Natalie Nougayrède
The Guradian
Tmerr përsëri në Paris. Kufomat numërohen, shtrirë në rrugë. Shokët dhe familjet bëjnë telefonata alarmuese, paniku përhapet. Një shtet i traumatizuar. Një vit që nisin me tragjedinë e Charlie Hebdo po mbaron me një masakër të re, më dramatike.
Ndërsa ngjarjet zhvilloheshin, me duzina të vrarë nga armët e zjarrit dhe shpërthimet, ishte e dukshme që goditja e këtyre sulmeve do të ishte e madhe për republikën franceze, zhvillimin politik dhe kohezionin social të saj.
Presidenti François Hollande shpalli gjendjen e emergjencës; hera e fundit që ndodhi një gjë e tillë ishte më 2005 gjatë trazirave në periferitë e Parisit, kur shpërtheu dhuna mes brezit të dytë të emigrantëve, të rinj, shumica myslimanë, dhe forcave të policisë. Por fjalët “gjendje e emergjencës”, në kujtesën historike franceze, lidhen me luftën algjeriane të viteve 1960 dhe puçit ushtarak që u tentua atëkohë.
Skenat në Paris janë skena të një zone lufte dhe do të kujtohen si të tilla. Trauma do të jetë e thellë dhe mes pyetjeve që do të bëhen (si ndodhi? Ku bënë gabime sigurie) do të ketë pritshmëri prej pasojave politike: çfarë do të fitojë prej kësaj Fronti Kombëtar?
Pas Charlie Hebdo, kryeministri francez Manuel Valls foli para parlamentit për një vend “në luftë”. Ai tha se Franca nuk ishte “në luftë me islamin” dhe ky ishte sinjal për popullsinë myslimane, më e madhja në Europë. Por kjo nuk ndikoi shumë në uljen e tensioneve mes komuniteteve.
Është herët të thuhet çfarë ndodhi me saktësi – një lajm mediatik pretendoi që një nga sulmuesit kishte bërtitur “kjo është për Sirinë” kur hapi zjarr. Hollande foli për terrorizëm, duke thënë në televizioni kombëtar: “Ne e dimë kush janë këta njerëz.” Sulmet ishin të përgatitura mirë – të gjithë në një natë dhe në vende të ndryshme, ku kishte grumbullime njerëzish.
Batalkani është një qendër koncertesh e njohur, e mbushur të premten mbrëma. Një tjetër sulm, afër stadiumit Stade de France, ku zhvillohej një ndeshje futbolli mes Francës dhe Gjermanisë dhe ku merrte pjesë presidenti Hollande, është një tjetër simbol i fuqishëm. Objektivat duket qartë që janë menduar mirë.
Ekspertët e sigurisë kanë paralajmëruar vazhdimit që pas Charlie Hebdo dot të kishte kërcënime të tjera të dhunshme nga grupe xhihadiste të lidhur me Shtetin Islamik ose entitete të tjera. Por kurrë nuk është përmendur si mundësi diçka e përmasave të tilla, në zemër të kryeqytetit.
Franca ka qenë prej vitesh e përfshirë thellë në luftën kundër terrorizmit xhihadist: kryesisht në Sahel, që nga janari 2013, kur nisi një operacion në Mali. Disa dhjetëra mijëra trupa franceze vazhdojnë aty operacionet, me goditjet ajrore që vrasin rregullisht. Që nga 2014 ajo ka qenë pjesë e një koalicioni anti-ISIS në Irak; këtë vit ajo e zgjeroi atë përpjekje me sulme ajrore në territorin sirian.
Franca është një nga vendet evropiane nga të cilat qindra rekrutë të ISIS, shpesh francezë të lindur e shkolluar dhe herë-herë francezë të konvertuar, kanë shkuar në Siri.
Myslimanët në Francë tashmë do të kenë frikë nga shoqërizimi i tyre me fanatizmin dhe terrorin. Grupet populiste të djathta do të nxisin urrejtjen. Pas Charlie e Hebdo, mijëra ushtarë francezë u shpërndanë në gjithë vendin në mbrojtje të objektivave me rëndësi, shkolla, stacione treni, dhe institucione.