Vrasja e katër të rinjve në qendër të Tiranës është një ngjarje dramatike në çdo rast, por kur vrasja kryhet nga dora e djalit të një deputeteje, që është prej kohësh subjekt i krimit, pikërisht për shkak se ndjehet i mbrojtur prej pushtetit të prindërve, lajmi bëhet i hidhur, aq sa shumë njerëz i ka bërë sot të rimendojnë qendrimin e tyre në këtë vend. Duhet thënë se përtej vrasësit, fajtorët kryesorë në ngjarje të tilla janë politika, gjykatat, prokuroria dhe të gjithë aktorët përgjegjës për këtë situatë dramatike dhune dhe korrupsioni që mbretëron në Shqipëri. Ata janë vrasësit e vërtetë, pasi janë pikërisht ata që kanë krijuar kushtet dhe klimën ku krimi harliset i lirë e i paprekshëm.
Më i hidhur akoma është sofizmi mjeran i një morie intelektualësh, gazetarësh e analistësh të pacipë, të cilët, të mëkuar nga prehëri i ngrohtë i pushtetit, artikulojnë llomotitje mbi profesionalizmin e treguar nga policia dhe standardin moral të vendosur në qeverisje me aktin e dorëheqjes së nënës së vrasësit nga posti i deputetes. Kjo apologji ndaj pushtetit është edhe më e shëmtuar se vetë ngjarja. Ajo rreket të deformojë arsyen kolektive për të justifikuar krimin, për t’i bërë avokaturën paralizës shoqërore në luftën kundër të keqes. Dhe për këtë, nuk hezitojnë të shkelin edhe mbi dinjitetin e prestigjin e tyre.
Teatri i Ramës me lotët e një gruaje në pikë të hallit, nga paudhësitë e veta dhe të djalit të saj, nuk mund të gënjejë askënd, kur të gjithë e ndjejmë kudo shëmtinë e këtij shteti. Deklarimet e Ramës se shteti po funksionon nën shembullin e një dorëheqjeje të dhënë pasi qelbi i plasi në dorë, janë aq bajate sa pretendimet e ish-komunistëve se Ramiz Alia na solli demokracinë. Komizmit i shtohet edhe deklarimi i Metës se jemi të gjithë të barabartë para ligjit, si për të dëshmuar prezencën në tribunën e marrëzisë. Qenka e thënë që dramat në këtë vend të shoqërohen patjetër me cinizmin absurd të aktorëve të këtij teatri, si pilula kundër diabetit për të na e kursyer alivaninë sheqerore.
Dëgjojmë analiza që thonë se policia u tregua profesionale, teksa arrestoi kriminelët në një kohë rekord, por harrohet se ngjarja ndodhi perballë me Ambasadën Amerikane, në hapësirën më të monitoruar e survejuar në këtë qytet. Flitet për profesionalizëm të policisë, ndërkohë që vrasësi kishte një varg të gjatë precendentësh, duke hedhur valle në gojë të ligjit pa i bërë syri dritë. Ku ishte profesionalizmi i policisë dhe funksionimi i shtetit gjatë gjithë kësaj periudhe? Policia me këtë është duke na thënë se, nuk është se nuk di, por nuk do. Flitet për ndërgjegjen e një nëne që diti të tregohet më “burrë” se askush tjetër në politikën shqiptare, kur në të vërtetë akti i saj është aq i vonuar sa nuk i bën më punë kujt, ndërkohë që ajo është përgjegjëse përse i biri nuk ishte brenda hekurave, nga ku nuk do të mund të merrte sot katër jetë njerëzish. Ku ishte znj. Xhuvani tre vjet më parë kur i biri ia hodhi me një vit burg dënimit për vrasje? Ku ishte ajo kur i biri kërkohej nga policia për kanosje e armëmbajtje pa leje? Mesa duket burrnia në PS mjafton edhe part-time, duke u shfaqur atëherë kur nuk duhet më.
Na thuhet se, për lirimin nga burgu të Kostandinit tre vjet më parë, “fajin e ka Saliu”, pasi gjykatat në kohën e tij (sot jo) ishin të lidhura me politikën. Del se gjykatat në kohën e Saliut paskan qenë të lidhura edhe me PS-në si pjesë e politikës, pasi znj. Xhuvani ka qenë edhe atëherë edhe deputete e kësaj force, e gjithashtu paralelisht edhe nënë e vrasësit. Megjithatë fajin e ka Saliu që Luiza nxjerr të birin nga burgu. Ndoshta ia kanë nxjerrë pa dëshirën e saj!
Nëse qeveria do të kishte seriozisht qoftë edhe një të qindtën e kësaj që thotë, do të duhej që sot të ndërmerrte një aksion për zbardhjen e plotë të të gjithë hallkave përgjegjëse për mosvënien e vrasësit brenda hekurave që para vrasjes. Qeveria duhet të nxjerrë përpara drejtësisë të gjithë njerëzit që e kanë mbrojtur atë për të dalë nga burgu dhe për të mos hyrë në të. Shteti duhet të tregojë vendosmëri të hekurt në futjen në burg të të gjithë atyre që e lanë të lirë vrasësin, qofshin këta të Saliut, qofshin të vetët. Kjo do të ishte shenjë e përpjekjeje minimale që shteti të tregojë solidaritet me jetët e qytetarëve të vet. Megjithatë e kemi të qartë që kjo nuk mund të ndodhë, dhe se shprehja e këtyre qendrimeve nga ana jonë mbetet të jetë thjesht pak cinizëm me veten në kushtet kur ironia na lë çdo ditë gëzhojat e saj në dorë, si provë balistike se ndjeshmëria jonë nuk ekziston.