Në një intervistë* për Postbllok, Elisa Spiropali e sapozgjedhur anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, një ngritje e madhe në detyrë kjo nga drejtoreshë e doganave, tregon për jetën e saj të përditshme, por dhe ëndërrat e mëdha politike që pret të realizojë në dobi të popullit shqiptar. E çiltër, plot emocion, por edhe e kursyer në rrëfime, ajo zbraz zorrët e barkut për blogun tonë, duke treguar pengjet dhe dëshirat e saj. Një shëtitje ekzotike në botën e Elisës, pas së cilës do të flakni nga rafti librin Liza në botën e çudirave.
E kishit menduar ndonjëherë suksesin në angazhimin tuaj politik?
Po, sepse ne të Mjaftit nuk jemi investime të humbura. Që kur vendosa të studioj në SHBA isha e bindur se nga mace e vogël do të bëhesha luaneshë, ose të paktën trau i shtëpisë, dhe jo më kot u emërova te doganat.
Si femër në karrierë, si e pritet ardhjen e vajzës tuaj të parë?
Shiko! Ajo nuk erdhi vetë. E bëmë me bashkëshortin, dhe madje duke ndjekur me përpikëri manualin e këtyre punëve, nga parathënia te pasthënia, pa harrur fusnotat, bibliografinë, figurat dhe seksionin ‘pyetje dhe detyra’.
Jeni edhe një amvisë e mirë. Çfarë ju pëlqen të gatuani?
Kohët e fundit kam zbuluar paidhaqet me kërpudha. Shkojmë familjarisht dhe i mbledhim te lulishtja e kryeministrisë. Jo se nuk ka kërpudha në vende të tjera, por aty i marrim pa merak. Janë bio, dhe mbi të gjitha johelmuese. Shpresojmë shumë që kapiteni ta zgjerojë aktivitetin edhe në kultivimin e produkteve të tjera.
Cilave për shembull?
Po ja, e di që ai dhe deputeti Kokëdhima po mendojnë ta sjellin Lazaratin me afër. E kështu edhe Sajmiri e ka më të lehtë punën. Nga propozimet e para që do të parashtroj në Këshillin Bashkiak do të jetë kultivimi i bananeve përgjatë Lanës. Se bananen e ha si të duash. Është e duhur në të gjitha drejtimet. Nuk e di nëse Erjoni do të pranojë të sakrifikojë fikun, por unë di të jem këmbëngulëse, i mbjell edhe vetë.
Do t’i sjellë përfitime bashkisë kjo fushatë mbjelljesh, se kryeministria po konkurron tregun e kërpudhave?
Patjetër. E jo vetëm aq, por edhe të gjithë vendit. Ëndrra ime është ta bëjmë Shqipërinë si Zvicra, domethënë me 6 germa. Më ka pas pëlqyer Lihtenshteini, por tingëllon keq. Aq më tepër që ka një kështjellë të shëmtuar, ndërsa ju e dini, ne jemi për betonin.
Mos vallë po imitoni krahasimet e Berishës mes Shqipërisë dhe Gjermanisë?
Jo aspak. Shqiptarët ne i çojmë në Gjermani e nuk presim ta bëjmë Shqipërinë si Gjermani, pasi, siç tha kryeministri në takimin me zonjën Merkel, Shqipëria nuk do të bëhet kurrë si Gjermania. Maksimumi jemi tifozë të saj. Prandaj unë them t’i bashkojmë tifozët, ashtu siç u bashkuan dy Gjermanitë (qesh). Siç thotë ajo profecia latine: ‘i cazzi son’diversi ma i culi sempre del popolo’. Ju rrefej që jam tifoze e Italisë.
Ç’mendim keni për të moshuarit?
