Ja një shembull ilustrimi i qartë i krizës së emigrimit në Europë: Qeveria sllovake lajmëroi kohët e fundit se do të ndihmojë në ndarjen e barrës nga vala dhjetëra-mijëshe e emigrantëve në Europë duke pranuar 200 refugjatë sirianë. Ky është një numër i vogël, por ra në sy për shkak të një kushti tjetër – këta refugjatë duhet të jenë të krishterë.
“Në Sllovaki ne s’kemi xhami”, i tha gazetës Wall Street Jornal një zëdhënës i ministrisë së Brendshme. Prandaj, tha zyrtari, “ne duam të zgjedhim vetëm të krishterë”. Organizatat ndërkombëtare dhe grupet humanitare muajt e fundit kanë ngritur zërin e paralajmërimit për peshën e krizës së refugjatëve. Muajin e kaluar, OKB deklaroi se lufta civile në Siri kishte detyruar më shumë se 4 milionë sirianë të largoheshin nga vendi. Disa qindra mijë janë përpjekur të gjejnë strehë në Europë, shumë prej të cilëve kanë ndërmarrë rrezikun e kalimit të Detit Mesdhe.
Të martën, agjencia e kufijve të BE raportoi se 107500 emigrantë ishin futur në BE në korrik, një numër rekord, tre herë më e lartë se numri i refugjatëve në korrik 2014. Një nga strehat për këta refugjatë është Austria, e cila ka numrin më të madh të refugjatëve në Europë për frymë. Parashikohet që ajo të presë 80 000 emigrantë vetëm këtë vit.
Sllovakia fqinje ka qenë nën presion nga zyrtarët e BE në Bruksel të ndihmojë në ndarjen e peshës, por qeveria e saj, si gjithë ato të shteteve të Europës Qendrore dhe Lindore, i ka kundërshtuar kërkesat. Nga Estonia te Hungaria dhe Republika Çeke, politikanët, sidomos ata të partive të së djathtës së fortë, e kanë kundërshtuar strehimin e refugjatëve.
“Politikat e majta kanë çuar në vërshimin e emigrantëve ilegalë në Europë, duke i kërcënuar vendet evropiane me një konflikt social, ekonomik, kulturor dhe sigurie të paprecedent,” tha në një deklaratë javën e kaluar partia nacionaliste, konservatore, në pushtet e kryeministrit Viktor Orban. Qeveria e Orban-it planifikon të ndërtojë një pengesë të gjatë në kufirin me Serbinë për të penguar hyrjen e emigrantëve. Ankesa kulturore – që, ndryshe nga shoqëritë në Europën Perëndimore dhe Veriore, këto vende janë më pak në gjendje t’i përshtaten multikulturalizmit – është me e shpeshta.
Në Çeki, një grup i quajtur Blloku Kundër Islamit mblodhi 145 000 firma për një peticion kundër emigrantëve myslimanë, sipas agjencisë gjermane DPA. Megjithëse myslimanët përbëjnë me pak se 1 për qind të popullsisë të shumë nga këto shtete lindore, paranoja në lidhje me praninë e tyre ka çuar në shpërthim protestash dhe retorike fanatike. Në fillim të vitit, një politikan çek i të djathtës ekstreme u bëri thirrje qytetarëve të shtonin derrat dhe t’i kalonin ata pranë xhamive.
Presidenti çek Milos Zeman ishte më i moderuar në retorikën e tij, por nënteksti ishte i qartë. “Refugjatët nga një begraund kulturor krejtësisht i ndryshëm nuk do të ndiheshin mirë në Republikën Çeke,” është cituar të ketë thënë së fundi përmes një zëdhënësi. Siç raporton Wall Street Journal, homologu sllovak i Zeman, Robert Fico, ka ngritur të njëjtat shqetësime. Duke i shpjeguar një gazete austriake javën e kaluar pse vendi i tij pranonte më pak emigrantë nga shifra 1100 e kërkuar nga Brukseli, ai tha se Sllovakia nuk kishte përgjegjësi të mirëpriste refugjatë nga konflikte ku vendi i tij nuk kishte marrë pjesë.
“Unë kamë një pyetje: Kush e bombardoi Libinë?” tha Fico, duke iu referuar konfliktit të vitit 2011 dhe ndërhyrjes së Natos kundër regjimit të Moamar Gadafit. “Kush krijoi probleme në Afrikën e Veriut? Sllovakia? Jo”. Ky argument mbështet nga opinioni publik. Një fshat afër kryeqytetit, Bratisllavës, kohët e fundit mbajti një referendum për strehimin ose jo përkohësisht të 500 azilkërkuesve në një objekt afër tij. Nëntëdhjetë e shtatë përlind votuan jo. Është e qartë se kundërshtimi ka prapavijë kulturore. Kjo u artikulua nga vetë Fico në Janar.
“Meqenëse Sllovakia është një vend i krishterë, ne nuk mund të tolerojmë një valë 300 000-400 000 mijë emigrantësh myslimanë që do të pëlqenin të ndërtonin xhami gjithandej në vendin tonë dhe të përpiqen të ndryshojnë natyrën, kulturën dhe vlerat e shtetit tonë”, tha ai. Myslimanët përbëjnë rreth 0.2 për qind të popullsisë sllovake më shumë se 5 milionëshe. Vitin e kaluar, Sllovakia u dha të drejtën e azilit 14 personave.