Nga lindja në vdekje është një xhiro. Saktësisht siç do ta cilësonit një xhiro të zakonshme. E paparashikueshme. Nuk ka asnjë garanci. Gishtat e fajsimit mund të na drejtohen, gurët e fajit mundet të na godasin, por në anën tjetër të këndvështrimit, krahët e engjëllit mund të na vishen ose trofetë e një triumfuesi mund të na dorëzohen. Tragjedi ose mrekulli mund të na ndodhin. Si reagojmë e si ndikohemi prej tyre përkufizon atë që ne jemi dhe atë që ne bëhemi. Kjo është xhiroja.
Kjo është në themel teoria e kaosit në jetën sociale, përshtatur kapaciteteve eklektante, ose atyre që nuk duan të lodhen shumë. Do ta krahasoja me goditjen që i jep topit të futbollit gjatë lojës. Është e njëjta sasi force, e njëjta teknikë, por topi nuk shkon gjithnjë atje ku pritet të shkojë për mijëra arsye.
Deflacioni i idiotësisë
Dua ti referohem për disa paragrafë, asaj që mund të quhet deflacioni i idiotësisë. Fatkeqësisht, në 2017-ën shqiptare, nuk mund të pritet më nga masat dhe populli i thjeshtë një mendim i pjekur kritik. Aq më pak një autonomi mendimi. Jam dakort, se persona me të ashtuquajturin shpirt të kundërshtimit, ka tej mase shumë, por është më së shumti një ves i pandreqshëm në komunikim, kushtëzuar nga mungesa e edukatës e jo nga edukata e argumentimit racional. Sot më shumë se kurrë individualiteti vuan nga deflacioni i idiotësisë.
Pra idiotësisë i jepet kupa e kampionëve, bashkë me vëmëndjen që sjell kjo kupë, bashkë me cermoninë që i përket këtij rasti. Idiotësia është mbivlerësuar deri në lartësitë qiellore dhe idiotët nuk janë të vetëdijshëm për këtë. Kjo ndodh kryesisht për arsye se mungojnë pikat e forta të referimit. Mungojnë mendjet e shquara, mungojnë ata që luftojnë idiotët. Ose për më saktë edhe ata që i luftojnë, e bëjnë në mënyrë të tërthortë sepse është e qartë kotësia e të arsyetuarit me një idiot. Mbivlerësimi i idiotësisë është padyshim i duartrokitur dhe i mirpritur nga ata që përfitojnë prej ti. Përfitojnë para, të mira të tjera të prekshme, pushtet, influencë, hegjemoni, privilegje etj.
Për shembull, është e qartë se kur kreu i qeverisë sonë flet për mediat si kazanë, ai supozon se brenda këtyre kazanëve gatuhen lajme, këto lajme trajtojnë atë personalisht, por për çështje që na përkasin të gjithëve. Medias për këtë fakt të fundit, nuk i dridhet shumë mjekra, pasi media raporton dhe kaq. E vetmja gjë që kërkojnë përkatësisht, është të mos shenjestrohen anasjelltas. Por sa i takon asaj ç’ka raporton media, askush nuk heton e nuk diskutohet që askush nuk mban përgjegjësi. Më së shumti merren me termin kazan dhe turpin që duhet të ndjejë njëra palë ose tjetra në lidhje me këtë epitet.
Korruptimi në nivel intelektual
Siç e theksova më lartë, mungojnë mendjet e shquara. Ose ndoshta prania e tyre është e pa vënë re. Meqë pakkush i referohet një studimi të mirfilltë sociologjik, për shembull. Pavarsisht se ky i fundit, furnizon me të dhëna të rëndësishme. Askush nuk ka kohë. Ose ndoshta koha e tepërt i kushtohet aktiviteteve të tjera sociale, si përshembull kafeneja ose gjëra të ngjashmë që shërbejnë saktësisht për të vrarë kohën.
Përjashtoj moralizmin në këtë mes. Kjo është ajo ç’ka unë shoh. Në anën tjetër të monedhës janë, le të themi, disa intelekte të spikatura, të kultivuar virtutshëm, por të shprishur në zenith nga nevoja e tyre për të jetuar, e më pas për të snobuar në luks. Dihet se asgjë letraro arstistike, nuk ka një vlerë tregtare, deri sa bëhet e njohur publikisht dhe le të themi, “kuotohet”. Autoritetet e mendimit kritik sot, individët që janë institucione të vërteta, janë kuotuar dhe vlerësuar. Kanë përfituar nga dorëzanët e ndryshëm e tashmë intelekti i tyre i sfazuar, projektohet kah lajkatimeve dhe qokave virtuale. Askund askush nuk merret me studime shkencore të rëndësishme. Përpos atyre që mjelin një sponsorizim të fuqishëm. Gazetarinë, letërsinë, teatrin, muzikën, historinë, gjeografinë, antropologjinë, filozofinë etj. e shpërbëjnë favoret, nderet dhe përfitimet. Qesh një botë e tërë me ne, sepse ne shpërfillim duke qeshur caqe të vetë shpirtit tonë.