(Emocionohet, kruhet pak). Ata janë e ardhmja dhe garancia e fitorjeve tona. Janë si tigrat e Sandokanit. Po edhe Erjoni është kujdesur mjaft sa ishte ministër. Me rritjen e pensioneve, të moshuarit tanë, që ju bëfsha kurban, e kanë siguruar detergjentin për të larë dhëmbët e porcelanit. Tani mund të hanë pa frikë edhe misër të pjekur. E kuptoni se sa do të rritet konsumi e prodhimi i misrit? Pularitë nga njëra anë, të moshuarit nga tjetra. Kjo është ndër fitorjet e mëdha të së majtës. Ka vend për përmirësime, sepse mund të stimulohen edhe në prodhimin e vezëve, por kjo do të jetë sfida jonë në mandatin e ardhshëm, ku përsëri do të korrim një superfitore, për një superprojekt që na ngarkon me superpërgjegjësi për superpunët që na presin. Mooossss, m’u derdh hoshafi! (Ngrihet me vrap dhe shkon në kuzhinë të shikojë diçka të vënë në zjarr). (Kthehet) Ku e lamë?
Te luanët, tigrat, pulat etj, po shoh se ju pëlqejnë shumë!
Absolutisht po. E kemi fiksim partie. Do të përpiqemi që zoofilinë tonë t’ia mbështjellim edhe popullit. A nuk do të ishte bukur një Shqipëri si kopsht i madh zoologjik? Kjo është një nga ëndrrat e partisë sonë. Një kopsht gjigand, jo si ai te liqeni, ku kau i hap barkun me brirë kalit. Por një kopsht ku fuqia e brirëve shkarkohet në vepra të mëdha, si hapja e tuneleve, zgjerimi i shtreterve të lumenjve, shembja e ndërtimeve pa leje…
Ka ëndrra të tjera znj. Spiropali?
Shumë, por do të veçoja artin. Jemi të gjithë si kapiteni, të infektuar nga arti. Mua më pëlqen vallëzimi. Vdes për vallen e pinguinit. Është mjaft sociale, pra rrjedhimisht e majtë, sepse i dyti ia mbulon të parit, e me radhë, të gjithë si një trup i vetëm. Po nejse, nuk dua të flas për gjëra personale. Nga unë njerezit presin ide të mëdha, si p.sh. zgjidhja e krizës së eurozonës, makijazhi i vrimës së ozonit etj. Megjithatë, vallja e pinguinit më pëlqen, nuk e fsheh. Edhe pogonishtja nuk është keq, po atë mezi e kap. Ngatërroj hapat. Problemi është se unë nuk kam kohë, ngaqë bëj shumë superpunë në ditë. Ndaj dhe kam mbetur prapa në këtë pikë. Megjithatë, do përpiqem t’ia mësoj vajzës. Të paktën asaj të mos i mungojë gjë në jetë (tret shikimin tej dritares, duke shtrenguar lotët). Nuk e mora dot me vete në fushatë, por të paktën një valle do t’ia mësoj.
Po të kishit mundësi të ktheheshit prapa në kohë ku do të ndaleshit?
Do të isha kurioze të njihja paraardhësit e mi, Spiron me Palin, por edhe një projektim në kohën e ndërtimit të Murit kinez nuk është më pak joshës, sepse gjithmonë kam pyetur veten përse është aq i shtrembër. Po të kisha qenë unë drejtoreshë e INUK-ut në Kinë asokohe, gjërat do të rridhnin ndryshe.
Ndonjë plan për të ardhmen?
Për momentin po i gëzohem pushimeve. Ne i bëjmë ashtu, pa i planifikuar. Marrim fugonin e parë dhe nisemi.
Ju falënderoj znj. Spiropali!
Kënaqësia ishte e imja. Më thërrisni Elisa. Përfitoj të përshëndes të gjithë tigrat, zebrat, kërmijtë, lepurushat, shtatë xhuxhët, Nils Holgersonin, Fatbardh Pikaloshin, Kacamisrin e të gjithë ata që më duan dhe i dua.