Portali kosovar Telegrafi.com ka publikuar një shkrim me titull Adolf Hitleri: “shqiptarët janë trima dhe fisnikë”, ku paraqitet një seri e gjatë njerëzisht të shquar që kanë vlerësuar Shqipërinë dhe shqiptarët. Vlerësimet fillojnë që nga Byron-i, Lamartine, deri tek Edvin Jacques (ky “kush” është?), të cilëve iu bashkangjitet nga një paragraf ose fjali me konsideratat e tyre për shqiptarët ose nënvizojnë lashtësinë, duke konfirmuar se akoma sot kemi mbetur te nevoja për citime të shekujve të kaluar që certifikojnë stazhinimin tonë.
Pa dashur aspak të vërtetojmë saktësinë e citimeve, nuk mund të mos vërejmë handikapin mendor që shpërfaq ky artikull, i cili në fakt është i vështirë edhe të kategorizohet, sepse nuk paraqitet si lajm, reportazh apo analizë. Është thjesht një listë citimesh pa kuptim, ku ngrefoset megalomania jonë kombëtare.
Kompleksimi i shqiptarëve për rëndësinë e tyre në botë prodhon shpesh qendrime komike, siç është edhe përpjekja e dëshpëruar për të gjetur e cituar se çfarë kanë thënë të tjerët për ne: këtu spikat dëshira e përdorimit të personazheve – shumë prej të cilëve janë të njohur vetëm në Shqipëri, ku serviren si kokat e botës – si objekt krenarie kombëtare, ndonëse shumë prej tyre kanë folur në kontekste krejt pa lidhje për atë çfarë i përdorin, dhe se po të tilla superlativa i kanë përdorur edhe për të lëvduar popuj të tjerë, «armiq» me ne (Byron-i shpenzoi gjithçka për Greqinë, edhe jetën). Ajo çfarë e bën edhe më të mjerueshëm këtë lloj argumentimi është fakti se, nëse do të krijonim një listë të kundërt, pra “listën e zezë” të paragjykimeve e stereotipeve që u janë veshur shqiptarëve nga autorë të huaj, lista do të zgjatej në volume të tërë.
Nuk mund të mos shkaktojë (minimumi) habi përfshirja e Adolf Hitlerit mes certifikuesve. Në shkrim thuhet:
Lideri nazist i Gjermanisë, shqiptarët i konsideronte për “racë të pastër ariane”, për “trima dhe fisnikë”, kurse Shqipërinë e cilësonte “vend të vogël romantik të Ballkanit”. Në shërbim të tij, ka qenë një agjent shqiptar, kurse në divizione ka patur shtatëmijë shqiptarë. Sipas disa shënimeve, thuhet se kryqi i thyer i Hitlerit, ishte simbol në Iliri dhe se ka përfaqësuar bashkimin e dy Z-ve, që do të thotë Zeusi – perëndi ilire.
Praktikisht një faqe e frekuentuar shqiptare krenohet me faktin se Hitleri ka pasur vlerësim dhe admirim për shqiptarët. Përfshirja e Hitlerit në një listë emrash të njohur në kontribute për njerëzimin tregon të paktën papërgjegjshmëri dhe paaftësi për të kuptuar një hierarki vlerash minimale që duhet të paraqesë një media në raport me publikun.
Nazizmi dhe lideri i tij është një nga njollat më të errëta të kombit gjerman (dhe të kontinentit Europian), për të cilën vetë gjermanët janë shumë të ndjeshëm për t’u distancuar. Krenimi i shqiptarëve me turpin e gjermanëve është shprehje e mjerimit kulturor ku pluskon mendimi shqiptar. Garniturë e kësaj tragjedie janë edhe informacionet e servirura prej portalit mbi lidhjet e forta të shqiptarëve me liderin nazist, mbi numrin e madh të shqiptarëve që kanë luftuar në ushtrinë e tij, apo edhe mbi faktin se kryqi i thyer na paska qenë simbol i paraardhësve tanë ilirë.
Kjo çmenduri nuk është e rastësishme. Në citimin e nxjerrë nga Edwin Pears në këtë shkrim thuhet se “shqiptarët janë pasardhës të racës më të vjetër të Gadishullit ballkanik, gjegjësisht të racës arjane”, çka përforcon idenë se gazetari që ka përpiluar këtë material është komod me pikëpamjet fashiste të superioritetit, të ushqyera me sagën e “racës arjane” apo “gjakut”.
Në fakt habia, nga një këndvështrim, është e pavënd, përderisa në debatin publik fashizmi dhe racizmi ekspozohen natyrshëm e pa dorashka te shumica e aktorëve në Shqipëri dhe Kosovë. Gjuha e paragjykimit, linçimit, diferencimit kulturor, ndaj grupeve e përkatësive të ndryshme, tregon se shqiptarët e kanë për zemër zvastikën e nazismit. Kjo vlen për elitat po aq sa për gjuhën e komunikimit masiv në rrjetet sociale.