maja e këpucës (ngaqë je me fat sepse mund të kish rënë te pantallonat) dhe nxjerr një letër të lagur të fshish këpucën. Pasi mbaron, letrën e lagur e hedh prapë te ajo puseta e hapur që është transformuar në kosh. Mbaron Belinon dhe duhet prapë të fshish pak duart, por përton se s’ka as kosh as pusetë afër k’shuqë e lë fare. Ndërkohë ke pësuar një mini atak zemre se për pak re te një pusetë e hapur që ende nuk ka pësuar transformimin gjigantesk nga pusetë në kosh plehrash.
Ti ishe lyer me parfum kur dole nga shtëpia, por kjo nuk do të thotë që je imun nga era e byrekut me qepë e domate që sa ka dalë nga furra në byrektoren te cepi i rrugës. Shi nuk bie, por kjo nuk do të thotë që flokët e tu nuk do të lagen nga pështyma hedhur shkujdesur e një robi që është pështymë vetë se po të mos ishte nuk do pështynte.
Sapo ti hedh këmbën të kalosh rrugën semafori bëhet i kuq për këmbësorin dhe ti tërhiqesh sërish dhe rri në trotuar. Kjo nuk do të thotë absolutisht që të gjithë duhet ta mendojnë si ti prandaj do të ketë nga ata (delet e shkathëta) që do i hedhin këmbët në rrugë e do u dalin përpara makinave që nuk kuptohet pse u vjen aq keq t’i shtypin, në fund të fundit e meritojnë.
Pastaj semafori bëhet jeshil dhe ti, delja e ngathët, mund të kalosh tani. Kalon në trotuarin tjetër dhe këpuca që fshive me letrën e lagur tani do laget tamam nga spërklat e ujit që del nga markushi me të cilin pastruesja e lokal morrit po freskon trotuarin. Ajo në fakt e ka kthyer markushin mënjanë sapo të pa dhe nuk është faji i saj që uji përplaset në trotuar e arrin tek ti k’shuqë ec drejt pa bërë llafe. Maksimumi që mund të bësh është ta shohësh çikë, po vetëm çikë shtrembër ama. Në këto kushte ty të ka marrë sërish uria dhe thua hajde se po blej një kos frutash të skaduar, por që i kanë ndërruar datën e skadencës te kjo ushqimorja….por që…është shndërruar në zyrë elektorale të Erjonit. Ti mendon që je në drejtimin e gabuar, por jo, ti je në drejtimin e duhur, por ke mendimin e gabuar. Ti mendon se të duhet kos frutash, por në fakt ty të duhet dikush, në fakt shumë njerëz, që rrinë kot në një zyrë elektorale që të të orientojnë të votosh në drejtimin e duhur. Ti nuk e ke qejf Erionin, po kush të pyeti? As Halimi s’të thotë ndonjë gjë kushedi, por prapë nuk të pyeti njeri. Ti do thjesht një kos frutash të skaduar që ta hash te ai stoli i asaj minilulishtes…që ishte aty….Ishte! Tani është pallat. Pra ti s’do hash kos frutash të skaduar sepse s’ke ku blen kosin, po dhe të kishe ku ta bleje s’do kishe ku ta haje. Pra ti do mbash dietë. Ti dietën do e shoqërosh me ushtrim fizik sepse kurrë nuk arrihen rezultate të mira vetëm duke mos ngrënë. Autobusi vonohet. Ngaqë vonohet, kur vjen është i mbushur tumllas. Kur autobusi mbushet tumllas në autobus vjen era qen dhe për më tepër ngaqë policia funksionon fuqishëm dhe kontrollet nëpër autobusa nuk mungojnë kurrë, ti do hipësh në autobus me portofol e telefon, por do zbresësh nga autobusi vetëm me biletën 30 lekëshe në dorë. Prandaj ti nuk hipën në autobus, ti ecën. Por ka diell, ti do pak hije. Po hije nuk ka. Se s’ka pemë. Pse s’ka pemë? Ç’të duhet ty?! Kështu ti mendon të ecësh hijeve të pallateve. Po s’ka hije se nëpër pallate ka lokale dhe nuk mund (as nuk do në fakt) të ecësh nëpër tavolinat e lokalit. K’shuqë ti ecën në rrugën e makinave. Pra jo vetëm që do ecësh në diell, por do ecësh edhe dorë për dore me makinat. E gjitha kjo në funksion të dietës. Pa ngrënë kosin, ecje sportive në diell (efekti sauna) dhe në rrugë makinash (do bësh streçing për t’iu shmangur rrotave). Por si njeri me fat që je, dhe thuaj që jo po deshe, ec e ec e ec e ec, ajo rrugë kaloi dhe tani do ecësh në një rrugicë dhe jo më rrugë makinaaaash. Te kjo rrugica paska pak hiiiijeeee. Dhe ti ecën dhe ndrydh kyçin e këmbës sepse rruga na kish pasur një grooooopë. Rruga në fakt ka shumë gropa, por ti si qorre që je vajte hodhe këmbën te kjo gropa ndërkohë që po ta kishe hedhur te gropa tjetër ndoshta nuk do e kishe ndrydhur këmbën. Pendohesh pak që nuk more autobusin, por pastaj kur sheh telefonin tënd që e ke ende me vete dhe sidomos portofolin, mendimet e këqija që po të pushtonin mendjen largohen. Dhe ja kështu, mes dhimbjesh, dole sërish në trotuar. Këtu nuk paska lokale, këtu paska vetëm zyra elektorale. Por ty s’të intereson Erjoni, as Halimi…qofsh ti që je…
