Pezullimi i ndeshejs Serbi-Shqipëri dhe shfaqja e shëmtuar e dhunës nga tifozët dhe punonjësit e policisë dhe stadiumit, bashkë me parodinë e deklaratave në trekëndëshin Serbi – Shqipëri – Europë, nxorri në pah, veç të tjerash edhe shpërfilljen që gëzon Shqipëria në arenën ndërkombëtare. Drejtues të shumtë të institucioneve ndërkombëtare nxorrën në pah, në mënyrë fare të hapur, dopiostandardin e tyre në gjykimin e ngjarjeve, ndërsa politikanët tanë, nivelin e përulsisë dhe servilizmit që na shoqëron prej kohësh e na bën qesharakë në sy të botës, duke na lë në këtë gjendje përballë aktorëve të tjerë.
Në fakt, prej kohësh ka një errësim të racionalitetit në BE, duke bërë që ky organizëm të rrëshkasë, ashtu si OKB-ja, drejt humbjes së legjitimitetit politik e moral, gjë që po i shndërron institucionet e tij në vitrina të demagogjisë dhe zbrazëtisë ideologjike. Të vetmet ideale që i kanë mbetur tashmë BE-së të ofrojë janë ato të grave dhe gejve. Ka gjithashtu një retorikë të shplarë për paqen dhe stabilitetin, të cilën nuk e marrin seriozisht as sekretarët që mbajnë protokollet.
E mbërthyer pas prangave të një diskursi që mundohet të jetë politikisht korrekt në çdo gjë, për shkak të mungesës së një ideologjie apo një politike të qartë, si dhe për shkak të korrupsionit e imoralitetit politik të herëpashershëm, të fragmentuar nga interesa të ngushta e dritëshkurtëra të vendeve përbërëse, veprimtaria e BE-së mbetet pasive dhe apatike, e paaftë të ushtrojë vullnet për të zgjidhur probleme e përmirësuar realitetin.
Ndeshje e politizuar, politikë e futbollizuar
Komentet që iu bënë ngjarjeve në atë ndeshje tregojnë një ngatërrim zorrësh të institucioneve ndërkombëtare në Europë. Teksa institucionet politike të BE-së filluan të merren me komente mbi sportin, ato të futbollit ofruan qasje me premisë politike mbi ndeshjen.
Catherine Ashton, nëpërmjet zëdhënëses së saj, u detyrua të marrë në koment një ndeshje futbolli, gjë për të cilën, më pas u shpreh se ishte jashtë fushës së saj të kompentencave, ndërsa Platini e Blater përdorën premisa politike për të gjykuar fajin mbi dhunën e shkaktuar në stadium. Qendrimet e tyre u mbështetën mbi vlerësimin se harta e paraqitur në flamurin e valëvitur nga një dron klandenstin në stadiumin serb përbën diçka të papranueshme dhe provokuese. Në bazë të gjykimit të tyre, rezulton se FIFA dhe UEFA janë kundër «Shqipërisë së madhe», gjë që përbën premisën për t’i konsideruar shqiptarët shkaktarë të dhunës. Mbi bazë të kësaj UEFA do të duhet të ketë qendrime tashmë mbi çdo kauzë politike, për të marrë vendime në raste të tilla. Vlen të bëhet ndonjë provokim tjetër për të kuptuar nëse UEFA është kundër apo pro, bie fjala, Vorio Epirit, ndarjes së Spanjës apo pavarësisë së Skocisë. Për pavarësinë e Kosovës e dimë prej kohësh që është kundër. Federata është një institucion i depolitizuar, por në rastin e shqiptarëve, bëhet një përjashtim.
Kjo nuk është hera e parë që organizmat ndërkombëtarë të futbollit mbajnë qendrime të tilla. Ato pengojnë prej kohësh Kosovën të ketë një skuadër kombëtare, ndërsa kanë penguar klubin e futbollit të Prishtinës të luajë në kampionatin shqiptar, ndonëse nuk ka asnjë arsye ligjore për këtë. Duket qartë që qendrimet e tyre nuk janë thjesht pasive ndaj zhvillimeve politike, por janë krejtësisht aktive dhe të njëanshme. Teksa eurodeputetë dhe funksionarë të lartë në BE këshillojnë me vendosmëri që politika t’i qendrojë larg futbollit, ndeshja duket se është politizuar jopak nga ata vetë.
Në rastin e fundit, Platini dhe Blater, dy padrinot e institucioneve ndërkombëtare më të korruptuara në botë, u munduan të bëjnë të zezën të bardhë, për të mbrojtur në mënyrë fare të hapur serbët, ndaj një shfaqjeje kafshërie që nuk ka arsye në botë ta justifikojë. Ata fajsuan shqiptarët, duke i parë si provokuesit e të gjithë dhunës së shkaktuar, ndonëse ndeshja u luajt pa asnjë tifoz shqiptar, vendim ky krejtësisht i kundraligjshëm, që u ndërmor për shkak se pala serbe pohoi paaftësinë e saj për të garantuar ndeshjen. Në fakt dhuna kish filluar që para mbërritjes së dronit me flamurin «provokues», dhe madje ajo u ushtrua edhe nga vetë organizatorët e ndeshjes.
