Joris Luyendijk
The Guardian
Rutinë si zakonisht. Kur Sveriges Riksbank do të lajmërojë për këtë vit fituesin e “Çmimit në Shkencën e Ekonomisë në Kujtim të Alfred Noble”, bashkë me të do të përcillet dhe mesazhi i qartë. Shtatë vjet më parë, gjithë profesioni i studimeve ekonomike mainstream u kap në befasi nga rënia financiare globale dhe “paniku më i keq që nga vitet 1930” që e shoqëroi. Megjithatë të hënën lavdërimi i studimeve ekonomike si një fushë shkencore në një radhë me fizikën, kiminë dhe mjekësinë do të vazhdojë.
Problemi nuk është dhe aq shumë që jepet një çmim Nobel në ekonomi, por nuk ka çmime ekuivalente në psikologji, sociologji, antropologji. Ekonomia, duket se thotë se kjo nuk është një shkencë sociale, por shkencë e saktë, si fizika ose ekonomia – një dallim që jo vetëm nxit krenarinë e ekonomistëve, por ndryshon dhe mënyrën si ne mendojmë për ekonominë.
Një çmim Nobel në ekonomi nënkupton që bota njerëzore vepron ngjashëm me botën fizike: se mund të përshkruhet dhe kuptohet në terma neutralë, dhe që ajo lejon të modelohet, si reaksionet kimike ose lëvizja e yjeve. Kjo krijon përshtypjen se ekonomistët nuk merren me ndërtimin e teorive vazhdimisht të ndryshueshme, por ata zbulojnë të vërteta të përhershme.
Për të ilustruar sa e rrezikshme është kjo bindje, mjafton të kihet parasysh Long-Term Capital Management, një fond investimesh i krijuar, mes të tjerëve, nga ekonomistët Myron Scholes dhe Robert Merton më 1994. Me punën e tyre me derivatet, dukej sikur Scholes dhe Robert kishin gjetur një formulë që garantonte një strategji tregtie të sigurt dhe fitimprurëse. Më 1997 ata morën çmimin Nobel. Një vit më vonë, Long-Term Capital Management humbi 4.6 miliardë dollarë në më pak se katër muaj; u pa e nevojshme një ndihmë financiare që të shmangej kërcënimi ndaj sistemit financiar global. Tregjet, me sa dukej, nuk silleshin gjithmonë si modele shkencore.
Në dekadën qëpasoi, e njëjta vetësiguri e tepruar në pushtetin dhe mençurinë e modeleve financiare lindi një kulturë shkatërrimi prej vetëkënaqësisë, duke përfunduar me falimentimin e vitit 2008. Pse bankierët pyesin veten, nëse një prodhim financiar i ndërlikuar, i ri dhe i begatë është i suksesshëm kur modelet u thonë se është? Pse u jepet rregullatorëve pushtet i vërtetë kur modelet mund të bëjnë punë në vend të tyre?
Shumë ekonomistë duket kanë nisur ta mendojnë fushën e tyre në terma shkencorë: një sasi dijeje objektive që shton fitimet. Gjatë dekadës së fundit studimet ekonomike mainstream në universitete janë bërë gjithnjë e më shumë matematike, duke u fokusuar në analizat statistike të ndërlikuara dhe duke u modeluar kundër vëzhgimeve të realitetit.
Mendoni këtë fjali të hedhur nga ish-kreu i rregullatorit dhe drejtori i London School of Economics Howard Davies më 2010 në librin e tij “The Financial Crisis: Who Is to Blame?” [Kriza financiare: kush e ka fajin?]: “Ka mungesë kërkimesh të jetës reale në vatrat e vetë tregjeve” për të cilën dikush mund të thotë: po, po sikur të bëhet diçka për këtë? Tek e fundit, Davies atë kohë drejtonte atë që është ndoshta institucioni më prestigjioz për kërkimet ekonomike në Europë, i vendosur pak metra larg bankave që u shkatërruan.
Gjithë ato banka kanë “komitete miratimi të produkteve të strukturuara”, ku një ekip i stafit të bankave mblidhet për të vendosur nëse banka e tyre duhet të adoptojë një produkt financiar të ndërlikuar të ri. Nëse studimet ekonomike do të ishin një shkencë si sociologjia apo antropologjia, profesionistët do të vendosnin të intervistonin këto komitete, do të hetonin minutat e këtyre takimeve dhe do të përpiqeshin të vëzhgonin sa më shumë të ishte e mundur nga këto takime. Kjo është mënyra si veprojnë shkencat sociale “cilësore, bazuar në punën në terren, të cilën ekonomistët pëlqejnë ta përbuzin si “të butë” dhe jo shkencore. Është e vërtetë se dhe kjo qasje ka kufizime metodologjike serioze, si verifikimi, animi në përzgjedhje ose në vëzhgim. Dallimi është se shkencat e tjera sociale janë të hapura për këto kufizime, duke mbrojtur idenë se, ndërsa njohja njerëzore për njerëzit është thellësisht e ndryshme nga njohja njerëzore për botën natyrore, këto vëzhgime jo të përsosura janë shumë të rëndësishme të bëhen.
Krahasojeni këtë përulësi me ish-bankierin Alan Greenspan, një nga arkitektët e heqjes së rregullave në botën e financës, dhe një besimtar i madh në modele. Pasi goditi kriza, Greenspan u shfaq përpara një komisioni të kongresit në SHBA të jepte shpjegime. “Bëra gabim që mendova se interesat e vetë organizatave, sipecifikisht bankat dhe të tjera, ishin të tilla që mund të ishin më të afta për të mbrojtur aksionarët dhe fitimet në firma,” tha njeriu që kolegët e tij ekonomistë e quanin “maestro”.
