Anisa Kushta
‘Një 16 vjeçar i dha fund jetës dy ditë më parë në fshatin Tresh të Lezhës’. Tema Online.
Dy ditë më parë. Atëherë kur media shqiptare ishte e gjitha Charlie dhe kish vënë ujin në zjarrr për fjalën e lirë në Francë. Dy ditë më parë, 16 vjeçari nga Lezha që i kish dhënë fund jetës nuk mund të bëhej lajm. Ai zgjodhi momentin e gabuar për të bërë veprimin e gabuar. Kush mund të merrej me lajmin e vdekjes së tij kur simotrave të mediave shqiptare në Francë u ish kërcënuar keqazi liria e fjalës?!
Asnjë media nuk kish nevojë për atë lajm atë ditë. Edhe në u pastë shkuar në vesh e kanë lënë mënjanë, stok, për ditën kur çështja Charlie do fillonte të zbehej. Kishte material plot atë ditë mes marshimesh, të rejash nga hetimet, ndjekjet policore etj që mund të mbushnin portalet online dhe hapësirat e gazetave të printuara.
Lajmi vjen sot, 13 janar 2015. Jemi në Shqipëri dhe çështja Charlie filloi të zbehet. Ne nuk merremi më shumë se 3 ditë me një çështje, edhe kur e kemi brenda kufijve, jo më tej…
Ndaj nëpër gazeta kanë filluar mbeten disa hapësira bosh, të vogla, por që duhen mbushur.
‘Adoleshenti kish braktisur shkollën për arsye financiare dhe ruante bagëtitë, gjë që mendohet se e ka çuar në depresion.’
Nëse do të duam të dëgjojmë ndonjë opinion, ndonjë trajtim të temave të tilla si vetëvrasja, depresioni, braktisja e shkollës për arsye financiare, do na duhet sërish të bëjmë pak durim. Emisionet që trajtojnë të tilla çështje janë ende duke u marrë jo vetëm me Charlien por edhe me marshimin e klerikëve fetarë krah për krah në Paris, tre lapsat me ngjyra në xhaketën e Ramës e më tej ndoshta me ardhjen e ambasadorit të ri Amerikan në Tiranë.
Vetëvrasja e 16 vjeçarit nga Lezha dy ditë më parë është nga ato lajme që jo vetëm s’do të donim të dëgjonim por që personalisht mendoj se as nuk duhen bërë lajm. Zakonisht, në ditë normale, të tilla lajme jepen flash, si lajmi i parë i kaluar në çdo redaksi. Ndiqet pastaj nga dëshmi familjarësh, shokësh e bashkëfshatarësh. Të rendim të kapim lajmin e pare e thashethemet e para rreth lajmit që të mbushim minutazhe e hapësira gazetash që po mbeten bosh. Në ditë normale ama. Fjala bie, në ditë kur liria e fjalës në Francë nuk kërcënohet.
Tema të tilla, delikate duhen ndoshta trajtuar nëpër emisione por në mënyrën e duhur e me panelin e duhur. Kur mendoj në çfarë emisionesh përfundojnë të diskutohen këto tema e me çfarë panelesh…
Zot ruajna, më mirë jo!
Ngushëllohem që kemi një media që shqetësohet për fjalën e lirë. Që qan Charlien kur Charlien ndoshta se njihte fare. Një media që ngre zërin në mbrojtje të fjalës së lirë ndërkohë që kam bindjen që po të ishte për fjalë të lirë e gjithë media franceze do të duhej të solidarizohej në nismën #Je suis les médias en Albanie.
Një media që lajmin e 16 vjeçarit shqiptar e konsideron lajm stok, për kur tu duhet. Një lajm që e gjëmon e ndoshta edhe e nxjerr nga dheu, e bën të qënë kur nuk është, atëherë kur i duhet.
‘Një 16 vjeçar i dha fund jetës dy ditë më parë në fshatin Tresh të Lezhës. Mësohet se kish braktisur shkollën për arsye financiare. Kalonte kohën duke ruajtur bagëtitë dhe kjo duket se e ka çuar në depresion’
#unëjam16vjeçaringaLezha