Për Platininë, dhuna e tifozëve të futur në fushë duke goditur me karrike lojtarët, fishekzjarret dhe sendet e forta të hedhura mbi kryet e lojtarëve, dhuna e ushtruar nga rojet e stadiumit në korridorin e dhomave të zhveshjes, janë thjesht pasoja të tepruara të një provokimi. Fajtor këtu janë shqiptarët që provokuan, pavarësisht se askush nuk mund të vërtetojë se kush e solli avionin në fushë dhe pavarësisht se, sido që të jetë, nuk mund të jenë autoritetet shqiptare ato që duhet të pengojnë një avion të ngrihet mbi qiellin e Beogradit. Por Platinia shkon edhe më tej, nuk dënon dhunuesin, por viktimën duke shpikur për këtë supozime: «Po sikur avioni të kishte një bombë?»
BE si federatë futbolli
Përtej botës së futbollit, nuk kanë munguar reagime as nga BE-ja. Zëdhënësia e znj. Catherine Ashton, shefe për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE vlerësoi lart punën e bërë nga autoritetet serbe gjatë ndeshjes. “Ne jemi të zhgënjyer për ndërprerjen e djeshme, pas aktit të provokimit, të ndeshjes se futbollit Serbi-Shqipëri. Autoritetet serbe demonstruan profesionalizëm në përballje me situatën”– tha ajo në konferencën për shtyp.
Sipas zëdhënëses Koçijançiç ndeshja qenka pezulluar për shkak të “provokimit”, jo për shkak të dhunës, ndërsa autoritetet serbe e paskan përballuar me mjaft profesionalizëm situatën e krijuar për faj të shqiptarëve. Mesa duket, për znj. zëdhënëse të kesh rreth 4 mijë policë në stadium e një mori ruajtësish të fushës, dhe prapë t’i lësh tifozët të hyjnë në fushë e të godasin lojtarë me grushte e karrike kokës, përbën profesionalizëm. Gjithashtu profesionalizëm është edhe të godasësh e dhunosh lojtarët në fushë dhe në korridoret e dhomave të zhveshjes (siç bëri personeli i stadiumit). Profesionalizëm është gjithashtu mosgarantimi i të drejtës së ekipit udhëtues për të pasur tifozë në stadium. Profesionalizëm është edhe kur policia fyen dhe dhunon ekipin kundërshtar, duke iu kontrolluar çantat, duke i kërcënuar e duke i detyruar të firmosin procesverbale kundra vetes.
Për BE-në provokimi është më i rëndë se plumbi. Por provokim është vetëm fluturimi i një avioni klandestin me simbolet e një kauze rivale për tifozët vendas, në një kohë kur tifozët rivalë nuk lejohen të hyjnë në stadium. Për Be-në, nëse dikush ndjehet i provokuar nga bindja e tjetrit, e ka fajin ai që shpreh bindjen. Dhe madje për këtë, i provokuari ka të drejtë t’ia nxjerrë inatin skuadrës që luan në fushe, duke e shndërruar ndeshjen në një batërdi dhune. Për BE-në nuk është aspak provokim kur tifozët vendas brohorasin në kor “Vdekje Shqiptarëve”, kur djegin flamuj, e kur godasin lojtarët me sende të forta e fishekzajrre. Për BE-në nuk është aspak provokim kur flamuri shqiptar, i ngritur si detyrim ceremonial, hidhet mbi taracë të stadiumit nga organizatorët, për shkak të një paaftësie gjenetike për të respektuar simbolet kombëtare të tjetrit.
Shqiptarët nuk kanë të drejtë të provokohen. Ata kanë të drejtë vetëm të dhunohen. Dhunuesi vlerësohet profesionalisht kur e ushtron mirë dhunën, ndërsa i dhunuari kur di ta durojë mirë atë. Këta tanët nuk u vlerësuan si duhet sepse nuk ditën ta bëjnë këtë, kur reaguan me krenari për të mbrojtur flamurin e tyre, dhe për t’u mbrojtur nga grushtet dhe karriket e tifozëve të zbritur në fushë. Kjo ndoshta është edhe arsyeja përse Rama kërkon të shkojë doemos në Beograd. Për të marrë dekoratat europiane si “i dhunuar model”.
Servilizmi pacifist si model joeuropian
Nuk ka asgjë për t’u habitur nga e gjithë kjo panoramë. Kështu janë sjellë gjithmonë me shqiptarët edhe serbët, edhe Fuqitë e Mëdha, e madje me kosto shumë herë më të rënda në jetë njerëzish. Harta jonë e copëtuar (që nxjerr në pah edhe cinizmin e intolerancës ndërkombëtare ndaj Shqipërisë së madhe, të valëvitur nga droni kryeneç mbi Beograd), është produkt i kësaj shëmtie ndërkombëtare që, mesa duket nuk ka ndryshuar shumë, megjithë zhvillimet e mëdha që kanë ndodhur në botën moderne këto 100 vjetët e fundit. Ajo që ka ndryshuar plotësisht në këtë mes, dhe që të bën të ndjehesh keq, është mënyra sesi reagojmë ne, politika dhe federata jonë.