Vetëm nëse dikush ma pohon me fjalët e tij se është thjesht mish e asgjë tjetër, atëherë unë do bie në paqe me të e me injorancën që i është bërë vorbull brenda. Madje do ta pyes sa e ke kg e mishit! (Mos të çuditet askush. Ka shumë nga ata që e dinë se sa u vlen lëkura në para të thata e janë të gatshëm për negociata mbi çmimin.)
Korruptimi në nivel shpirtëror
Dikush publikoi para disa ditësh, në rrjetet sociale, një listë gazetarësh me të ardhura marramendëse. Përfituar me sa thuhej, për t’i dhënë një orientim fjalëve të tyre. Në mënyrë që të vërtetat e tyre të dala publikish të jenë vetëm disa. Mbi të vërtetat e tjera le të bjerë heshtje. E kështu me rradhë. Përpos artikullit u tërhoqa nga komentet e zellshme që burojnë nga temat që trajtojnë paranë dhe lirinë e vjedhur të popullit. Askush nuk i cilësonte hajdutë. Përkundrazi, si njerëz të zotë, njerëz me cilësi të larta. Kur e vërteta është se janë të shitur shpirtërisht. Përvetësues dhe tjetërsues të së vërtetës.
Për ta e vërteta është ajo që u sjell më shumë para e favore dhe kjo është e gjitha, ndryshe s’ka shpjegim. Për këtë arsye zëra të tillë nuk duhet të kishin këtë auditor të gjerë që kanë. Arsyeja se pse e kanë monopolizuar këtë auditor, është thellësish makinacion teatralo-politik.
I përçmoj ata që thonë se do të donin tu jepej mundësia të ishin si këta e të bënin aq para në këtë mënyrë. Duke proklamuar me të madhe diçka që as vete nuk e besojnë. Kjo është ëndrra më e kalbur që mund të ketë njeriu. Të shesë integritetin. E janë të shumtë me ëndrra të tilla, që prej injorancës, po shndërrohen në standard.
Këta individë të paorientuar, të papërgjegjshëm, janë në themel të teorisë së kaosit urbano-social në vendin tonë.
Nuk ka argument që të më bindë për të kundërtën. Ne gjenerojmë aq shumë kaos sa të tremb. Vetëm nëpërmjet abuzimit në shumë plane ne shtrembërojmë vetëdijen qytetare tek plot individë që ende nuk e kanë formuar personalitetin e tyre. Kësisoji formësohet në ndërgjegjien e tyre një gangrenë e përbindshme, që i shndërron antivlerat në vlera. Shndërron gjithçka që sjell përfitime, në të shenjtë e të ligjshme. Pak nga pak po vjen në vete një rend kaotik. Por duke mos ditur e duke mos dashur ta luftojmë kaosin që shumfishohet rreth nesh si virus, ne mësojmë të jetojmë në të, ta instrumentalizojmë atë. Kërkojmë justifikim për të, në mënyrë që të mos ndihemi fajtor para fëmijëve tanë, deri sa këta të mbërrijnë në moshën kur do t’i korruptojmë shpirtërisht, duke u thënë kjo është normale. Më në fund nuk do kemi më zëra nëpër shtëpi, që na kërkojnë llogari për trafikun e rënduar, për mijëra pallate, për mijëra kafene, për zero ajër të pastër, për zero kënde të vërteta lojrash, për zero të ardhme. Madje fëmijët sa më shpejt të aderojnë në forumet rinore të ndonjë partie aq më mirë, se përndryshe na mbeten edhe të papunë. Le të shkojnë atje me të tjerët e të mësojnë seancë pas seance se sa hi mund të përballojë syri i njeriut, para se të qërrohet përfundimisht.
Thuhet rëndom se Zoti e ka harruar Shqipërinë. E kjo vërtet më trishton. Por e vërteta mund të jetë e anasjellta. Ne si popull nuk pyesim as për Zot as për porositë dhe normat që koncepti Zot sjell pas vetes. Ndryshe nuk mund të shpjegohet gangrenizimi dhe jeta kaotike në qytet tona.
***
Nga lindja në vdekje është një xhiro, dikush e quan luftë. Por kë luftojmë? Njëri-tjetrin? Veten? Jemi aq të dështuar sepse kaosi që gëlon, shumëfishohet më shpejt se rendi e ne ndërkaq jetojmë. Mësohemi me rrëmujën e nuk na bën më përshtypje. Fjalët paqe, demokraci, liri, barazi etj, i shohim me skepticizëm gjithnjë e më të theksuar. Paraja ëshë Zot dhe gjithçka që e sjell këtë para është e shenjtë! Sëmundja e një politike dekadente na e diktoi këtë, në kurriz të cilësisë së jetëve tona.
Tragjedi ose mrekulli mund të na ndodhin. Si reagojmë e si ndikohemi prej tyre përkufizon atë që ne jemi dhe atë që ne bëhemi. Kjo është lufta.