Raca njerëzore përballet me shekujt e saj më të rrezikshëm, ndërkohë që progresi në shkencë dhe teknologji bëhet një rrezik gjithnjë e më i madh për ekzistencën tonë, paralajmëron Stephen Hawking.
Mundësitë për katastrofë në Tokë do të shtohen e do të jenë të sigurta në shekullin e ardhshëm deri në dhjetë mijë vjet, tha kozmologu i shquar, por do të duhet më shumë se një shekull për të krijuar koloni në hapësirë, ku qeniet njerëzore mund të jetojnë mes yjeve.
“Ne s’do të krijojmë dot koloni të afta të mbijetojnë në hapësirë të paktën për njëqind vitet e ardhshme, kështu që duhet të jemi shumë të kujdeshëm gjatë kësaj periudhe,” tha Hawking. Komentet e tij rezonojnë me ato të Lord Rees, astronomi mbretëror, i cili shprehu shqetësimet e tij për rreziqet e vetë-zhdukjes në librin e tij Our Final Century [Shekulli ynë i fundi], më 2003.
Duke folur për Radion Times para se të mbante Leksionin Reith në BBC, ku do të shpjegojë shkencën e gropave të zeza, Hawking tha se shumica e kërcënimeve me të cilat përballen njerëzit vijnë nga përparimi në shkencë dhe teknologji, si armët bërthamore dhe viruset e prodhuara në mënyrë gjenetike.
“Ne s’do të ndalojmë së ecuri përpara, dhe nuk do të kthemi mbrapa, kështu që duhet të njohim rreziqet e t’i kontrollojmë ato,” shtoi ai.
Shkencëtari i Kembrixhit, i cili mbushi 74 këtë muaj, tha se pritshmëria e tij zbriti në zero kur mësoi se vuante nga një sëmundje e rrallë dhe që përparonte me ngadalë në moshën 21-vjeçare. Por duke hedhur vështrimin mbi një periudhë më shumë se 50-vjeçare që kur u diagnostikua, ai tha se kishte qenë me fat në të gjitha drejtimet e tjera. Në fushën e Hawking, fizika teorike, sëmundja e tij nuk kishte qenë pengesë.
I pyetur çfarë e mbante në gjendje shpirtërore pozitive, ai përmendi punën dhe ndjenjën e humorit. “Është me rëndësi të mos zemëroheni, s’ka rëndësi sa e rëndë është jeta, sepse mund të humbisni krejt shpresën nëse nuk qeshni me veten dhe jetën në përgjithësi.”
Për tridhjetë vjet Hawking ishte profesor Lucasian i matematikës, një post që dikur mbahej nga Isak Njutoni, dhe një nga postet akademike më të rëndësishme në vend. Por Hawking tha se ndihej më afër me Galileo Galilein, astronomin e shekullit të 16. Nëse do të ekzistonte makina e kohës, Hawking tha se Galileo ishte shkencëtari që ai do të udhëtonte pas në kohë për ta takuar.