Institucionet tona shprehën inferioritetin e tyre që në fillim të kësaj aventure. Federata jonë nuk duhet të kish pranuar kurrsesi të shkonte në Beograd, pa e detyruar palën serbe të pranojë tifozët shqiptarë në stadium. E madje federata jonë duhet të kish detyruar palën serbe të merrte përgjegjësitë paraprakisht për çdo tifoz shqiptar atje, përndryshe nuk kish përse të shkonim të luanim. Nëse serbët nuk i përmbajnë dot kafshët e tyre, nëse ata pohojnë me gojën e tyre se nuk janë njerëz e nuk zhvillojnë dot një ndeshje futbolli, atëherë ndeshja të luhej në një stadium asnjanës, ku të mund të garantohet futboll normal. Fakti që federata jonë nuk e bëri këtë, por shkoi e nënshtruar në Beograd duke u përballur me histerinë turmave dhe autoriteteve të papërgjegjshme, tregon se çfarë rrace servilësh e qeniesh pa dinjitet mbajmë nëpër kolltukë.
Nga ana tjetër, hezitimi i federatës dhe autoriteteve shqiptare për të kërkuar përgjegjësi nga pala serbe pas dhunës, e la bosh skenën ndërkombëtare, teksa serbët ishin hedhur në sulm që në krye. Opinioni publik mbeti pa asnjë deklaratë nga pala shqiptare dhe këndvështrimi ynë mbi ngjarjen mungoi për shumë kohë duke e lënë variantin serb të vetëm mbi tavolinë. Edhe kur pala shqiptare reagoi, gjuha e saj ishte apatike, pa kurrfarë vendosmërie, pa asnjë forcë, ndërkohë që ata që duhet të ngrinin zërin ishim ne e jo serbët. Qeveria shqiptare, por edhe federata e futbollit, nuk e bëri këtë në asnjë moment.
Jo vetëm kaq, por Kryeministri Edi Rama vazhdoi me qendrimin e tij mbi mosanullimin e vizitës në Beograd, ndonëse homologu i tij serb e kish anulluar pritjen, duke u shprehur se do ta rishikojë mundësinë e realizimit të kësaj vizite. Nuk mund të ketë gjë më të shëmtuar për një popull, kur shikon që rrihet, urrehet, përbuzet e ofendohet nga një vend tjetër, ndërsa kryeministri i tij vazhdon me politikën e tij të përulësisë.
Rama u përpoq ta paraqesë inferioritetin e tij si superioritet. Ai u shpreh se serbët ndoqën rrugën e vjetër historike për Ballkanin, ndërsa shqiptarët po ndiqnin rrugën europiane. Ky arsyetim është qesharak. Nuk ka vend në Europë që nuk do të reagonte me ashpërsi ndaj ngjarjeve si kjo, aq më tepër kur ngjarjet u pasuan me një egërsi histerike nga autoritetet serbe, nga deklaratat e tyre, nga shpifjet mbi të vëllanë e vetë kryeministrit, nga keqtrajtimi dhe dhuna policore ndaj lojtarëve dhe ndaj delegacionit shqiptar, etj. T’u kthesh serbëve faqen tjetër kur të godasin me sa u ha dora, nuk përbën kurrfarë modeli europian. Përkundrazi, servilizmi, nënshtrimi, përulësia e Ramës, është tipike për një politikë të kompleksuar e korruptive, që pranon të dhunohet për shkak të brishtësisë ku e ka futur korrupsioni.
Qendrimi dinjitoz ku dënohet dhuna dhe reagimet histerike të autoriteteve serbe, anullimi i vizitës dhe vendosja e kushteve për realizimin e saj, do të kishin qenë të vetmet modele të një mënyre europiane reagimi dhe jo vajtja për vizitë tek ata që të rrahën. E sigurtë është që asnjë vend në Europë nuk do të sillej siç u soll Shqipëria, dhe asnjë kryeministër në Europë nuk do ta zhvillonte këtë vizitë, të paktën jo pa kushte, ku kërkesa e faljes për gjithçka ndodhi të ishte në plan të parë.
Kjo na bën të bindemi se politika shqiptare nuk është ende gati për në Europë dhe ndoshta kjo është edhe arsyeja përse nuk na pranojnë: sepse europianët e shohin qartë që nuk jemi si ata. Kjo ndoshta është edhe arsyeja përse Serbët, megjithë këto bëma, e kanë fituar më shpejt se ne statusin e vendit kandidat. Servilët i duhen Europës më shumë jashtë BE-së.