Me fjalë të tjera, Greenspan nuk kishte qenë në gjendje të imagjinonte që bankierët mund të shkatërronin bankat e tyre. Sikur maestroja ta kishte lexuar pirgun e vogël me libra nga antropologët financiarë ai mund ta kishte pasur më të lehtë ta imagjinonte një sjellje të tillë. Atëherë ai do ta kishte ditur që gjatë dekadës së fundit bankat kishin adoptuar kulturën e punësimit dhe pushimit nga puna “me sigurinë zero për vendin e punës”, duke prodhuar mentalitetin e “besnikërisë zero” që mund të përmblidhet si: “Nëse mund të dalësh nga dera për pesë minuta, horizonti yt është pesë minuta.”
Ndërsa kjo ishte e re për Greenspan-in nuk ishte e tillë për antropologun Karen Ho, që bëri vite pune studimore në bankën Wall Street. Libri i saj “Liquidated” thekson rolin kyç të nivelit zero të sigurisë në punë në Wall Street (i njëjti sistem qeverisës në City-n e Londrës [qendra financiare]). “Codes of finance” [Kodi i financës] i sociologut financiar Vincent Lépinay, një libër për ndarjen e produkteve financiare komplekse në një bankë franceze, përshkruan me detaje bindëse si vuan kujtesa institucionale kur njerëzit ndërrojnë punë shpesh dhe pa paralajmërim.
Ndoshta ndikimi më dëmshëm i statusit të shkencës së ekonomisë në jetën publike ka qenë hegjemonia e mendimit teknokratik. Pyetjet politike si mund të qeveriset një shoqëri është arritur të shihen si çështje teknike, duke e shkatërruar politikën si skenë të debatit të shoqërisë rreth mjeteve dhe qëllimeve. Le të marrim një koncept të rëndësishëm si prodhimi i brendshëm bruto. Siç e bën të qartë Ha-Joon Chang në librin “23 Things They Don’t Tell You About Capitalism” [23 gjëra për kapitalizmin që nuk ua thonë], zgjedhjet që nuk duhet të përfshihen në GDP janë shumë ideologjike. E njëjta gjë vlen për inflacionin, përderisa nuk ka asgjë neutrale rreth vendimit për të mos e mbivlerësuar shpërthimin në çmimin e bursës dhe të shtëpive kur llogaritet inflacioni.
GDP, inflacioni dhe shifrat e rritjes ekonomike nuk janë matje objektive të temperaturës së ekonomisë, pavarësisht sa ekonomistë, komentatorë dhe politikanë pëlqejnë të thonë se janë. Pjesa më e madhe e shkencës së ekonomisë është ekonomi e fshehur si teknokraci – pranimi i kësaj mund të ndihmojë në hapjen e hapësirës për debat dhe ndryshim politik që ka munguar në shtatë vitet e fundit.
A nuk do të ishte jashtëzakonisht e dobishme ta zbrisnim pak shkencën e ekonomisë pak poshtë e në vlerësimin me çmim të përfshiheshin gjithë shkencat sociale? Çmimi Nobel për ekonomi nuk është, në fakt, një çmim Nobel i vërtetë, pasi është vendosur nga banka qendrore suedeze më 1969. Vitet e fundit ai mund t’u ishte dhënë profesionistëve më jo konvencionalë si psikologu Daniel Kahneman. Kahneman do të vlerësohej për kontributin e tij në shkencën ekonomisë, duke e vendosur sërish atë shkencë në qendër të vëmendjes.
Mendoni sa shpesh Nobeli për letërsi i sjell shkrimtarë pak të njohur në skenën globale, ose si çmimi për paqen nxit debatin global të nevojshëm: Nobeli për Naguib Mahfouz e prezantoi letërsinë arabe para një audience të gjerë, ndërsa çmimi i vitit të kaluar [për paqe] për Kailash Satyarthi dhe Malala Yousafzai e vendosi të drejtën e gjithë fëmijëve për shkollim në një agjendë arsimi.
Ndërkohë, çmimet Nobel për ekonomi u jepen “kontribuesve për metodat e analizimit të serive kohore ekonomike me paqëndrueshmëri në kohë të ndryshme” (2003) ose “analizave të modeleve dhe vendosjes së aktiviteteve ekonomike” (2008).
Dhënia e një çmimi Nobel për shkencat sociale do të luajë të njëjtin rol, ushqimin e kuvendit global me zbulimet e reja dhe analizat në gjithë shkencat sociale, dhe gjithmonë duke theksuar nevojën për përulësi në trajtimin e dijes njerëzore rreth njerëzve. Një kandidat i mirë do të ishte sociologu Zygmunt Bauman, shkrimet e të cilit mbi “modernitetin likuid” të kapitalizmit post utopik meritojnë audiencën më të gjerë të mundshme. Richard Sennett dhe vepra e tij mbi “gërryerjen e karakterit” mes punëtorëve në ekonomitë e sotme do të ishte një tjetër. A do ta ndajnë me të tjerët ekonomistët çmimin e tyre prestigjioz? Konkluzionet ekonomike të tyre rreth egoizmit njerëzor sugjerojnë që jo.