carangthi
Për të qenë Elhaida duhet talent, struktura, kombinimi i vendit dhe personave me momentin e duhur, ai që zakonisht thjeshtohet në ‘fat’, dhe sigurisht ndërhyrja e biznesit. Muzika është art sa ç’është edhe biznes, siç e dëshmon Diamanti i Nishtullës apo Bleona Qerreti. Tifozët, politika dhe mediat e vendit tonë nuk i ofruan Elhaidës asgjë prej këtyre elementeve. Talenti i saj nuk është produkt i ujit të mirë të Shkodrës, as i shkollave dhe akademive shqiptare, as i mbështetjes mediatike, përfshi këtu emisionet që shiten sikur prodhojnë talente, as i biznesit shqiptar e as i ndonjë magnetizmi kolektiv.
E megjithatë, kur Elhaida Dani triumfoi në programin The Voice në Itali pati një vërshim kolektiv, politik dhe mediatik drejt saj. U zbulua një mjet i ri promovimi, që kësaj herë përputhej me një talent të jashtëzakonshëm vokal. Stacionet televizive e ftonin gjithandej për audiencë, përfaqësues të politikës – të asaj politike që familjes së saj i dhanë rrugët e emigracionit – vraponin për foto, kurse turmat digjitale e shpallen ambasadore virtuale të krenarisë kombëtare, të një vendi i cili me gjeste të tilla dëshmon gjithë vogëlsinë dhe thatësirën e tij.
Çdo gjë ishte gati për finalen e madhe, por Elhaida nacional-popullore nuk shkoi përtej pozicionit mesor, që sidoqoftë nuk i mjaftoi pritshmërive “tona”. Reagimi mori dy drejtime: zhgënjimi nga vokali dhe komploti ndaj Shqipërisë. Grupi i parë iu turr Elhaidës, kësaj here për kritika, të justifikuara me ngarkesën emocionale. “Të martën ti ke stonuar” – i shkruante Rita Ndoci nga faqja e saj fb. Po, e dashur Rita, nëse një e “stonuar” la pas vetes gjysmën e finalistëve, ç’duhet thënë për Rrikun e famshëm që, kur konkurroi, nuk hyri as në finale? Me sa duket kritikët duhet të angazhohen pak më seriozisht.
Kurse grupi i dytë, më simpatiku, e justifikoi komplotin antishqiptar sa me fqinjët dashakeqës sa me një dorë të fshehtë që anulon preferencat e votuesve. Rasti paraqitet sikur ne jemi viktima e këtyre makinacioneve, pa shpjeguar dot sesi morëm votat e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë, me të cilët, përveçse fqinjë, nuk jemi në një fazë marrëdhëniesh mbresëlënëse. Gjithashtu, duke anashkaluar se edhe vende të tjera kanë pasur firo nga votat e publikut. Më të zhgënjyerit do të kenë qenë ata të cilët dëshirat dhe përpjekjet për ta prezantuar Shqipërinë me këngë që s’kanë asgjë ‘made in Albania’ marrin vetëm 6 vota belge.
Megjithëse këngë pa asgjë shqiptare, përveç shtetësisë së këngëtares, performanca “ynë” në Eurovizion u shndërrua në valvolen e radhës për të shfryrë viktimizimin kolektiv, që sidoqoftë nuk e konkurron dot përdorimin e fenomenit Elhaida nga mediat. Në stilin ‘e keqja s’ka fund’, Mapo nxjerr si lajm një Elhaidë me shami në kokë. “Nuk dihet se cili mund të ketë qenë impakti i kësaj kënge te votuesit e Eurovision”, shkruan Mapo. Me tre fjali-artikull, gazeta informon për një eksperiencë të këngëtares duke aluduar për votime europiane të kushtëzuara nga kjo performancë e shkuar e saj. Mirë Europa na paska penalizuar, por (për të njëjtat arsye) të paktën Turqia islamiste dhe neo-otomaniste duhej të na kishte votuar. Pastaj, a nuk vlen(te) i njëjti rregull edhe për The Voice të Italisë?
Për ta ilustruar seriozitetin, në stilin ‘po bëjmë sikur na plasi’, mjafton emisioni Opinion (25 maj), ku si analizues të ngjarjes ishin ftuar ekspertë të muzikës të kalibrit Preç Zogaj, Albatros Rexhaj, Flutura Açka, Belina Budini, Floriana Garo, Martin Leka, ndërsa evolucioni i Pandi Laços nga redaktor e skenarist në jurist muzikantësh e bën atë ekspert të mjaftueshëm. Kështu analizohet në Shqipëri, në vendin ku me siguri Elhaida do të ishte bërë këngëtare e mirë dasmash ose do të kishte aspiruar për ndonjë karrige jurie, si kolegia Bleonë, që talentin e saj më të madh ka harresën e rrobave në lavatriçe. Për këta bashkatdhetarë duhej të emocionohej Elhaida?