Suedia është përfshirë në një debat të ashpër të shkaktuar nga një film vizatimor për fëmijë që tregon një organet gjenitale në lëvizje.
Sekuenca njëminutëshe për Barnkanalen – stacion televiziv për fëmijë – tregon penise dhe vagina që qeshin e kërcejnë shoqëruar me muzikë dhe fjalë që zakonisht fëmijët i përdorin për t’iu referuar pjesëve intime të tyre.
“Ja ku vjen Bibilushi, pa të mathura,” thotë kënga. “Cuci është i lezetshëm, s’ka asnjë dyshim, edhe në trupin e një plake… Bibilushi dhe Cuci, çfarë shoqërie e madhërishme!”
Ky klip, i parë 3 milionë herë në YouTube dhe facebook, u prodhua për bacillakuten, një program që synon të edukojë fëmijët e moshës 3-6 vjeç në lidhje me trupin e njeriut.
Faqja e facebook-ut të këngës përmban disa komente të zemëruara nga prindër të ofenduar që fëmijë të kësaj moshe nxiten të flasin për organet gjenitale.
“Ç’është kjo? A mund të jetë edukuese kjo?” shkruan një nga komentet. “Gjithmonë kam vrarë mendjen për sasinë e drogës që përdoret në industrinë e argëtimit të fëmijëve,” shkruante një tjetër.
Disa komente kanë qenë në mbështetje. “Këngë e madhe për një nga gjërat më të natyrshme të mundshme. Super!” shkruante një nënë. “Këngë argëtuese e video argëtuese. Shumë keq që të rriturit e kthejnë diçka kaq të mirë dhe natyrale në diçka të turpshme,” shkroi një tjetër.
Blogeri Alex Schulman e quajti klipin shumë të seksualizuar me vaginat “prudente, të pafajshme dhe të ëmbla”, ndërsa peniset e erektuara janë “gjëra të egra”.
Kënga u shkrua dhe u këndua nga Johan Holmström, krijimet më të hershme të të cilit për këtë program kane qenë “Urino, pridh, dhit,” “Unë i pëlqej jargët”, “Kërmilli në brekët e mia”.
“Më vjen keq për prindërit që janë shqetësuar, kjo është një video muzikore e padëmshme,” shkroi Holmström. Ai shpreson një version i plotë i këngës do të publikohet nga Spotify, shtoi ai.
Klipi shkaktoi më shumë kundërshtime kur u klasifikua nga You Tube si përmbajtje “për të rritur”, duke u kërkuar shikuesve që të konfirmonin se ishin mbi 18 vjeç, por prodhuesit e programit e bindën kompaninë të tërhiqej.
Producentja ekzekutive e programit, Kajsa Peters, tha se reagimet kishin qenë pasivisht përkrahëse. “Ne i krijojmë programet tona për fëmijët, por shumica e prindërve i shikojnë bashke me të vegjlit dhe ne shpresojmë t’ua lehtësojmë mundësinë për të diskutuar dhe kuptuar gjërat.”
Ajo shtoi: “Kur ka kaq shumë debat dhe diskutime, ndoshta kjo është diçka për të cilën shoqëria ka nevojë.”
Klipi u publikua përpara programit, i cili shfaqet në fund të muajit të ardhshëm dhe i është kushtuar tërësisht organeve gjenitale. “Do të isha e interesuar të shikoja se cili do të jetë reagimi pas shfaqjes së programit,” tha Holmstrom.
Caroline Ginner, drejtuese projekti programesh për fëmijë në televizionin edukativ UR, tha për faqen e internetit të një televizioni suedez: “Le ta ruajmë sekretin që fëmijët kanë vagina dhe penise deri sa të mbushin moshën 18. Ndoshta ata nuk do të pikasin asgjë se çfarë kanë në të mbathura, pastaj kjo gjë e neveritshme do të mbulohet me faj dhe turp.”
__________________
Shënim
Përtej luksit që kanë shoqëritë Skandinave për t’i hapur vetes probleme të tilla, duhet të evidentojmë se qendrimet e ndryshme nisen në fakt nga perspektiva krejt të kundërta mbi shoqërinë. Nga një perspektivë liberale radikale njeriu nuk duhet të ketë kufizime mbi seksualitetin dhe prej këtej, nëse fëmijët mësohen herët me të, nuk ka asnjë problem. Por nga një perspektivë tjetër seksualiteti shihet si diçka mbi të cilën njeriu duhet të ushtrojë kontroll, për të patur një zhvillim të shëndetshëm.
Këto dy qasje kushtëzojnë edhe qendrimin profesional mbi efektin që ka kjo formë edukimi mbi fëmijët. Grupi i parë gjykon se njohja me seksin në moshë të hershme nuk shkakton problem tek fëmijët, ndërsa grupi i dytë evidenton se kjo i keqedukon ata, duke kultivuar prirjen për të qenë i shfrenuar. Në fund, të dyja grupet kthehen te qendrimet e tyre mbi moralin. Gjithsesi, ka edhe autorë neutralë që i shohin produkte të tilla si të dëmshme. Sipas tyre edhe nëse mbrojmë bindje liberale, orientimi i vëmendjes së fëmijëve drejt seksualitetit në moshë të hershme zgjon prirje seksuale të parakoshme, duke i përballur me seksualitetin pa qenë ende të aftë të bëjnë zgjedhjet e duhura. Sipas tyre, përtej debatit, sidoqoftë shoqëria nuk mund t’i lejojë vetes luksin e eksperimentimit me fëmijët, për sa kohë nuk ka prova bindëse se kjo që bëhet është e mirë.
Debate të përafërta mbi tema të tilla janë hapur edhe në Shqipëri dhe ka shumë nisma për të futur në kurikulat mësimore elementë të ngjashëm të edukimit seksual. Ato nisen nga qendrime të kësaj natyre, me idenë që do të emancipojë shoqërinë. Megjithatë shohim se shifrat e seksualitetit të parakohshëm dhe të shtatëzanisë së padëshirueshme tek adoleshentët po përhapen me ritme të shpejta. E keqja është se, ndryshe nga çfarë ndodh në Europë, këtu nuk ka një debat profesional mbi këto çështje dhe vendimet merren në mënyrë të pastudiuar. Edhe kur diskutohet, qendrimet artikulohen mbi stereotipe të sipërfaqshme nga të dyja palët, ndërkohë që ka një prirje të verbër për të imituar qendrimet më radikale të vendeve të ndryshme në Europë, duke iu dhënë verbazi liberalizmit, pavarësisht se në Europë ka shumë debat mbi këto gjëra. Kjo vjen pasi gjithashtu kemi krijuar një stereotip për vetë Europën dhe emancipimin fillimisht.
pb