Michael Jackson u kurorëzua si Mbret i Popit nga tregu, autoriteti më i pushtetshëm dhe më prepotent i kohës së shoqërisë së konsumit. Ahmet Zogu e mori titullin nga një asamble e arnuar prej tij dhe u përpoq ta sakralizonte me cilësorin ‘i shqiptarëve’ (jo ‘i Shqipërisë’), duke përdorur kështu entitetin komb si mjetin më legjitimues të autoritetit për monarkitë e pasrevolucionit francez, i cili tashmë u kishte dhunuar në mënyrë të pariparueshme justifikimin e ekzistencës përmes trashendentes. Për Zogun mjaftonte njohja ndërkombëtare e kombinuar me konsensusin e brendshëm elitar dhe me kombin. Skënderbeu, për shkak se jetoi në një epokë e hapësirë ku titulli mbret – i legjitimuar nga trashendenca – ndërmjetësohej nga entitete fetare, e meqenëse si shoqëria e konsumit ashtu edhe kombi duheshin shpikur ose mbushur me kuptimin modern, praktikisht ngeli mbret në tentativë, i kurorëzuar më vonë nga nevojat e shqiptarit të shek. XX.
Ajo çka afron më shumë Skënderbeun me Zogun është “uzurpimi” i autoritetit. Natyrisht që të dy kishin shpjegime për metamorfozën: i pari pronësonte autoritetin e të atit, i cili, deri në momentin që të zbulohen dokumente vërtetuese të një delegimi ose njohjeje nga një autoritet superior, mund të thuhet se gjithashtu e kishte uzurpuar ‘arbitrarisht’ ose ‘pa vullnet hyjnor’; i dyti modifikonte një autoritet personal legjitim, që nga republika zhvillohej tani në monarki. Re d’Albania e Athleta Christi janë ndërtime retorike, të njëkahshme dhe të krahasueshme me vlerën e certifikatave mirënjohëse që shpërndan sot një president republike: marrja e Légion d’honneur, titulli i nderit më i rëndësishëm i Francës laike, nuk i siguron asnjë atribut më shumë ministrit të brendshëm të Arabisë Saudite, Muhammed bin Najef, por maksimumi i shërben këtij të fundit si zbardhues i imazhit publik, ndërsa Francës, valëvitëses së flamurit të lirive e të drejtave të njeriut, i shton garancinë në tregtinë e armëve me saudët promovues të atij wehabizmit famëkeq. Pra një titull i këtij soji, fjala bie Atlet Popi (ku pop rrjedh nga popullor), sigurisht që i shërben bartësit dhe certifikuesit, por nuk konvertohet në kompetenca ekonomike e juridike.
I diferencon më shumë suksesi politik dhe shtrirja e tij, i kulmuar nga Zogu me tejkalimin e “uzurpimit” (që fundja e kishte përshkuar edhe Napoléon Bonaparte) me anë të themelimit dhe njohjes së brendshme e të jashtme të kurorëzimit. Nga ana tjetër, së pari, Skënderbeu ripërtëriu, e nuk themeloi, autoritetin e Gjon Kastriotit. Pra ai zotëronte të drejta të padeleguara (sigurisht) nga lart, pasi populli nuk e kishte atë kompetencë, çka do të thotë se ishte pushtet i zaptuar që mund të legjitimohej vetëm në dy mënyra. Së dyti, duke mos pasur një dokument që vërteton zyrtarisht njohjen papnore, mund të kërkohet alternativa e dytë, me e rëndësishmja, njohja përmes kushtit të vasalizimit ndaj një pushteti superior, si p.sh. një mbretërie, siç ishte ajo e Napolit.
I thjeshtuar, procesi ndodhte kështu: një sundimtar i kalibrit të Skënderbeut i jepte zotërimin e tij (bashkë me autoritetin ekonomik, juridik ose ekonomiko-juridik) një sundimtari të kalibrit të Alfonsit V, i cili, duke pretenduar besnikëri, ia rikthente menjëherë të shndërruar në feud, e kjo “vajtje-ardhje” (feudum oblatum) legjitimonte autoritetin (tashmë të një vartësi). Mirëpo kjo alternativë, e vetmja e mundshme dhe e arsyeshme, është përjashtuar kategorikisht nga historiografia zyrtare shqiptare, e cila me kokëfortësi refuzon njohjen e vartësisë së Skënderbeut ndaj derës Aragoneze. Së treti, nga Kuvendi i shumëpërfolur i Lezhës askush nga prijësit arbër, duke konservuar me xhelozi autoritetin, nuk i delegoi Skënderbeut të drejta ekonomike e juridike mbi zotërimet personale. Edhe ato që arriti të siguronte gjatë 25 viteve ishin zgjerime pa marrëveshje të dyanshme feudo-vasalitike, të mundësuara nga vdekja e aleatëve (Topia, Muzaka) ose nga disfata e rivalëve (Golemi, Balsha).
Rezultati është se, duke konsideruar dominimin me prestigj, pa autoritet ekonomik e juridik mbi tregun, mbretërimi retorik i Skënderbeut përafrohet me mbretërimin metaforik të Jackson-it, megjithëse ky i fundit mbeti unik në nivel botëror. Në të mirë e në të keqe Shqipëria ka pasur vetëm një mbret të legjitimuar, që Skënderbeun e përdori në aparatin e tij mito-simbolik.