Tani je e bindur që ke nevojë për një kafe dhe gjen një lokal të qetë…DASHKE TI!! Lokali ka brenda një kënd lojërash. Janë mbledhur aty të gjithë mamatë e gjyshet e lagjes me fëmijët e nipërit. Lagja nuk paska asnjë vend për fëmijët që të luajnë, kështu që ti do e pish kafen duke parë si do bjerë ai kalamani nga lisharësi, si do i bjerë me top tabakasë së kamarierit kalamani tjetër, si do zihen për vendin te kolovajsja duke ulëritur dy të tjerë e kështu me radhë. Fëmijët janë një mrekulli, janë engjëj!! Del nga lokali pasi të ka vajtur kafja në kurriz dhe del në rrugë. Një rrugë tjetër, por sërish pa hije, me makina. Kur ishe në lokal harrove që të shkohej në tualet dhe tani s’di nga t’ja mbash, të zuri keq. Nuk mund të ngjitesh në trotuar se janë karriget e lokaleve. Ecën në rrugën e makinave, me diell, ecën shtrembër se po të shpëton, mezi po e mban. Banja publike është vetëm një nocion. Një banjë publike e pastër nuk ekziston as në ëndrrat më të çmendura. Kështu, ulesh në një lokal tjetër, pasi porosit një kafe merr me vete telefonin e portofolin, çohesh e duke i bërë me shenjë kamarierit të të ruajë pak çantën vete në banjë. Kthehesh dhe pi kafen që s’kishe në plan ta pije, por kur të zë të zë e s’të lëshon më. Rri pak aty, bën sikur po pret njeri, se sesi të duket që kamarieri e banakieri ta kuptojnë pse hyre në atë lokal. Pastaj çohesh, paguan kafen, paguan edhe një bakshish por që në mendje nuk e konsideron tamam bakshish por tarifë për përdorimin e tualetit. Del prapë në rrugë dhe duke ecur sheh një market që as Erjoni, as Halimi nuk e kanë kthyer në zyrë elektorale dhe hyn aty të blesh kosin e skaduar të frutave të cilit i kanë ndërruar datën.Del me kosin në dorë, por s’ke lugë. Në djall të vejë, do e pish, se kosi edhe hahet, edhe pihet. Por duke e pirë, kësaj radhe nuk bëhesh pis në këpucë, por në bluzë. Nxjerr letrën e lagur, fshin bluzën dhe ….hiç, e mban letrën e lagur në dorë se mirë kosha nuk paska, po s’paska as puseta. Tersi ters, e fut letrën e lagur në çantë dhe tasin e kosit e mban në dorë. E kështu arrite në qendër të Tiranës. Aty merr frymë lirshëm dhe mbushesh me ajër të pastër. Ajër të pastër krahasuar me ajrin e 21-shit. Gjen një kosh, sepse këtu jemi në qendër. Hedh letrën e lagur që tani është tharë dhe tasin e kosit me gjithë kosin që s’të hahej e pihej më. Fillon ecën si njeri, në trotuar, se te Skënderbeu nuk ka lokale. Fillon e shijon ecjen. E shijon se sheh çikë jeshillëk te ajo gropa ku rri kali me Skënderbeun sipër. Të ishte bërë syri bakërr për çik jeshillëk. Pastaj kalon andej nga Myslym Shyri. Shumë bukur dhe andej. Shi nuk bie që pllakat të të japin ujë në surrat k’shuqë e shijon ecjen. Ka dhe jeshillëk. Ka pemë por ka edhe fshatarë që shesin spinaq, sallatë jeshile, rukola, majdanoz…jeshillëk dynjaja. Dhe aty e kupton që fajin e ke vetë. E ke vetë fajin që del në atë Tiranën e humbur, periferike. Që futesh nëpër ca rrugica e skuta, nëpër ca lagje që s’dihet pse ekzistojnë. Ajo nuk është Tiranë. Tirana është kjo, Skënderbeu, Myslym Shyri dhe çikë më tutje, askund tjetër. Parkun e Liqenit s’po e përmend, nuk futet gishti në plagë.
Na duhet dikush. Madje jo, na duhen shumë njerëz. Jo nga ata që rrijnë në zyra elektorale, ata mbyllini aty ku janë se nuk na duhen. Na duhen nga ata që Tiranën e zhveshur, të rrahur, dhunuar e të lënë me plagë e hematoma t’ja shërojnë plagët, ta veshin sërish e shërojnë kudo. Tirana është e madhe jo vetëm kur ka zgjedhje dhe duhen votat e më pas të zvogëlohet në Tiranën e vogël (qendër-M.Shyr-Bllok). Që ta shërosh Tiranën, duhet si fillim ta duash. Po te dashuria, te dashuria pa kushte, pak besojnë. Nëse janë gjëkundi, të mblidhen ata pak por jo në zyra elektorale. Aty mblidhen ata që Tiranën nuk e duan. Aty mblidhen ata që dashurojnë votat!