Kampionati shqiptar i futbollit rezervon çudira të padëgjuara askund. Këtë mund ta kuptosh që kur merr vesh se në atë që quhet “Superligë” ndeshen gjithësej 10 ekipe në 3 faza, ku çdo skuadre i bie të luajë nga 3 herë në sezon me secilin kundërshtar. Me disa prej tyre i bie të luash dy herë brenda dhe një herë jashtë, ndërsa me disa të tjerë, e kundërta: dy herë jashtë dhe një herë brenda. Kjo lloj skeme nuk ndodh dhe nuk mund të ndodhë në asnjë kampionat tjetër në botë.
Kjo sa për hyrje, një informacion paraprak që të paralajmëron se çudirat këtu nuk janë aspak çudira dhe se ajo çfarë ndodh në brendësi është një spektakël i vërtetë budallëku.
Sapo përfundoi java e 4 e superligës dhe tabela e rezultateve, nga të gjithë ndeshjet e luajtura, shënon vetëm një gol, i realizuar ky në ndeshjen midis Skënderbeut dhe Luftëtarit, ndeshje që normalisht do të duhet të kishte mbaruar 5 ose 6 me zero, duke pasur parasysh diferencat mes ekipeve. Pra vetëm kjo ndeshje përfundoi në 1 me 0, ndërsa të gjitha të tjerat u ndanë me barazim pa gola. Dhe natyrisht, kjo mund të ndodhë vetëm në Shqipëri.
Por çudia nuk përfundon këtu. Java që vjen pritet të ofrojë një tjetër spektakël. Federata ka vendosur që ndeshja midis Vllaznisë dhe Skënderbeut të mos e luhet në Shkodër, në stadiumin Loro Boriçi. Kampionati zhvillohet në datën 1 tetor, por meqë në 6 tetor është vendosur që të luhet ndeshja midis Kosovës dhe Kroacisë, ndërsa në 9 tetor ajo midis Shqipërisë dhe Spanjës, federata ka menduar të ruajë barin e fushës, ndaj dhe u ka kërkuar të dyja ekipeve që ndeshja të luhet në një fushë tjetër.
Ku do të luhet ndeshja do thoni ju? Nga bisedimet mes palëve u vendos që ajo të luhet në Korçë. Po po, në Korçë. Meqë Shkodra po e ruan fushën për dy kombëtaret tona, vendos që ndeshjen e saj ta luajë në shtëpinë e kundërshtarit dhe jo në një fushë asnjanëse. Dhe çudia qendron se lajmet pohojnë se të dyja ekipet paskëshin rënë dakord për këtë (paska pranuar edhe skuadra e Korçës!). Nuk duhet ngurruar të themi, siç ndodh me të gjithë gazetarët sportivë (të cilët janë të gjithë të zellshëm për të lavdëruar federatën), se gjithçka bëhet e mundur falë vizionit dhe aftësisë së jashtëzakonshme të Kajzerit të futbollit shqiptar Armando Duka.
Përse çuditeni pastaj kur na e bëjnë stadiumin me një kullë qiellgërvishtëse? Interesante nuk është pse ka kaq shumë trashje trunore në këtë vend, por si ka mundësi që budallëku është kaq kreativ. Të jeni të sigurtë se në këtë pikë nuk na afrohet dot asnjë vend i botës!